Cerca

Vatican News
 Shën Rita e Kashës Shën Rita e Kashës 

Shenjtja Ritë e Kashës, Pajtore qiellore e të pashpresëve, lutu për ne!

Kisha katolike përkujton Shën Ritën e Kashës, Pajtore e të pashpresëve. Ndërmjetësuese e përshtatshme për shumë njerëz kudo në botë, e edhe për shqiptarët, që vijojnë gjakmarrjen - nëna e shenjtë, e cila i dhuroi Zotit jetën e re të bijve të vet, vetëm e vetëm që të mos bëheshin gjakësorë.

R. SH. - Vatikan

Më 22 maj kalendari kishtar përkujton Shën Ritën nga Kashia, vejushë e rregulltare. Shën Rita është një shenjte, me jetë të jashtëzakonshme, së cilës Zoti i pati besuar edhe një mision të jashtëzakonshëm: të ndërmjetësojë pranë Tij për “të padermanët”, siç thuhet në gjuhën e popullit, të pashpresët, në gjuhën tonë të përditshme. Mund të jenë jo vetëm njerëz a familje, por edhe Kombe e popuj. T’i lutemi, prandaj,  të ndërmjetësojë për njërën palë – e edhe për tjetrën, kur nuk shikon asnjë rreze shprese në horizontin e së sotmes e as të së ardhmes!

Shën Rita nga Kashia, shenjta, e cila vijon të fitojë çdo ditë të devotshëm të ri, për shkak të hirit që ka marrë dhuratë nga Zoti, lindi më 1381 në Rokaporena, pranë Perugjës. U rrit në frikë të Zotit pranë prindërve të saj, në moshë të shkuar. I respektoi aq, sa për të përmbushur vullnetin e tyre, hoqi dorë nga jeta rregulltare, e cila i pëlqente aq shumë e u martua me Paolo Ferdinandin, njeri i tërbuar, që një ditë prej ditësh u gjet i vdekur në një hendek. Të bijtë, tashmë të rritur, u betuan t’ia marrin gjakun.

Rita bëri çmos t’i bindte të hiqnin dorë, por qe e pamundur. Atëherë iu lut me gjithë zemër Zotit t’ia marrë, më mirë se të bëhen gjakësorë. Lutja e saj, në këndvështrimin njerëzor krejt e pakuptueshme, u dëgjua. Djemtë i vdiqën.

Atëherë Rita hyri në kuvend e ia kushtoi veten lutjes e dashurisë për Krishtin e kryqëzuar, i cili ia shënoi mrekullisht fytyrën e vet me një gjemb në lule të ballit. E figura hyjnore i mbeti aty, deri në vdekje, në sa pas vdekjes trupi i saj mbeti si të ishte i gjallë.

Zoti, duke ia pranuar lutjen për të arritur të paarritshmen, e bëri Pajtore qiellore të gjithë atyre që vuajnë për shkaqe, në dukje pa rrugëdalje. Ndërmjetësuese e përshtatshme për shumë njerëz kudo në botë, e edhe për shqiptarët, që vijojnë gjakmarrjen - nëna e shenjtë, e cila i dhuroi Zotit jetën e re të bijve të vet, vetëm e vetëm që të mos bëheshin gjakësorë.

Çdo vit në Itali njerëzve që falin gjaqet u jepet çmimi “Shën Rita”. A nuk do të ishte e arsyeshme të jepej një çmim i tillë edhe në Shqipëri, ku vijon një fenomen tepër i pakuptueshëm për botën e qytetëruar, fenomeni i tmerrshëm i ngujimit nga frika e gjakmarrjes? 

Lutja Shën Ritës:

O Zot, ti që jeton në zemrat tona, me ndërmjetësimin e Shën Ritës, të lutemi për Shqipërinë e shqiptarët:

Ndihmoi ta njohin më mirë njëri-tjetrin, të kuptohen më shumë, të ndjehen të sigurt në trojet e tyre, t’i duan e të shqetësohen për to…;

të jenë të zotët të heshtin kur nuk duhet folur e të flasin, kur nuk duhet heshtur, që heshtja e gjatë të mos i bëjë të huaj për njëri-tjetrin;

çliroi nga pretendimi për t’ua imponuar të tjerëve mënyrën e vet të të menduarit e të të jetuarit;

nëpër ndërmjetësi të Shën Ritës, fali, kur harrojnë se janë Bijtë e miqtë e Tu, e jetojnë nën strehët e tyre, sikur ti, o Zot, të mos ishe;

 largoje prej tyre egoizmin e frikën, që ua  mbyllin zemrat e i bëjnë të mendojnë vetëm për vete, duke i harruar deri familjarët!

Me ndërmjetësi të Shenjtores të të pashpresëve, mbaji të bashkuar përgjithmonë rreth Kishës Sate, për të parë fytyrën Tënde e gëzimin tënd, që nuk mund të krahasohen me asnjë gëzim tjetër!

22 maj 2019, 12:03