I Kryqëzuari I Kryqëzuari 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Ungjilli sipas Markut – kush është dishepull i Krishtit?

Emisionin e kaluar e përfunduam me një premtim. Ju thamë se kësaj radhe do të shohim si duhet të jetë dishepulli, që ndjek vërtet gjurmët e Krishtit. E përcakton vetë Jezusi në Ungjillin sipas Markut, të cilin po e komentojmë sipas vëllimit “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Shën Marku ungjilltar e përfundon udhëtimin e Krishtit e të dishepujve për në Jeruzalem, me takimin e fundit të Jezusit, i cili gjendet para një të verbëri pa shtëpi, që kutërbonte erë të keqe e varfëri. Pikërisht ai bëhet imazhi i njeriut të vetëm, që në Ungjill, bashkon fenë e vet me ndjekjen e gjurmëve të Krishtit. Ky është dishepulli i përsosur:

“Kur Jezusi po dilte prej Jerihonit bashkë me nxënës e me një turmë të madhe populli, biri i Timeut, Bartimeu i verbër, rrinte në anë të rrugës e lypte. Posa mori vesh se ishte Jezusi Nazarenas, filloi të bërtiste: “Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!” Shumëkush e qortonte të heshtte, porse ai bërtiste edhe më fort: “Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!” Jezusi zuri vend e tha: “Thirreni!” Ata i bënë zë të verbërit dhe i thanë: “Mos u tremb! Çohu se po të thërret!” I verbëri hodhi mantelin e vet, menjëherë u ngrit dhe shkoi te Jezusi. Jezusi e pyeti: “Çka dëshiron të bëj për ty?” “Rabbuni! Të shoh!” ‑ u përgjigj i verbëri. Jezusi i tha: “Shko lirisht! Feja jote të shpëtoi!” Dhe aty për aty pa e u vu të udhëtojë pas Jezusit” (Mk 10,46-53).

         Gjatë Mundimeve, enigma mbi Jezusin bëhet edhe më e errët. Ndërsa farisenjtë, skribët dhe meshtarët vënë në zbatim manovrën e tyre për të eliminuar mësuesin e shqetë galileas, shën Marku nënvizon pa mëshirë:

         “Atëherë të gjithë nxënësit e lanë dhe ikën” (Mk 14,50).

         Por, nëse kjo mund të merrej me mend, çka ndodh në kryq është e pakonceptueshme. Krishti, Biri i Zotit, braktiset nga të gjithë, madje, edhe nga Hyji i vet:

         “ Kur u bë ora gjashtë errësira e mbuloi mbarë dheun deri në orën nëntë. Në orën nëntë Jezusi lëshoi një gjëmë të madhe: “Eloi, Eloi, lema sabahthani?” Që përkthehet: “Hyji im, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje?” Disa prej atyre që ishin pranë, kur e dëgjuan, thanë: “Ja, po thërret Elinë!” Njëri prej tyre u lëshua me vrap, e lagu shpuzën në ‘uthull’, e vuri në kallam, ia dha ta ‘pijë’ duke thënë: “Lëreni të shohim pale a po vjen Elia ta ulë nga kryqi!” Jezusi lëshoi një britmë të madhe ‑ e dha shpirt” (Mk 15,33-37).

         Kjo është enigma e Markut: i dërguari hyjnor vdes i vetëm, i dëshpëruar e duke britur pa përgjigje! E gjithçka bëhet edhe më paradoksale, kur besojma e fesë vihet në gojën e një centurioni romak, menjëherë pas kësaj vdekjeje të pamëshirshme dhe pas fundit simbolik të tempullit, të “religjionit të vjetër”:

         “…perdja e Tempullit u nda më dysh prej majës e deri në fund. Centurioni që rrinte përballë Jezusit, kur pa se si i doli shpirti, tha: “Ky njeri paska qenë me të vërtetë Biri i Hyjit!”” (Mk 15,38-39).

         E pabesueshme! Rrethi i hapur me një frazë të thjeshtë në fillim të Ungjillit (“Fillimi i Ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Hyjit” (Mk 1,1)) në të vërtetë, përfundon këtu. Shën Marku ungjilltar na tregon si është vërtet Jezusi e si duhet ta ndjekin dishepujt e tij.

         Luka nuk do të guxojë ta ndjekë plotësisht Ungjillin sipas Markut e në skenën e kryqëzimit shton praninë e “hajdutit të mirë” dhe premtimin e mëshirshëm të Jezusit, së bashku me faljen për kryqëzuesit. Gjoni e shndërron tregimin dhe na dhuron pamjen e lavdishme të të Kryqëzuarit, që i plotëson të gjitha gjërat e, duke vdekur, e dorëzon shpirtin në duart e Atit Qiellor. Vetëm shën Mateu ungjilltar e ruan tregimin e parë, por shton hollësi të tjera, si për shembull, tërmetin dhe ngjalljen e të vdekurve e dukjen e tyre, gjë që e zhvendos vëmendjen nga drama e Kryqit, e cila, në një farë mënyre, lehtësohet.

         Shën Marku ungjilltar nuk bën asgjë nga këto. Shkrimi i tij është sintetik, me Jezusin gjithnjë në lëvizje, gjithnjë i ngutur; për 33 herë me radhë përdor ndajfoljen “shpejt”. Që nga çasti i parë, në të cilin Jezusi nuk ka kohë të flerë mbi dafinat e predikimit të tij, as të krijojë një grup, të caktojë një vend a një program. Ecën gjithnjë e, për udhë, thërret edhe dishepujt e vet, që i përgjigjen thirrjes, gjithnjë me ngut:

         “Ndërsa po kalonte bregut të Detit të Galilesë, Jezusi pa Simonin e Andreun, të vëllanë e Simonit, duke gjuajtur peshk ‑ ishin peshkatarë. Jezusi u tha: “Ejani pas meje e do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!” Ata, aty për aty, i lanë rrjetat e shkuan pas tij” (Mk 1,16-20).

         Ritmi është tepër i shpejtë e dishepujt do të kishin dashur të ndaleshin pak, t’i shijonin çastet që po përjetonin, por nuk ka kohë; Jezusi i shën Markut ka gjithnjë urgjencë, është i vendosur, impulsiv gati, sepse e di ç’e pret:

         “Herët në mëngjes, kur ende ishte natë, Jezusi u çua e shkoi në një vend të pabanuar e atje lutej. Simoni me shokët e vet u vunë ta kërkojnë. Kur e gjetën i thanë: “Të gjithë po të kërkojnë.” Ai u tha: “Ejani të shkojmë gjetiu, në fshatrat e afërme që të predikoj edhe atje. Prandaj edhe erdha.” Dhe i ra kryq e tërthor Galilesë duke predikuar nëpër sinagogat e tyre dhe duke dëbuar djajtë” (Mk 1,35-39).

         Ritmi i ditëve në Galile është i jashtëzakonshëm: lutje natën, predikime, mrekulli, ndeshje me miqtë e me armiqtë, asnjë çast pushimi, as për të ngrënë, gjë që shën Marku ungjilltar e përmend dy herë:

         “Jezusi u kthye në shtëpi. Prapë u mblodh turmë e madhe sa që as nuk mund të hanin bukë” (Mk 3,20).

         “Aty aq shumë njerëz vinin e shkonin sa që s’kishin kohë as të hanin” (Mk 6,31).

         Kjo është kaq shqetësuese sa Marku na tregon edhe reagimin e të afërmve të Jezusit:

         “Kur e morën vesh të tijtë, shkuan ta marrin sepse flitej: “Nuk është në vete.” (Mk 3,21).

         Mjafton edhe kaq për ta dashur e, njëkohësisht, për të pasur disi frikë nga ky ungjilltar, i pari dhe i fundit me të cilin duhet hyrë në duel për të zbuluar enigmën e Krishtit. E për ta bërë këtë, duhet marrë në dorë Ungjilli sipas Markut, komentin e të cilit e përfundojmë sot, për të filluar të enjten e ardhshme reflektimin mbi Ungjillin sipas Lukës. Lexim të mbarë!

13 qershor 2019, 12:34