Kërko

 Motrat e Nënë Terezes, në  pritje të Papës, në Bullgari Motrat e Nënë Terezes, në pritje të Papës, në Bullgari 

Kisha në Bullgari

Kisha në Bullgari, nga zanafilla, tek vizita e sotme e Papës Françesku

R. SH. - Vatikan

Shekulli IX-XVIII

Zanafilla e Kishës në Bullgari duhet kërkuar ndërmjet bashkësive të para të krishtera, të pranishme në Ballkan në shekujt e parë të krishterimit. Ngjarje kryesore, në këtë fazë, është botimi i Ediktit të Serdikës (Sofja aktuale) me të cilin, më 30 prill 331, Perandori Galerio i jepte krishterimit statusin e kultit të pranuar nga Perandoria Romake, dy vjet para Ediktit më të njohur të Milanos nga ana e Kostandinit (313). Të krishterët e parë, të pranishëm  në këto troje, bashkëjetuan me përfaqësuesit e  feve të tjera deri në shekullin IX, kur, pas Khanit (mbretit) të bullgarëve, Boris I (865), popullsia bullgare dhe sllave e Mbretërisë u kthye masivisht në fenë e krishterë. Në këtë periudhë  nisi të përdorej alfabeti glagolitik, i përhapur nga Shenjtorët  Çirili e Metodi,  nga i cili  vjen edhe alfabeti i sotëm çirilik. Pas skizmës së madhe të Lindjes, më 1054, Kisha bullgare kaloi në anën e ortodoksisë, duke hyrë në orbitën e Kostandinopojës, ndërsa bashkësia katolike rifilloi jetën e saj në gjashtëqindën, gjatë pushtimit otoman, nisur në shekullin XIV, falë misionarëve françeskanë, të ardhur nga Bosnja, që i kthyen në katolicizmin romak disa bullgarë, trashigimtare e të cilëve është sot bashkësia katolike e ritit latin në vend.

Shekulli XIX: Roli i Kishës në rilindjen e Kombit Bullgar

Në vitin 1861, pas bashkimit me Romën të disa ipeshkvijve ortodoksë, që dëshironin të shkëputeshin nga Kostandinopoja e të krijonin hjerarkinë e pavarur kishtare, katolikëve romakë u shtohen edhe ata të ritit bizantin. Ndonëse pakicë, edhe Kisha katolike luajti një rol të rëndësishëm në rilindjen e Kombit bullgar, pas përpjekjeve për t’u çliruar nga zgjedha otomane, që mori fund në vitin 1908, me fitoren e  pavarësisë.

Shekulli XX – 1925-1934- riorganizimi i Kishës bullgare nga ana e imzot Angelo Roncallit

Ndërmjet dy luftërave, Kisha katolike nisi të zhvillohej vrullshëm e të fitonte  autoritet të paparë. E gjithë kjo, falë imzot Angelo Roncallit (Papa i ardhshëm Gjoni XXIII, i dërguar në Bullgari me cilësinë e vizitatorit apostolik, në vitin 1925. Ishte i pari Delegat Apostolik, që qëndroi në vend nga viti 1931, deri në vitin 1934. Cilësia e lartë e shërbimeve të ofruara nga Kisha katolike (shkolla, spitale, jetimore) i dha një shtytje të paparë dhe thirrjeve meshtarake. Edhe shtypi katolik nisi të ndikojë shumë mbi popullsinë, me të përjavshmen e ipeshkvijve “Istina”(E Vërteta - 1925-1949) e me almanakun  “Kiril i Metodi”(1918-1952). Si Delegat apostolik, Imzot Roncalli dha një ndihmesë të shquar në riorganizimin e Kishës bullgare dhe të qarqeve kishtare, duke siguruar bashkimin e besimtarëve të ritit bizantin në një Ekzarkat, me seli në Sofje. Po ai themeloi edhe  seminarin dy-ritual në Sofje, besuar Jezuitëve(1934).

Vitet 1949-1990- nga shtypja e regjimit komunist, në rikthimin e lirisë fetare

Gjatë regjimit komunist në Bullgari, Kisha ortodokse ishte nën kontroll të rreptë, ndërsa katolikët pësuan të gjitha llojet e persekutimeve e të poshtërimeve. Qeveria i shkëputi marrëdhëniet diplomatike me Selinë e Shenjtë (1949), zhduku hjerarkinë kishtare dhe i ndaloi të gjitha shoqëritë fetare. Në vitin 1952, 40 klerikë të Kishës Katolike u dënuan  me akuzën e rreme të bashkëpunimit me shtetet perëndimore për të përmbysur qeverinë. Ndërmjet tyre, imzot Evgeni Bossilkov, ipeshkëv i Nicopolit, lumnuar nga Gjon Pali II, në vitin 1998, si dhe meshtarët asuncionistë, Kamen Vitchev, Paval Xhixhov e Jozafat Çiçkov, pushkatuar më 11 nëntor 1952, në burgun e Sofjes.

Në vitet 1910-2012, pas shembjes së regjimit komunist, Bullgaria i rilidhi marrëdhëniet diplomatike me Selinë e Shenjtë (6 dhjetor 1990) dhe rifitoi lirinë fetare. Më 23 deri më 26 maj 2002, Gjon Pali II, gjatë vizitës në Bullgari, u takua me Patrikun Maxim dhe me Sinodin e Shenjtë të Kishës ortodokse bullgare dhe, më 26 maj, në Plovdiv, shpalli të lum meshtarët e martirizuar, Kamen Vitchev, Paval Xhixhov dhe Jozafat Çiçkov.

Kisha në Bullgari sot

Katolikët në Bullgari sot përfaqësojnë rreth 1,1% të popullsisë, në gjirin e shumicës ortodokse (76%) e protestante (1%). Shumica janë të etnisë bullgare, por nuk mungojnë as nga etnitë e tjera. Janë të ritit latin e atij  sllavo-bizantin, shumë të bashkuar njëri me tjetrin. Kisha është e pranishme me dy dioqeza latine (Sofje dhe Filippopoli dhe Nicopoli) dhe një ekzarkat apostolik (Sofje) të drejtuar nga ipeshkvijtë e rritur gjatë regjimit komunist.

Marrëdhëniet ekumenike e ndërfetare në Bullgari janë të mira e shqetësimi i tyre i përbashkët është shekullarizimi, që vijon të përhapet me shpejtësi  në shoqërinë bullgare si dhe aktivizimi i disa lëvizjeve nacionaliste, që  vënë në shënjestër posaçërisht bashkësinë islamike. Më 2018 u miratua Ligji i ri mbi kultet, që modifikoi pengesat krijuar meshtarëve të huaj e, posaçërisht, kontrollin e plotë mbi të gjitha konfesionet nga ana e Drejtorisë për kultet.

05 maj 2019, 10:59