Kërko

Monsinjor Nikollë Mini Monsinjor Nikollë Mini 

Monsinjor Nikollë Mini në përvjetorin e vdekjes

Figurë poliedrike, dom Mini u dallua si meshtar i zellshëm, si ndërtues kishash, organizator i rinisë katolike, publicist, autor i fletëpalosjes "Zani i Zojës së Crnagorës" dhe i katekizmit me titull "Besimi katolik", themelues, bashkë me Imzot Prelën, i revistës fetare-kulturore "Drita". Ishte për shumë kohë edhe këshilltar dioqezan. Në vitet 1967-69 e kreu detyrën e Delegatit ipeshkëvnor i dioqezës. Dom Nikolla ishte i afërm i Nënës Terezë, nga ana e babës.

R.SH. - Vatikan

Kujtojmë sot përvjetorin e vdekjes së Monsinjor Nikollë Minit, famullitarit të Katedrales së Zojës Ndihmtare në Prizren. Meshtari dom Nikollë Mini, kapelan i Shenjtërisë së Tij, Papës Palit VI, lindi më 9 korrik 1924, në Ferizaj. Ishte më i vogli ndër katër fëmijët, që Zoti u fali prindërve, Kolë Mini dhe Monika Kajtazi. Shumë shpejt mbeti jetim dhe iu desh të strehohej në dyert e të afërmve. Fëmijë i mençur, jashtëzakonisht i shkathët, tërhoqi vëmendjen e meshtarëve vendas, që e përcollën në seminarin e Prizrenit e pastaj në Seminarin e Shkodrës e të Zagrebit, ku kreu studimet filozofike e teologjike.

U shugurua meshtar njëherësh me dom Milorad Defarin, misionar kroat i mirënjohur ndërmjet shqiptarëve me emrin dom Mila, në vitin 1950. Dom Nikoll Mini meshën e parë e kremtoi në Shkup, me 2 korrik 1950. Nisi menjëherë shërbimin meshtarak kudo e kërkoi Kisha: nga Shenjtnorja e Zojës së Crnagorës në fshatin Letnicë, në Novoselë të Gjakovës, në Bec, Zym, Velezhë e në Kishën Katedrale të Prizrenit, ku mbylli sytë, si sot më 15 maj 1992 në elter, ndërsa kremtonte Meshën Shenjte, duke vulosur kështu përkushtimin themelor ndaj Zotit e popullit, në shërbim të Kishës e të Atdheut, për çka ishte përpjekur gjithë jetën.

Figurë poliedrike, Monsinjor Mini u dallua si meshtar i zellshëm, si ndërtues kishash, organizator i rinisë katolike, mjeshtër i korit kishtar, gojëtar, publicist, autor i fletëpalosjes "Zani i Zojës së Crnagorës" dhe i katekizmit me titull "Besimi katolik", themelues, bashkë me Imzot Nikë Prelën, i revistës fetare-kulturore "Drita" e cila më vonë pati edhe shtëpinë e vet botuese prej nga dolën shumë botime të reja. Ishte për shumë kohë edhe këshilltar dioqezan. Në vitet 1967-69 e kreu detyrën e Delegatit ipeshkëvnor të dioqezës Shup-Prizren.

Një diçka që jo të gjithë e dinë, është lidhja familjare që dom Nikollë Mini kishte me Nënë Terezën – Ganxhe Bojaxhiu, pra ai ishte i afërm i Nënës Terezë, nga ana e babës. E çdo herë që vizitoi Kosovën, Nënë Tereza shkonte për një vizitë familjare te dom Nikollë Mini.

Dom Nikolla tërë jetën e vet u mundua t’ua tregonte njerëzve udhën kah e vërteta, e drejta dhe jeta autentike, në paqe në Zotin. Në përvjetorin e vdekjes po e kujtojmë si njeri që jetoi për Zotin e me Zotin, për popullin e me popullin; si meshtar që jetoi për elterin e mbylli sytë në eltër, duke lënë kështu gjurmë të pashlyeshme në jetën e Kishës e të kulturës shqiptare, si model që meriton të ndiqet nga breznitë e reja.

15 maj 2019, 13:01