Gesù Risorto e gli apostoli - pesca-miracolosa Vangelo della domenica Gesù Risorto e gli apostoli - pesca-miracolosa Vangelo della domenica 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të të kohës së Pashkëve ‘C’

Në këtë Diele të Tretë të Pashkëve, Ungjilli na paraqet për të tretën herë Jezusin e Ngjallur, që u shfaqet dishepujve të tij. leximet biblike e në mënyrë të veçantë Ungjilli, vazhdon të na tregojë përjetimin, eksperiencës e Pashkëve, takimin me Krishtin e Ngjallur.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së Dielës, kësaj here do të meditojmë leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore të Dielës së 3-të Pashkëve, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të të Pashkëve “C”

Koha e Pashkëve karakterizohet nga shfaqjet e Krishtit të Ngjallur. Jezusi u paraqitet disa herë apostujve. Dhe ndërsa ata ende dyshojnë dhe duket se duan të rikthehen nё jetёn e tyre tё mëparshme, nё punёn e tyre tё dikurshme, Jezusi vazhdon t’i kërkojë dhe t'ua mbush mendjen qё të besojnё me dashuri të madhe dhe mirëkuptim. Pra, tema që mbizotëron liturgjinë e kohës së Pashkëve është prezenca e Jezusit Ngjallur. Kjo është e vetmja gjë që na intereson e që ka rëndësi, sepse kemi nevojë për Të. Vetëm për Të. 

Krishti Ngjallur është i pranishëm në histori, ndërhyn realisht në ngjarjet njerëzore e sidomos atëherë kur “peshkimi” është i pafrytshëm, atëherë kur punët nuk ecin për së mbari, atëherë kur gjendemi me duar thatë, pas mundimit të bërë për të arritur diçka, atëherë kur mbyllemi në vetmitë tona absurde, duke harruar premtimin e Tij, se është me ne gjithmonë.

Leximet biblike të kësaj sё diele të III të Pashkëve, na paraqesin eksperiencës e Pashkëve, takimin e apostujve me Krishtin e Ngjallur, i cili ua përsërit thirrjen e tij për t’u bërё peshkatarë njerëzish, përhapës tё Lajmit tё Mirё.  Pjesa e Ungjillit tё kësaj së diele nga Gjon Ungjilltar (Gjn 21,1-19), na tregon për dëftimin e tretë të Jezusit të Ngjallur në liqe, në vendin dhe gjatë punës së zakonshme të nxënësve të vet, derisa ata po peshkonin.

Me gjeste të thjeshta e të përditshëm Krishti Gjallë u mundëson të vetëve ta njohin se kush është Ai dhe i bën protagonistë, në role të ndryshme: kështu grupi i apostujve përjeton një peshkim tё papritur, të mrekullueshëm, të jashtëzakonshëm, e nxënësi i dashur (shën Gjoni) e kupton se Njeriu në bregun e liqenit është Zotëria JEZUS, shën Pjetri do të arrijë i pari, përmes notimit, tek Ai, e të gjithë përfitojnë nga shoqërimi dhe prezenca e Tij e ëmbël dhe e këndshëm, gjatë drekës.

Të përforcuar nga përjetimi i Krishtit tё Gjallё e të frymëzuar nga Shpirti Shenjt, Pjetri e apostujt tjerë nuk sprapsen para kërcënimeve që merrnin nga autoritetet e larta civile e politiko-fetare judaike tё asaj kohe. Njerëz të thjeshtë e në dukje të parë jo të përgatitur, apostujt u bëjnë ballë dhe qëndrojnë trimërisht para autoriteteve supreme Judaike. 

Kështu, Leximet Biblike të kësaj së diele na paraqesin dëshminë apostolike për Krishtin e Ngjallur, na tregojnë për predikimin e tyre guximtar para autoriteteve civile të kohës, duke ripohuar fenë në Hyjin e Gjallë dhe Veprues, që ua ka besuar misionin e Tij Hyjnor për të ruajtur grigjën, për tё kullotur e udhëhequr popullit udhёs sё jetёs.

Sikur Pjetrit atë kohë, edhe neve sot, Jezusi na bën të njëjtën pyetje: “A më do ti mua?” E sikur nga Pjetri mori njё përgjigje dashurie, dhe atë e bëri udhëheqës e bari shpirtëror të të gjithë besimtarëve, poashtu sot Jezusi pret përgjigjen tonë personale nё pyetjen: “A më do ti mua?” Kjo do të thotë se dashuria është gjithçka, se është çdo gjë në jetë: dashuria është fillimi, është forca, është mënyra, është sekreti i suksesit, është arsyeja e vetme për të cilën ia vlen të jetosh, të vuash, të veprosh, të pësosh, të qëndrosh, të shpenzosh të gjitha fuqitë shpirtërore e njerëzore.

Dashuria na sjell drejt e në zemër të Zotit dhe në zemër të të afërmit tonë.  Gjithmonë e në çdo çast, duhet ta duam Zotin e të afërmin: Zotin “me gjithë zemër, me gjithë shpirt, me gjithë mendje”, e të “afërmin porsi vetveten”. (Mt 22,37.39). “Këtë – thotë shën Augustini – duhet gjithmonë ta mendoni, ta meditoni, ta zbatoni e mishëroni.” “Ti, zbatoje dashurinë duke filluar nga i afërmi, me të cilin udhëton; kështu do të mbërrish tek Ai (Jezusi) me të cilin dëshiron të jesh përgjithmonë” .

                                                          Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Vap 5, 27-32. 40-41

Pjetri me shumë çiltërsi, rrëfen para Sinedrit besimin e vet në Krishtin e ringjallur. Ishte e nevojshme të tregohej vdekja dhe ringjallja e Krishtit me terma që të kujtonin personin e Moisiut. Në fakt Pjetri e ka rinjohur Jezusin si “Prijës dhe Shëlbues”; tituj të tillë i ishin dhënë edhe Moisiut. Si njëri, ashtu edhe tjetri janë bërë kryetarë dhe shpëtimtarë të popullit edhe pse kanë qenë mohuar nga populli.

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në ato ditë, i sollën apostujt e i qitën para Këshillit të Lartë. Kryeprifti i pyeti: “Po a nuk ju kemi urdhëruar zyrtarisht që të mos mësoni më në atë Emër? Dhe, ja, ju e keni mbushur mbarë Jerusalemin me mësimin tuaj dhe doni ta ngarkoni mbi ne gjakun e atij njeriu.”

Pjetri dhe apostuj përgjigjën: “Duhet më tepër të dëgjohet Hyji se sa njerëzit. Hyji i etërve tanë e ngjalli Jezusin të cilin ju e vratë duke e gozhduar në kryq. Ky është ai, që Hyji me të djathtën e vet e lartësoi dhe e bëri Prijës e Shëlbues për t’i dhuruar Izraelit hirin e kthimit e faljen e mëkateve. Për këto ngajarje jemi dëshmitarë ne dhe Shpirti Shenjt, të cilin ua dha Hyji atyre që i nënshtrohen.”

I thirrën apostujt, i rrahën me frushkull, u urdhëruan që të mos flasin më në Emër të Jezusit dhe i lëshuan. Apostujt e lëshuan Këshillin plot gëzim pse qenë çmuar të denjë të durojnë ndonjë fyerje për nder të emrit të Jezusit. Dhe çdo ditë, si në Tempull ashtu edhe në shtëpi, nuk pushonin duke mësuar e shpallur Lajmin e mirë mbi Jezusin Mesi.  Fjala e Zotit.

Psalmi 30

Të madhëroj, o Zot, pse më shpëtove

--- --- ---

O Zot, Hyji im,

unë të thirra e ti më shërove,

ti, o Zot, ma nxore shpirtin nga nëntoka,

më ktheve në jetë që të mos zbres në varr.

--- --- ---

Këndoni Zotit ju, o besimtarët e tij,

falënderojeni Emrin e shenjtë të tij!

Sepse një çast zgjat hidhërimi i tij,

e tërë jetën dashamirësia e tij!

Mbrëmja vjen me lot, e mëngjesi plot hare!

--- --- ---

Më dëgjoi Zoti e pati mëshirë për mua,

Zoti u bë ndihmëtari im.

Ti vajin ma ktheve në valle,

ma zhgjeshe grathoren time e më ngjeshe me hare.

O Zot, Hyji im, do të të lavdëroj për amshim!

--- --- ---

Leximi i dytë Zb 5, 11-14

Një turmë e madhe që i brohoret Qengjit që i ka shpëtuar është imazhi i asaj që ndodh në Qiell. Një shenjë e kësaj asambleje festive është për ne Eukaristia që duhet të kremtojmë me më shumë entuziazëm dhe bindje. Hyji është pronari i vërtetë i historisë: nuk është një që mbizotëron, por një qengj i therur.

Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull

Unë, Gjoni, në vegim dëgjova zëra shumë engjëjsh përreth fronit, gjallorëve dhe udhëheqësve. Ishin dhjetë, mijëra dhjetë mijërash e mijëra mijërash. Brohorisnin me zë të lartë: “I denjë është Qengji i prerë të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!”

Dhe çdo krijesë që është në qiell e në tokë, në nëntokë e në det, të gjitha në to dhe mbi to i dëgjova duke thënë: “Atij që rri në fron dhe Qengjit: bekim, nder e pushtet në shekuj të shekujve!” Kurse katër gjallorët thoshin: “Amen!” – ndërsa udhëheqësit ranë përmbys e adhuruan. Fjala e Zotit.

 

ALELUJA, aleluja.

U ngjall Jezu Krishti, dhe i shëlboi

njerëzit në mëshirën e vet.

Aleluja

 

Ungjilli Gjn 21, 1-19

Jezusi është në bregun e detit të Galilesë, simbol i amshimit, ndërsa nxënësit e tij gjenden në det në vështirësi e në rrezik. Nuk e njohin menjëherë Jezusin. Vetëm besimi mund t’i ndihmojë ta njohin. Jezusi vetë përgatit drekën dhe ha me ta pas peshkimit të mrekullueshëm. Pastaj ripohon Pjetrin, i cili e pati mohuar, si bariun kryesor të grigjës.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi prapë iu dëftua nxënësve në breg të detit të Tiberiadit. U dëftua kështu. Ishin bashkë Simon-Pjetri, Toma që quhet Binjak, Natanaeli nga Kana e Galilesë, bijtë e Zebedeut dhe dy tjerë prej nxënësve të tij.

U tha Simon-Pjetri: “Po shkoj të gjuaj peshk.” “Po vijmë edhe ne me ty!” – i thanë ata. U nisën, pra, e hynë në lundër, por atë natë nuk zunë asgjë. Kur zbardhi drita, qe, Jezusi në breg. Nxënësit nuk dinin se ishte Jezusi. Jezusi u tha: “Djelmosha, a keni ndopak peshk?” “Jo!” – përgjigjën ata. Ai u tha: “Qitni rrjetën në anë e djathtë të lundrës e do të gjeni!” Ata e hodhën e nuk mund ta nxirrnin, aq u ngarkua me peshk.

Atëherë ai nxënësi, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: “Është Zotëria!” Simon-Pjetri, si dëgjoi se është Zotëria, u mbështoll me petkun e sipërm – sepse ishte i zhveshur – dhe u hodh në det. Nxënësit tjerë erdhën me lundër duke hequr rrjetën me peshk. Sepse nuk ishin larg bregut – kund dyqind kutë. Si dolën në tokë, panë zjarrin me prush e mbi të peshk, dhe bukë. Jezusi u tha: “Bini ndonjë nga peshqit që zutë tani!”

Atëherë Simon-Pjetri hypi në lundër, e nxori në tokë rrjetën plot me peshk: njëqind e pesëdhjetë e tre peshq të mëdhenj. Dhe, megjithëse ishin aq shumë, prapë nuk u shqye rrjeta. Jezusi u tha: “Ejani e hani!” Askush prej nxënësve nuk pati guxim ta pyesë: “Kush je ti?”, sepse e dinin mirë se ishte Zotëria. Jezusi u afrua, mori bukën e ua dha. Po ashtu edhe peshkun. Ishte kjo hera e tretë që Jezusi u dëftua nxënësve të vet pasi u ngjall së vdekuri.

Pasi hëngrën mëngjesin, Jezusi e pyeti Simon-Pjetrin: “Simon Gjoni, a më do ti më shumë se këta?” “Po, Zotëri – i përgjigji – Ti e di se të dua!” “Kulloti qengjat e mi!” – i tha Jezusi. Prapë e pyeti të dytën herë: “Simon Gjoni, a më do ti mua?” “Po, Zotëri, ti e di se të dua!” – i përgjigji Pjetri. “Kulloti delet e mia!” – vijoi Jezusi. I tha për të tretën herë: “Simon Gjoni, a më do?” Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: ‘A më do?’ dhe i përgjigji: “Zotëri, Ti di gjithçka! Ti e di se të dua!”

I tha Jezusi: “Kulloti delet e mia! Përnjëmend, përnjëmend po të them: kur ti ishe më i ri e ngjeshje vetveten dhe shkoje kah doje; porse kur të plakesh, do t’i hapësh duart e një tjetër do të ngjeshë e do të çojë ku ti nuk dëshiron.” I tha këto fjalë për t’i lajmëruar se me ç’vdekje do ta lavdëronte Hyjin. Mandej i tha: “Më ndiq mua!”.  Fjala e Zotit!

03 maj 2019, 14:43