Lumnimi i Guadalupe Ortiz në  Madrid Lumnimi i Guadalupe Ortiz në Madrid 

Lumnohet Maria Guadalupe Ortiz, shembull i shenjtërisë së thjeshtë

Mësuese kimie e misionare në Meksiko, pas takimit prekës me Shën Josemaria Escrivà, e Lumja e re, Maria Guadalupe Ortiz, është e para laike e Opus Dei, që lartohet në nderimet e altarit në Madrid. Në kremtim, Papën e përfaqësoi Prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Angelo Becciu.

R. SH. - Vatikan

Një Shenjtore krejt e thjeshtë lartohet në altar, falë djersës që derdhi për njeriun, në emër të Zotit, kënaqësisë që i fali kjo djersë, buzëqeshjes që i lulëzonte gjithnjë në buzë, durimit të jashtëzakonshëm me të cilin e përballoi sëmundjen e vdekjen. Kjo është Maria Guadalupe Ortiz de Landazuri, e Lumja e re e cila, që në mituri, vendosi të jetonte duke e vënë Krishtin ne qendër të botës së saj, sepse “nuk mund të jesh i krishterë, kur shikon çdo çast orën”- thoshte - siç e kujtoi edhe kardinali Angelo Becciu, Prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve:

“I krishteri i vërtetë nuk kufizohet me minutat, që i kalon në Kishë - mendonte e Lumja - në Kishë gjunjëzohesh në lutje dhe provon bashkimin e mrekullueshëm me Zotin, bashkim të cilin, pastaj, e jeton gjatë gjithë ditës, pa të shkuar as nëpër mend të shikosh orën”.

Shën Josemaria, ati i dytë i së Lumes

Një shenjt, për shok udhe! Një shenjt, që të zëvendëson babain e pushkatuar! Një shenjt, që ta ndryshon udhën e jetës. Kështu ishte, për të Lumen e re, Shën Josemaria. E edukuar në fe qysh e vogël, Maria Guadalupe u rrit si e krishterë e mirë, plot me forcë shpirtërore e me  guxim, të cilin e trashëgoi nga i ati, ushtarak. Po shenjtëria është gjë tjetër! E mbetur shumë shpejt jetime, në vitin 1944 u takua me Josemaria Escrivà. E ndjeu fuqimisht se “ishte prekur thellësisht nga feja”. Takimi me të ia ndryshoi krejtësisht jetën. Nisi të frekuentojë qendrën e parë femërore të Opus Dei, ku zbuloi se mund ta donte e ta lumnonte Zotin në të përditshmen, në punën e zakonshme. Pas pak vitesh Ati shpirtëror i besoi aq, sa ta dërgonte si misionare në Meksikë, për të ndërtuar shtëpinë e re  e për t’ua çuar misionin e Opus Dei edhe këtyre popullsive. U nis  menjëherë. E, kur arriti, gjeti një copë truall të shkretë, të mbushur me gjemba, të harruar nga gjithë bota. Kushdo do të kishte ikur me vrap nga kjo tokë, që nuk premtonte asgjë të mirë. Po ajo, jo! Nuk iku! Përkundrazi,  shpërvoli mëngët e, në letërkëmbim të vazhdueshëm me Themeluesin,  arriti t’i shndërronte ferrat në qendër për studentët universitarë. E sot arriti një cak edhe më të lartë: atë të Lumnimit!

Lidhja e veçantë me vdekjen

Jeta nuk i kurseu asgjë Maria Guadalupes e cila, pa i mbushur ende mirë 20 vjetët, ndjeu çikjen e vdekjes, që ia rrëmbeu nga duart njerëzit më të dashur. Por takimi me vdekjen nuk e mposhti, përkundrazi, ia çelnikosi shpirtin. Duke ndenjur pranë të atit, para se të pushkatohej, gjatë luftës civile spanjolle, ajo  u përgatit shpirtërisht për takimin me Zotin. Përgatitje që u thellua nga humbja e babait të dytë kur, më 1975, mbylli sytë për dritën e kësaj bote edhe Josemaria. Ajo, asokohe shumë e sëmurë, e ndoqi pas një muaj më vonë.

Për ta ndjekur pas edhe në nderimet e altarit, dje, në Madrid!

19 maj 2019, 12:30