Vatican News
Maria Maria 

Meditim për “Madhështinë e Marisë”, në ditën e parë të majit

Një tufë me trëndafilë, për Marinë, në ditën e parë të majit, që i kushtohet!

R. SH. - Vatikan

Sot, në ditën e parë të majit, nisim të flasim në mënyrë të veçantë për Marinë. Por, sado të flasësh për Marinë, nuk mjafton; sado ta lavdërosh, nuk është shumë, sado t’i lutesh, nuk është tepër… Ajo është dritë e rrezes së amshuar; gurrë e gjallë, që  gurgullon në vërrije të blerta të qiellit, Grua e folme prej amshimit…

Duke e kujtuar, sot mund të brohorasim, me Apostullin: “Syri nuk i pa, as veshi nuk i dëgjoi, as kurrë nuk hynë në zemër të njeriu bukuritë, madhështitë, lartësitë e Marisë, mrekulli e mrekullive të hirit, të natyrës e të vetë lavdisë. Nëse dëshiron ta kuptosh Nënën, njih Birin. Është nëna e denjë e Hyjit! E këtu çdo fjalë, që del nga goja jonë, tingëllon krejt e tepërt.

Shenjtorët thanë mrekulli për këtë Nënë të shenjtë të Hyjit; ata vetë tregojnë se nuk u ndjenë kurrë më të lum, e më gojëtarë, sesa kur folën për të. Pohojnë, kështu, se fisnikëria e meritave, që ajo vetë i lartoi deri në fronin e Hyjnisë, nuk mund të merret me mend: se pafundësia e dashurisë, që ajo e shtriu përtej kufijve të tokës, nuk mund të llogaritet; se madhështia e pushtetit të saj, që ndikon deri mbi vetë Hyjin, nuk mund të matet; e se, së fundi, thellësia e përvujtërisë së saj dhe e të gjitha virtyteve e hireve të saj, si të ishte hon, nuk mund të hetohet.

O lartësi e pakuptueshme! O pafundësi e pashprehshme! O madhështi e pamatshme! O hon i padepërtueshëm!   Çdo ditë, nga një skaj i tokës, në tjetrin, prej më të lartit qiell e deri në humnerat e thella, gjithçka predikon, gjithçka shpall pambarimisht mrekullitë e Marisë. Nëntë koret e engjëjve, burra e gra, të çdo moshe, shtrese, feje, të mirë e të këqij, e deri demonët, detyrohen ta shpallin të lume, deshën s’deshën, të detyruar nga vetë e vërteta. Mbarë aradhet e engjëjve të qiellit - thotë Shën Bonaventura - shpallin pa pushim: “e Shenjtë, e Shenjtë, e Shenjtë është Maria, Virgjër e Nënë e Hyjit”. E miliona e miliona herë në ditë, i drejtojnë përshëndetjen engjëllore; “Të falemi Mari…” . T’ia drejtojmë edhe ne këtë përshëndetje, në çdo agim të majit!

(Tekst i frymëzuar nga Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë, vepër e Shën Luigjit Maria Grignion de Monfort)

01 maj 2019, 13:02