Kërko

Vatican News
Guadalupe Ortiz de Landázuri Guadalupe Ortiz de Landázuri 

Shpallet e Lume Guadalupe Ortiz de Landázuri: kimiste e dashuruar me Zotin

Kimistja e parë femër, që u shpall e Lume nga Kisha Katolike: në gjirin e Prelaturës apostolike “Opus Dei”, Guadalupe Ortiz de Landázuri i shërbeu Zotit, duke e kryer si jo më mirë detyrën e mësueses e duke formuar vajzat në Meksikë e në Spanjë.

R.SH. - Vatikan

Vdekjen e pati parë në fytyrë që kur ishte vajzë. Gjatë Luftës Civile Spanjolle, i ati u burgos dhe u pushkatua nga qeveria republikane. Guadalupe Ortiz de Landázuri, që dje u shpall e Lume nga Kisha Katolike në Madrid, pati arritur t’i qëndronte pranë të atit, gjatë orëve të fundit të jetës.

Është e Lumja e parë laike, anëtare e Prelaturës apostolike “Opus Dei”, një nga bashkëpunëtoret e para të themeluesit, José Maria Escrivà, edhe ai shenjt. Është edhe gruaja e parë kimiste, që lartohet në nderimet e altarit pikërisht në vendin ku lindi, më 12 dhjetor 1916. Meshën e lumnimit e kremtoi i dërguari i Papës Françesku, kardinali Angelo Becciu, Prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.

Ndoqi universitetin, kur nuk kishte shumë vajza në të

Jeta e saj ishte krejtësisht normale: vinte nga një familje borgjeze, i ati, ushtarak, e merr me vete familjen në Afrikë për një farë periudhe, pastaj, në fillim të viteve ’30, Guadalupe studion kimi në Universitetin e Madridit. Në atë kohë, nuk ishin të shumta vajzat, që ndiqnin universitetin, sidomos në degët shkencore. Ndër 70 studentë, në kursin e saj, vetëm 5 ishin vajza.

I fali ata, që patën dënuar me vdekje të atin. Në vitin 1937, së bashku me të vëllanë dhe të ëmën, Guadalupe arriti të kalonte në një zonë tjetër të Spanjës, ku ndodhej vëllai tjetër i saj, Manolo. Familja u vendos në Valladolid e aty qëndroi deri në fund të luftës.

Kur ndjeu thirrjen e Zotit, takoi themeluesin e Opus Dei-t

U kthye në Madrid më 1939. Guadalupe filloi të jepte mësim në shkollën e “Bienaventurada Virgen María” dhe në Liceun francez. Një të diel, në vitin 1944, ndërsa po ndiqte meshën, ndjeu fuqishëm thirrjen e Zotit. Kur u kthye në shtëpi, takoi një mik, të cilit i shprehu dëshirën për të folur me një meshtar. Ai i dha numrin e telefonit të don Josemarisë Escrivá.

Filloi kështu bashkëpunimi me themeluesin e Opus Dei-t. Përveç punës si mësuese e shkencave, Guadalupe impenjohet në promovimin e grave. Në Meksikë, ngriti një rezidencë për vajzat universitare e, nga ana tjetër, promovoi formimin kulturor e profesional të grave fshatare, që s’kishin ndjekur as shkollën fillore.

Mësuese, që kujdesej për të gjithë

Në Spanjë, drejtoi një rezidencë universitare për vajzat, u bë zv.drejtoreshë e “Escuela Femenina de Maestria industrial” dhe bashkëpunoi në themelimin e Qendrës Studimore Kërkimore në Shkencat Shtëpiake (CEICID), ku shërbeu si zv.drejtoreshë dhe si profesoreshë e kimisë tekstile. Në 8 vitet e kaluara në Meksikë, iu kushtua të varfërve dhe të moshuarve.

Por pasioni i saj mbeti shkenca. Nëse, nga njëra anë, ishte shumë e kujdesshme për ta ushqyer gjithnjë jetën e saj të krishterë, nga ana tjetër, i kushtonte një kohë të madhe përgatitjes serioze të mësimeve për studentët e saj. Guadalupe përpiqej gjithnjë të azhurnohej me të rejat e shkencës, për t’i pasqyruar sa më shumë në leksionet e saj.

Jeta e Guadalupes, shembull për të krishterët

“Jeta e Guadalupes na ndihmon të kuptojmë se duke iu kushtuar tërësisht Zotit, duke iu përgjigjur bujarisht thirrjes së Hyjit në çdo kohë, mund të jemi shumë të lumtur këtu në tokë e pastaj, edhe në qiell, ku do të jemi të lumtur përgjithmonë”, shpjegon imzot Fernando Ocáriz, prelat i Opus Dei-t. Ndërsa postulatori i çështjes së lumnimit, don Antonio Rodríguez de Rivera nënvizon se Guadalupe Ortiz de Landázuri ishte “grua e dashuruar me Zotin, plot fe e shpresë. Me punën dhe optimizmin e saj ndihmoi të tjerët në plotësimin e nevojave të tyre shpirtërore dhe materiale. Gëzimi, që buronte nga të gjitha veprimet e saj, ishte më se i dukshëm, edhe në gjendje shumë të vështira”.

19 maj 2019, 09:57