Shtegtimi i shqiptarëve në Gjenacan, 2018 Shtegtimi i shqiptarëve në Gjenacan, 2018 

Të dielën, 26 maj, shqiptarët në Gjenacan, te Pajtorja e tyre

Si çdo vit, të dielën e fundit të majit - muaj kushtuar Zojës së Bekuar - shqiptarët nga e gjithë Italia mblidhen në Gjenacan për të nderuar Pajtoren e tyre Qiellore, Zojën e Këshillit të Mirë. Edhe kësaj radhe, besimtarët organizohen nga koordinatori i baritorisë së katolikëve shqiptarëve në Itali, don Pasquale Ferraro e nga meshtarët e murgeshat, që kujdesen për bashkësitë shqiptare në qytetet e ndryshme italiane.

R.SH. - Vatikan

Aty ku, sipas traditës, u ndal fugurja e Zojës, lartuar mrekullisht në qiell për të ikur nga shenjtërorja e Zojës së Shkodrës, në rrëzë të kështjellës së Rozafës, atëbotë, e pushtuar nga turqit otomanë, besimtarët do të mblidhen më 26 maj, në orën 11, për të ndjekur meshën e kremtuar nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo. Ai vjen enkas nga Tirana për ta kaluar ditën së bashku me shqiptarët, që mblidhen në lutje rreth shën Marisë, në shenjtëroren e Gjenacanit. Aty do të lartohet himni “O Zoja e Shkodrës, lutu për ne”, aq i dashur për katolikët.

Më pas, tradita e do që të gjithë të mblidhen në parkun e qytezës laciale, ofruar me bujari atë ditë nga vendasit, për një piknik, ku, të ulur në bar, në mes të gjelbërimit, njerëzit takohen, shkëmbejnë gjellët tradicionale e bisedojnë për punët e jetës së tyre. Shpesh, është rast për t’u takuar me njerëz, që nuk i ke parë prej kohësh. E takimi shoqërohet me këngë e valle popullore, të cilat, veçanërisht atë ditë, festojnë Zojën e miqësinë shqiptare.

22 maj 2019, 14:41