Kërko

Të të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, të Shëlbuemit Të të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, të Shëlbuemit 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës të të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, të Shëlbuemit

Kisha kremton e reflekton për të Ngjiturit e Krishtit në Qiell. Të Shëlbuemit, shënon përmbushjen e shëlbimit, që nisi me Mishërimin: ashtu siç Jezusi zbriti për ne nga qielli, për ne vuajti e vdiq në kryq, kështu për ne u ngjall e u ringjit në qiell, pranë Hyjit Atë, i cili nuk është më larg nesh, por është Hyji ynë, Ati ynë. Prej këndej, të Shëlbuemit, është akti i fundit i çlirimit tonë nga zgjedha e mëkatit.

R.SH. - Vatikan

Kisha katolike kremton solemnitetin e të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell, festë e cila tek shqiptarët njihet si festa e të Shëlbuemit. Festa e të Shëlbuemit, është solemnitet që kujton se çdo njeri është i thirrur për jetën e pasosur. Me këtë festë kujtohet përfundimi i qëndrimit të dukshëm të Jezu Krishtit Zot ndërmjet njerëzve, që u pasua me përhapjen e krishterimit në mbarë botën.

Liturgjia e festës të të Shëlbuemit

Liturgjia e festës të të Shëlbuemit na shkëput nga jeta e përditshme, për të na sjell në kundrimin e misterit të Krishtit të vdekur e të Ngjallur. Kështu, Kisha katolike, këtë diele kremton solemnitetin e të Ngjiturit të Krishtit në qiell, që në Vatikan u kremtua të enjten e kaluar, pikërisht 40 ditë pas Pashkëve.  Me festën e të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell kujtohet përfundimi i qëndrimit të dukshëm të Zotit ndërmjet njerëzve, që u pasua me përhapjen e krishterimit në mbarë botën. Siç na njofton Ungjilli, ishte një ‘mirupafshim’ e nevojshme ngjitja e Krishtit në qiell, rikthimi tek Ati Hyjnor, që përmbushi shëlbimin: “Në se unë nuk shkoj, nuk do të vijë tek ju Ngushëlluesi, por në se shkoj, do t’jua dërgoj” - kështu u tha Jezusi Apostujve, siç na e rrëfen Shën Gjoni.

Në këtë festë, bashkësia e krishterë është e thirrur, pra, t’i drejtojë sytë nga Ai që , dyzet ditë pas ngjalljes, në sa apostujt e ndiqnin të mahnitur, u ngjit lart para syve të tyre e u zhduk pas një reje. Duke u ngjitur në qiell, Ai na e rihapi udhën drejt atdheut tonë të përhershëm, që është parajsa. Tani, me pushtetin e Shpirtit të tij, na ndihmon në shtegtimin tonë të përditshëm mbi tokë. Këto fjalë, na kujtojnë domethënien e solemnitetit të të Shëlbuemit. Dyzet ditë pasi u qe dukur Apostujve me pamjen e tij të zakonshme njerëzore, që fshihte lumninë e të Ngjallurit, shpjegon Katekizmi i Kishës Katolike – Krishti ngjitet në qiell e rri në të djathtën e Atit. Ai është Zoti, që tashmë mbretëron me humanitetin e tij në lumninë e amshuar të Birit të Hyjit e ndërmjetëson pareshtur në favor tonë pranë Atit. Na dërgon Shpirtin e tij e na jep shpresë se një ditë do të arrijmë në vendin që na e ka përgatitur.

Duke u ngjitur drejt ‘lartësive’, Ai na zbulon pa kurrnjë dyshim hyjninë e vet: kthehet prej nga erdhi, domethënë tek Ati, pasi e ka kryer misionin e Tij mbi tokë. Përveç kësaj, Krishti ngjitet në qiell, pasi mori mbi vete natyrën njerëzore, të cilën e ngjalli prej së vdekurve: kjo natyrë njerëzore është natyra jonë, e shndërruar, e hyjnizuar, e amshuar. Prandaj themi se çdo njeri është i thirrur për jetë të pasosur në Mbretërinë e Hyjit, Mbretëri e dashurisë, e dritës, e paqes. 

Duhet të jemi të sigurt se Zoti nuk është larg nesh, nuk ndodhet në ndonjë vend të universit, ku nuk mund të arrijë askush. Ai e ka ngritur çadrën e vet ndërmjet nesh: në Jezusin, është bërë një prej nesh, me mish e gjak, si ne. Ai vetë, me Korpin e vet, mbetet mes nesh si një prej nesh. Mund ta thërrasim me emër e të flasim me Të. Ai na dëgjon, e në se ia vëmë veshin, edhe ne do ta dëgjojmë kur na përgjigjet. Në Jezusin është Zoti që na pret! 

                                          Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë Vap 1, 1-11

Ungjilltari Luka na prezanton ngjitjen e Jezusit si fundin e një etape të planit të Hyjit, si shenjë të pranisë së përhershme të Jezusit në mes njerëzve. Me një prani të tillë hapet një kohë e re, ajo e Shpirtit dhe e Kishës misionare. Nga ajo ditë Ungjilli u dorëzua në duart tona.

 Lexim prej Veprave të Apostujve
Në librin e parë, o Teofil, fola për gjithçka Jezusi bëri dhe mësoi qysh prej fillimit e deri në ditën kur u ngrit në qiell, pasi që u dha porositë apostujve, të cilët i pati zgjedhur nëpërmjet të Shpirtit Shenjt. Ai, pas mundimit të vet, me shumë prova ua vërtetoi apostujve se ishte i gjallë duke u shfaqur për dyzet ditë para tyre dhe duke u folur për Mbretërinë e Hyjit. Dhe, njëherë, ndërsa po hante bukë bashkë me ta, u urdhëroi të mos e lëshojnë Jerusalemin, por ta presin Premtimin e Atit: “Atë që dëgjuat prej meje: Gjoni ka pagëzuar me ujë, ndërsa ju, pas pak ditësh, do të pagëzoheni me Shpirtin Shenjt.” Tani ata që ndodhën bashkë me të e pyetën: “Zotëri, a thua do ta ripërtërish në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?” Ai u përgjigji: “Nuk është puna juaj ta njihni kohën dhe momentin që Ati ia ka përcaktuar pushtetit të vet. Por ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari, madje dhe gjer në skajin e botës.” Dhe, kur i tha këto fjalë, ndër sy të tyre, u ngjit në qiell dhe një re menjëherë ua zuri para syve të tyre. Dhe, ndërsa ata me ngulm shikonin sesi ai ngjitej në qiell, ia behën dy njerëz të veshur me petka të bardha, zunë vend para tyre dhe u thanë: “O burra galileas, përse rrini kështu duke shikuar kah qielli? Ky Jezusi, që prej jush u ngjit në qiell, do të kthehet pikërisht kështu, si e patë se shkoi në qiell!”  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 47

Ngjitet Zoti me këngë të hareshme

Duartrokitni, o popuj të gjithë,
brohoritni Hyjit me zë gëzimi!
Sepse Hyji është i tejetlartë, i tmerrshëm,

Mbreti i madh mbi tokën mbarë.

Ngjitet Hyji me brohori,
Zoti me zë trumbete.
Këndoni Hyjit, këndoni,
këndoni mbretit tonë, këndoni!

Sepse Hyji është mbreti i mbarë tokës:
këndoni këngë me mjeshtëri!
Hyji mbretëron mbi mbarë popujt,

Hyji rri mbi fronin e vet të shenjtë.

Leximi dytë Hebr 9, 24-28; 10, 19-23

Ngjitja e Krishtit paraqitet si një akt vërtetë meshtarak: i Kryqëzuari i ringjallur hyn në qiell në sajë të gjakut të Tij. Shenjtërorja e vërtetë është ajo e qiellit, ku Krishti hyn si kryeprifti, i vetmi dhe përfundimtari, duke çuar përpara Hyjit të gjithë besimtarët falë flisë së Tij. Jezusi është kryeprifti i vetëm dhe i amshuar, ndërmjetësues i pajtimit tonë me Hyjin.

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
Krishti nuk hyri në Shenjtëroren e Shenjtëroreve të punuar me dorë, që është vetëm shëmbëllesë e thjeshtë e asaj të vërtetës, por drejt në qiell: që tani të ndërmjetësojë për ne para fytyrës së Hyjit. Jo veç, që shumë herë ta flijojë vetveten sikurse kryeprifti çdo vit hyn në Shenjtëroren e Shenjtëroreve me gjak të huaj; - përndryshe i ishte dashur të pësojë shumë herë qysh prej krijimit të rruzullit. Por tani u dëftua një herë të vetme – në mbarimin e kohës – për ta asgjësuar mëkatin me anën e flijimit të vetvetes. Dhe, sikurse njerëzve u duhet një herë të vdesin – e pastaj vjen gjyqi – kështu edhe Krishti: u flijua vetëm një herë për të shlyer mëkatet e të gjithëve, kurse herën e dytë – jo më në lidhje me mëkate – do t’u duket atyre që e presin për të qenë shëlbuar. Pra, o vëllezër, duke pasur hyrje të lirë në Shenjtëroren e Shenjtëroreve në fuqi të gjakut të Jezusit, nëpër këtë rrugë të re dhe të gjallë që na e hapi Krishti me anë të tisit, që është korpi i tij; dhe duke pasur një Prift të shkëlqyeshëm në krye të Shtëpisë së Hyjit: t’i afrohemi me zemër të çiltër, me fe të plotë, me shpirt të pastruar nga ndërgjegjja e keqe dhe me trup të larë me ujë të pastër. Ta ruajmë të palëkundshme dëshminë e shpresës, sepse Ai që i dha premtimet është besnik.  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Aleluja! Aleluja 
Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt, thotë Zoti. Dhe, ja unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës.
Aleluja! Aleluja

Ungjilli Lk 24, 46-53
Jezusi përgatit dishepujt e tij për mision. I Ringjalluri së pari u bën të kuptojnë në dritën e Shkrimeve vdekjen dhe ringjalljen e tij, dhe u dorëzon atyre detyrën për t’u shpallur “të gjithë popujve kthimin dhe faljen e mëkateve”. Apostujt do të jenë dëshmitarët e Tij pasi të kenë marrë Shpirtin Shenjt. E gjithë jeta e tyre do të bëhet tempulli i ri, për të lëvduar Hyjin. 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Kështu është në Shkrim shenjt: ‘Mesisë i duhet të pësojë e të ngjallet së vdekuri të tretën ditë’. Në Emër të tij do të predikohet ndër të gjithë popujt, duke filluar prej Jerusalemit, kthimi dhe falja e mëkateve. Ju jeni dëshmitarët e kësaj gjëje. Dhe, ja unë do ta dërgoj mbi ju Premtimin e Atit tim. Qëndroni, prandaj, në qytet deri që të vesheni me Fuqinë prej së larti.” Atëherë i mori me vete deri në Betani, i çoi duart dhe i bekoi. E, ndërsa po i bekonte, u nda prej tyre dhe u ngjit në qiell. Ata ranë përmbys para tij dhe e adhuruan e me gëzim të madh u kthyen në Jerusalem dhe vazhdimisht ishin në Tempull duke i dhënë lavdi Hyjit.  Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

31 maj 2019, 15:48