Kërko

 Martire, në emër të Krishtit e të afërmit Martire, në emër të Krishtit e të afërmit 

Motra spanjolle e vrarë në Afrikë: “Një grua më shumë, që dhuron jetën"

Dje, gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin Shën Pjetrit, në Vatikan, gjatë përshëndetjes së shtegtarëve të gjuhës franceze, Papa kujtoi misionaren spanjolle Ines Nieves Sancho, vrarë barbarisht në fshatin Nola, në Afrikën Qendrore. Po kush ishte Ines? “Një grua më shumë, ndërmjet atyre, që dhuruan jetën për Jezusin, në shërbim të të varfërve” - pohoi, i prekur thellë Papa.

R. SH. - Vatikan

Imcake, e njerëzishme, absolutisht paqësore. Kështu e përshkruajnë të gjithë ata, që e njohën. Rregulltarja, 77 vjeçe, u gjend me kokë të prerë, të hënën e kaluar, në fshatin Nola të dioqezës së Berberatit, në Republikën e Afrikës Qendrore, pikërisht në lokalet, ku jepte mësimin e rrobaqepësisë, duke i mësuar vajzat afrikane të jetojnë më mirë. Trupi i saj - sipas L’Osservatore Romano – ishte copëtuar, si prej varcakut të ndonjë kasapi!

Prej vitesh punonte për t’i formuar vajzat vendase

Motra Ines i përkiste bashkësisë së vogël vendase të Bijave të Jezusit. Prej vitesh punonte në vendbanimin e madh të Prefekturës së Sangha-Mbaéré, në jugperëndim të Republikës së Afrikës Qendrore, në kufi me Kamerunin. Këtu e jetonte, me një pasion të rrallë, çdo ditë, ndërmjet pallateve e barakave, duke vijuar të japë kontributin e saj edhe atëherë, kur gjithkush çuditej me pasionin e motrës së shkuar nga mosha, që punonte si të ishte vajzë e re. “E pashë për Pashkë - tregon motra Elvira Tutolo e Motrave të Bamirësisë të Shën Giovanna Antida Thouret, prej 18 vjetësh me mision ndër viset afrikane, në Berberati. - E, ndonëse në moshë për të pushuar, nuk i shkonte as nëpër mend të largohej nga vendi i misionit.

Vrasje, ndoshta, e lidhur me trafikun e organeve

Në natën ndërmjet së dielës e së hënes, disa të panjohur hynë në dhomën e saj, e kapën dhe e zvarrisën pikërisht në lokalet ku jepte mësimet e rrobaqepësisë. Ndoshta vend simbolik për agresorët! Këtu ia prenë kokën. Shkaqet e kësaj mizorie të pashoqe, nuk dihen akoma. Askush nuk e ka marrë deri tani mbi vete autorësinë e krimit. Ndonëse vendi ku u krye, mund të flasë vetë. E madje ka shumë mundësi që kjo vrasje të ketë lidhje me tregtinë e organeve njerëzore. Shpesh ky tip veprimi konsiderohet si rit magjik, që ndihmon për të siguruar fitime, sidomos nga kërkimi i diamanteve. Ndodh që vetë prindërit e mbysin ndonjërin nga fëmijët, ose  kryejnë veprime kundër natyrës, për të pasur përfitimet e dëshiruara. Është praktikë, që vjen nga Kameruni i afërt, jo rastësisht, cak i preferuar i kësaj tregtie të ndyrë. Deputeti Jean Marc Ndoukou akuzon autoritetet vendase, duke theksuar se nuk bëjnë asnjë herë përpjekjet e duhura për t’i sqaruar me fund krime të tilla, për t’i dënuar fajtorët.

Të nesërmen e ngjarjes, simotrat e rregulltares kremtuan një mbrëmësore lutjeje. Mesha e dritës u kremtua sot paradite. Tani motra Ines pushon në paqe në Afrikën e saj, nga e cila nuk deshi kurrë të largohej!

22 maj 2019, 18:03