Papa Françesku në Auschwitz Papa Françesku në Auschwitz 

Kisha Katolike dhe martirët e nacionalsocializmit

U paraqitën mbrëmë, në Universitetin Papnor Gregorian, dy vëllime të serisë “Historia e Kishës në Evropën Qendro-Lindore”. Takimi ishte rast për të reflektuar mbi figurat e martirëve gjatë nacionalsocializmit gjerman.

R.SH. - Vatikan

Të njihet e kaluara, për të kuptuar Kishën e sotme dhe për të nxjerrë në dritë historitë e martirëve, që vetë nazizmi donte t’i mbulonte me pluhurin e harresës. Këto janë arsyet kryesore, që nxitën botimin e vëllimeve “Kisha Katolike në Evropën Qendro-Lindore përballë nacionalsocializmit” dhe “Të persekutuar për fenë. Viktimat e nacionalsocializmit në Evropën Qendro-Lindore”, paraqitur të mërkurën mbrëma në Universitetin Papnor Gregorian. Dy vepra, që i përkasin serisë “Historia e Kishës në Evropën Qendro-Lindore”, botuar nga Gabrielli Editori, për të paraqitur jetën e Kishave dhe të bashkësive të krishtera gjatë hegjemonisë naziste. Për këtë kolanë kujdeset meshtari polak, don Jan Mikrut, i impenjuar edhe në denoncimin e persekutimit të Kishës Katolike gjatë regjimeve komuniste të Evropës Qendro-Lindore. Të dy librat nuk kufizohen në listën e thjeshtë të tragjedive të shkaktuara nga lufta, por, duke u nisur nga tmerret e nazizmit, reflektojnë mbi rolin e Kishës e të besimtarëve.

Roli i Kishës

“Polonia - theksoi don Jan Mikrut të mërkurën – është vendi më i goditur nga nazizmi. Mjafton të përmendim numrin e përgjithshëm të viktimave, që arriti në 6.028.000 vetë”. Shifra tronditëse, që shtrojnë pyetje rreth qëndrimit të Kishës në ato vite. Përgjigjja nuk është e lehtë e, sidomos, “duhet dalluar një komb nga tjetri”, theksoi don Mikrut, duke shtuar se Kisha në Gjermani nuk e kuptoi rrezikun që në fillim, gjë që nuk ndodhi në Poloni. Për këtë arsye, Kisha e kundërshtoi me forcë nazizmin, i cili nuk pati mëshirë për rregulltarët e meshtarët polakë, mjafton të kujtojmë shën Maksimilian Kolben, fratin françeskan, që dha vullnetarisht jetën, në vend të një të burgosuri, i cili duhej të vdiste nga uria.

Martirë nga të gjitha kombet

         Përveç polakëve, në të dyja vëllimet pasqyrohen edhe flijimet e martirëve të tjerë, nga të gjitha kombet. U kujtuan figurat e të Lumëve austriakë, Otto Neururer dhe Josef Mayr Nusser, njëri meshtar katolik e tjetri laik. Por edhe figura të tjera, shumë prej të cilave Kisha i ka lartuar tashmë, në nderimet e altarit. Duke analizuar këto dëshmi, kardinali Angelo Amato, ish-prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, nënvizoi: “pyetja themelore është: pse ndodhi kjo masakër në Evropë dhe pse popujt, që mburren me identitetin e tyre të krishterë, e lanë të lindë këtë përbindësh kaq pervers dhe keqdashës?”. Ta pyesim veten nëse “rrënjët e krishtera të Evropës janë ende të forta dhe të shëndetshme”. Çështje thelbësore, të cilave, sipas kardinalit, mund të fillojmë t’u përgjigjemi, duke lexuar këto dy libra. Ata, “ndërsa përshkruajnë tiranët, dokumentojnë humanitetin e martirëve, reagimin e shëndoshë të të krishterëve para shtypësve”, duke na dhënë mundësi të arrijmë në përfundimin se “Kisha dhe Krishterimi kanë antikorpe të mjaftueshme për të luftuar metastazat e së keqes dhe për të afirmuar të mirën”. Prandaj, rrënjët e krishtera të Evropës “nuk duken të thara, ato ende e furnizojnë kontinentin me oksigjenin jetik”.

16 maj 2019, 17:35