Kërko

Shën Marku ungjilltar Shën Marku ungjilltar 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Ungjilli sipas Markut – sekreti mesianik

Në emisionin e kaluar, duke vijuar komentin e Ungjillit sipas Markut, e krahasuam atë me “Zojën e Dhimbshme Rondanini” të Mikelanxhelos. Thamë në fund se shën Marku ungjilltar i ka shqetësuar gjithnjë lexuesit e tij me atë, që është quajtur “sekreti mesianik”. Po ç’është ky sekret? Për këtë do t’ju flasim sot, sipas vëllimit “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Ja disa fjalë nga Ungjilli sipas Markut:

“Nuk i lejoi djajtë të flasin sepse e njihnin” (Mk 1,34).

“Jezusi u urdhëronte rreptësisht të mos dëftonin se kush është” (Mk 3,12).

“Shih ‑ i tha ‑ mos i trego askujt, por shko, duku te prifti” (Mk 1,44).

“Jezusi u urdhëroi rreptësisht të mos ia tregojnë askujt ngjarjen” (Mk 5,43).

“ Jezusi u urdhëroi të mos i tregojnë askujt. Por, sa më tepër që ai ua ndalonte, ata aq më tepër e shpallnin” (Mk 7,36).

“Mos hyr assesi në fshat!” (Mk 8,26).

“Ai u urdhëroi rreptësisht të mos ia tregonin askujt këtë gjë për të” (Mk 8,30).

“Jezusi u urdhëroi që të mos i tregojnë askujt çka panë derisa Biri i njeriut të ngjallej prej së vdekuri” (Mk 9,9).

         E kështu, kur trupi i Jezu Krishtit nuk u gjet në varr, ishte një i ri – kësaj radhe i veshur e jo pa veshje si në Gjetsemani, e as engjëll si në Ungjijtë e tjerë – pra, një i ri shpjegon se Jezusi është ringjallur. E grave u ndodh e pabesueshmja:

“Ato dolën dhe ikën nga varri, sepse i kapi frikë e madhe dhe tmerr. S’i treguan askujt asgjë, sepse kishin frikë...” (Mk 16,8)

         Ungjilli i Markut përfundon kështu, me këtë sekret, që nuk i zbulohet askujt. Vërtet që në Ungjill gjejmë edhe 11 versete të tjera, por është e qartë se nuk janë vepër e ungjilltarit. Janë shtuar më vonë, si arnë për të mbuluar të çarën. Dikush mendon se këtij Ungjilli i kishte humbur një pjesë, prandaj me 11 versetet e fundit është plotësuar. Në të vërtetë, kemi të drejtë të mendojmë se Ungjilli përfundon pikërisht në këtë mënyrë, në mes të frikës dhe të heshtjes së tmerrshme e enigmatike.

         Ky pra, është Ungjilli sipas Markut, që nuk i paraqet dukjet e Krishtit, madje, as finalen madhështore në Galile. Këtu fillon “sekreti mesianik”. Nëse ju kujtohet krahasimi me “Zojën e Dhimbshme Rondanini” të Mikelanxhelos, për të cilën ju folëm herën e kaluar, e dini tashmë se Mikelanxhelo e punoi këtë skulpturë, në prag të vdekjes, prandaj nuk kishte kohë për hollësira e shtesa. Paraqet kështu vetveten lakuriq, paraqet thelbin e shpirtit të vet, pa shumë lajle-lule. Ungjilli i shën Markut çliron këtë lloj force brutale, të dhunshme, të errët, të cilën Mateu, Luka e Gjoni do të provojnë ta zbusin disi.

         Le të japim disa shembuj.

         Thuhet se ky Ungjill frymëzohet nga shën Pjetri. Por kur lexojmë pjesën, që i kushtohet atij dhe apostujve të tjerë, çuditemi nga ashpërsia me të cilën trajtohen. Në asnjë çast, nuk ka vend për dhembshuri e intimitet, siç gjejmë tek Gjoni, por jo vetëm tek ai. Jezusi nënvizon pa mëshirë ngurtësinë e zemrës së dishepujve të vet, faktin që nuk e kuptojnë, mungesën e tyre të fesë e shën Marku ungjilltar nuk luan as gishtin për ta ëmbëlsuar pak këtë shkandull.

         Ai e nis veprën e Jezusit me fjalët e Shën Gjon Pagëzuesit, pastaj, pjesa e parë e shërbimit të tij në Galile përfundon me vdekjen e vetë shën Gjonit, në kapitullin 6. Nga ai çast, fillon dueli me apostujt.

         Në kapitullin 3, Marku na bën të kuptojmë qartë se si do të përfundonte puna me skribët dhe farisenjtë, të cilët kishin vendosur ta vrisnin Jezusin (paradigma) e nga ky çast, Jezusi hyn gati në konflikt me dishepujt, që nuk e kuptonin kush ishte, derisa, në mes të grindjes e të vetë Ungjillit, Jezusi bën PYETJEN:

“Po ju, kush thoni se jam?” (Mk 8,29).

Më në fund, Pjetri e ka gati PËRGJIGJEN:

“Ti je Mesia!” (Mk 8,29).

Përgjigje e saktë, të lumtë Pjetër, por, pastaj, s’arrin as ta kthesh kokën për një çast e, me shpejtësinë e tre verseteve, Jezusi i zemëruar e shikon dhe e përzë:

“M’u hiq sysh, he djall” (Mk 8,33).

         Pjetri e të gjithë ne me të, mbetemi shtang. Formula e fesë dukej e përsosur, paradigmatike, por problemi është se Pjetri (ashtu si të gjithë ne) do një Krisht pa kryqin.

         Ja ku zbulohet sekreti, me të cilin mbruhet Ungjilli sipas Markut. Feja nuk është kurrë paradigmë e qartë dhe e kuptueshme: kryqi, çastet dramatike të papritura në kryq, e bëjnë gjithçka të errët dhe enigmatike. Të dykuptimtë e të pashqyrtueshme. E që nga fillimi, që kur Mësuesi fillon të flasë me shembëlltyra, të cilat mezi kuptohen, jep këtë arsye:

“Ju e morët dhuratë misterin e Mbretërisë së Hyjit, kurse atyre që janë përjashta u mbërrin përgjithësisht në shëmbëlltyra, që ‘edhe pse shikojnë me kujdes – megjithatë nuk shohin, edhe pse dëgjojnë me kujdes ‑ megjithatë nuk kuptojnë, përndryshe do të ktheheshin e do të gjenin falje.’” (Mk 4,11-12)

O Zot, çfarë fjalësh të ashpra! Por ka edhe më. Ja si u përgjigjet të afërmve dhe nënës së vet:

“‘Kush është nëna ime e kush janë vëllezërit e mi?’ Dhe, si ua hodhi sytë rreth e rrotull atyre që rrinin përreth tij, tha: ‘Ja nëna ime e vëllezërit e mi! Sepse, kushdo e kryen vullnetin e Hyjit, ai është vëllai im, motra ime e nëna!’” (Mk 3,33-35)

         Prandaj shkandulloheshin me të. Kështu ndodh kur Jezusi mbërrin në Nazaret, në vendlindje, ku nuk bën asnjë mrekulli. Dishepujve, të hutuar ndërmjet mrekullive të tij e zemërimit të farisenjve, Jezusi i pyet:

“Ende nuk po kuptoni?!” (Mk 8,21)

         E ndeshja me ta ashpërsohet. Ungjilltari fikson në gurin e pagdhendur të Ungjillit deri tre kumte për Mundimet e Krishtit e pas secilit prej tyre, paraqet dishepujt që nuk kuptojnë, që bëjnë garë për të ditur kush prej tyre është më i madhi e do të shkojë për të komanduar në Jeruzalem... Në këtë Ungjill, me një episod kuptimplotë, që e gjejmë edhe tek Mateu e Luka, Jezusi e tregon qartë se si duhet të jetë dishepulli, që ndjek vërtet gjurmët e Krishtit, por për këtë, do t’ju flasim në emisionin e ardhshëm.

06 qershor 2019, 12:25