Kërko

Vatican News
 Procesioni kushtuar Zojës së Malit të Karmelit, në Haifa Procesioni kushtuar Zojës së Malit të Karmelit, në Haifa 

Pas Zojës së Bekuar, një ditë maji, mbi Malin e Karmelit

Pesë mijë të krishterë morën pjesë, dje pasdite, në Haifa, në procesionin tradicional për nder të Zojës së Malit të Karmelit, që në gjuhën popullore quhet Taalat al-Adra, “Ngjitja e Virgjërës”. Ngjarje, që përsëritet qysh prej 100 vjetësh.

R. SH. - Vatikan

Gjatë shtegut prej dy kilometrash e gjysëm, që nis nga famullia latine e Haifës e përfundon në manastirin karmelitan “Ylli i Detit”,  paraprirë nga skuadrat e skautëve, ardhur nga i gjithë vendi, besimtarë të të gjitha riteve ecën pa e ndjerë fare lodhjen, duke thënë uratë e duke  kënduar himne, për të mbërritur mbi malin e Karmelit, ku i priste Zoja. Këndonin pleq e të rijnj, sivjet të intonuar nga  universitarët dhe grupet fokolarine e karizmatike. Ndërmjet tyre, edhe një kor i ardhur nga Beit Sahur. Ushtoi Mali i Zojës së Bekuar nga zërat rinore, ndërsa kënga bëhej lutje e lutja, këngë.

Në procesion, edhe hebrenjtë e myslimanët

Morën pjesë, në këtë akt publik të devocioni ndaj Virgjërës Mari, edhe qindra punëtorë imigrantë filipinë, indianë e afrikanë, së bashku me shtegtarët e ardhur nga Evropa, ndërsa gjatë kalimit, me procesionin, të cilit i paraprinin autoritetet më të larta kishtare, bashkoheshin edhe  hebrenj e myslimanë.

Më 1919, procesioni i parë , për ta ngjitur Zojën në manastir

“Ngjitja e Zojës së Bekuar”, është gjest devocioni popullor, me rrënjë në një ngjarje të jetuar në Tokën Shenjte. Në kohët Luftës I Botërore turqit u patën dhënë etërve karmelitanë vetëm tri orë kohë për t’u larguar nga manastiri mbi Malin e Karmelit. Ata u detyruan të largoheshin, duke marrë me vete vetëm ndonjë dokument arkivi e, doemos, shtatoren e Zojës, që nuk mund ta braktisnin në duar të huaja. Pas luftës, më 1919, u organizua procesioni i parë,  për ta “ngjitur në shtëpi të vet” Zojën e manastirit. Çast falënderimi drejtuar Zotit - ky - në emër të Zojës, pa të cilën Mali i Karmelit dukej i shkretë! Asokohe shtegtarët ishin edhe më të shumtë. Sot janë pakësuar, për shkak të kufizimit të lirisë së lëvizjes. T’i lutemi, prandaj Zojës, t’u nxjerrë gjithë njerëzve hirin të qarkullojnë lirisht në të gjitha shtigjet e kësaj bote. E të mund të ngjitemi edhe ne, sot simbolikisht, mbi këtë Mal, për t’u takuar me Zojën, duke ecur mbi gjurmët e Asaj, që thirret “Zëmbaku i bardhë i Karmelit”.

06 maj 2019, 16:47