Zoja e Bekuar Zoja e Bekuar 

Ja pse maji është muaj kushtuar Marisë, trëndafil i trëndafilave: historia

Maji, sipas traditës, i kushtohet Zojës së Bekuar. Po e shfletojmë historinë e këtij devocioni nga Mesjeta, deri më sot, nga shtatoret e kurorëzuara me lule, tek magjisteri i Papëve, nga origjina, tek format e devocionit popullor, shumë të përhapura në botë.

R. SH. - Vatikan

Muaji i majit është periudha e vitit, që na e kujton më shumë se asnjë tjetër, Virgjërën Mari. Është kohë kushtuar shumë shpesh Rruzares, në shtëpi e në oborre, shtegtimeve në shenjtërore e lutjeve të veçanta drejtuar Virgjërës. E kujton gjithnjë Papa, i cili shpesh e nis majin në Shenjtëroren e Mëshirës Hyjnore, ku lutet për paqen, ndër të gjitha vendet, ku nuk ka paqe. Sivjet, posaçërisht, për Sri Lankën. Të tërheq vëmendjen, këto ditë kushtuar Zojës, vallja virtuoze e natyrës në lulëzim, që e mbush ajrin me aroma e ngjyra dhe devocioni popullor, që e mbush shpirtin njerëzor me aromën e pakrahasueshme të shpirtit të Nënës së Zotit!

Mbreti i urtë dhe lindja e Rruzares

Historia na çon posaçërisht në Mesjetë, tek filozofët e Chartres, në vitin 1100; e më tej, në shekullin XIII, kur Alfonsi X, i njohur me epitetin “i Urti”, mbret i Kastiljes e i Leon, në “Las Cantigas de Santa Maria”, e kremtonte Zojën e Bekuar si “Trëndafil i trëndafilëve, lule e luleve, grua ndërmjet grave, e vetmja Zonjë, dritë e shenjtorëve e udhë e qiellit”. Domenikani i Lum Enrico Suso i Kostancës, mistik gjerman, që jetoi ndërmjet viteve 1295 e 1366, në Libretin e Dijes së amshuar, i drejtohej kështu Marisë: “Qofsh e bekuar, Ti, agim në lindje, mbi të gjitha gratë, e e bekuar qoftë fytyra jote e bukur, livadh  trëndafilash të lulëzuar, stolisur me lulen e rubintë të Dijes së Pambaruar”. Por duhet kujtuar se në Mesjetë lindi edhe Rruzarja, emri i së cilës të kujton menjëherë “la rosa”, trëndafilin. Meqenëse asokohe së dashurës i dhuroheshin vargje trëndafilësh, Zojës nisën t’i dhurojnë vargje Falemi Marish!

Praktikat e para devocionale, të lidhura në një farë mënyre me muajin e  majit, nisin që nga shekulli XVI, posaçërisht në Romë. Shën Filip Neri i mësonte të rinjtë e tij t’i rrethonin me lule figuret e Nënës, t’i këndonin lavde e të  ofronin akte përvujtërie në nder të Saj. Një hop i ri bëhet në vitin 1677, kur noviciati i Fiezoles themeloi një sivëllazëri, të quajtur “Comunella”- “Shoqëria”. Në kronikat e arkivit të Shën Dedës, lexojmë:  “Mbasi kishin ardhur festat e majit e duke dëgjuar se shumë shekullarë kishin nisur të këndonin e të kremtonin me krijesat e dashura, vendosëm t’i këndojmë edhe ne të Shenjtnueshmes Virgjër Mari…”. Nisi kështu festa, që u quajt Calendimaggio, domethënë, dita e parë e majit, së cilës, më pas, iu shtuan të dielat, e më pas akoma, të gjitha ditët e majit. Ishin rite popullore të thjeshta, të ushqyera nga lutja, litanitë, kurorëzimi me lule  i shtatoreve të Zojës. Natyrës, hyjneshë pagane e pranverës, nisi t’ia zinte vendin Mbretëresha e Qiellit. E ky devocion u përhap shumë shpejt  në të katër anët e gadishullit, nga Mantova, në Napoli. Më pas, përmes misionarëve italianë, edhe në viset shqiptare. Sidomos, në zonat malore, ku nuk shkeli kurrë këmbë turku.  

Kush e quajti i pari majin, Muaji i Zojës?

I pari, që nisi ta quajë majin Muaji i Zojës, ishte jezuiti Annibale Dionisi, rregulltar me origjinë fisnike, lindur në Veronë, më 1679, e vdekur në vitin 1754, pas një jete të kaluar, sipas sivëllezërve të tij, me durim, varfëri e ëmbëlsi. Në vitin 1725, Dionisi botoi, në Parmë, me pseudonimin Mariano Partenio librin “Muaji i Marisë, apo muaji maj kushtuar Marisë, me lule e virtyte, propozuar nga të devoçmit e vërtetë të Saj”. Ndërmjet risive të tekstit, ftesa për ta jetuar e për ta praktikuar devocionin marian në  mjedise të përditshme, në jetën e zakonshme, jo detyrimisht në kishë, “për ta shenjtëruar atë vend e për të vënë në rregull veprimet e kryera para syve të pastër të Virgjërës Shenjte. Për çdo rast, skema që duhej ndjekur, ishte krejt e thjeshtë: lutja (mundësisht Rruzarja), para figures së Zojës, meditime të mistereve të amshuara, lexime të përshpirtshme mariane, uratë zhgjetore.

Në të njëtat vite, për të njohur rrugën e zhvillimit të devocionit marian, janë me rëndësi dëshmitë e jezuitit tjetër, atë Alfonso Muzzarelli-t, i cili, në vitin 1785, botoi librin “Muaji i Marisë, apo Maji”, si dhe të don Guseppe Pelignit.

Nga Grignon de Monfort - tek Enciklika e Palit VI

Devocioni marian thellohet me shpalljen e Dogmës së Zojës së Papërlyer (1854) rritet, falë dashurisë së pamasë, që patën për Virgjërën Shenjtorë si don Bosko e ushqehet nga magjisteri i urtë i Papëve. Në Enciklikën “Mense Maio”, datuar 29 prill 1965, Pali VI e quan majin “muaj, në të cilin në tempuj e ndërmjet mureve shtëpiake, nga zemrat e krishtera i lartohet Marisë më i fuqishmi e më i zjarrti himn e nderim. E është edhe muaji, në të cilin nga froni i saj gurrojnë më shumë e më begatisht  dhuratat e Mëshirës hyjnore”. Del, kështu, në pah, pa asnjë dyshim, roli  që luan Virgjëra Mari në historinë e shëlbimit, “nga që Maria - shkruan akoma Papa Montini - është gjithnjë rruga, që të çon tek Krishti, çdo takim me të, nuk mund të mos shndërrohet në takim me vetë Krishtin”. Roli i Marisë është rol e prani, e nënvizuar nga të gjithë shenjtorët, posaçërisht nga ata, që patën devocionin më të madh ndaj Marisë. Në Traktatin “Devocioni i vërtetë i Marisë”, Shën Luigi Maria Grignon de Montfort, shkruan:

 “Hyji Atë mblodhi një masë ujërash, e i quajti det; mblodhi bashkë të gjitha hiret, e i quajti Mari. Ky Zot i madh zotëron një thesar, a një depo tejet të pasur, ku ka mbyllur gjithë ç’është e bukur, e shkëlqyer, e rrallë, e çmuar, deri Birin e vet: ky thesar i pafund nuk është tjetër, veçse Maria, që shenjtorët e quajnë thesari i Zotit e që i pasuron njerëzit me begatinë e hireve të saj.

Hyji Bir, Jezu Krishti, i përcolli Nënës gjithçka fitoi me jetën e Tij e me vdekjen e Tij, meritat e Tij të pafundme e virtytet e Tij të mahnitshme; e e caktoi rojtare të thesareve, që ia la  trashëgim Ati; përmes saj ia jep meritat e Tij gjymtyrëve të veta, ua përcjell virtytet, ua shpërndan hiret; është rava e tij misterioze; lugu i kroit i tij, përmes të cilit rrjedhin ëmbëlsisht e begatisht përdëllimet e Zotit”.

Atë Vincenzo Basile, S.I. dhe devocioni për Zojën në Shqipërinë e pushtuar nga otomanët

Devocini për Zojën e Bekuar, tejet i zjarrtë në kohët kur Zoja ishte e pranishme në Shqipërinë ende të papushtuar nga turku, rinisi të përhapej    me botimin shqip të veprës “Rruga e Parrisit”,  shkruar nga atë Atë Vincenzo Basile, S.I botuar “n’ Rom 1845”. Po sjellim këtu një fragment, ashtu si e shkroi autori:

“N‘ Arbnii âsht devocion fort e madhe per Zojen e Shkodres; sa asht bukur praa n‘ ket dit, konsakruem laudit e ndeerit shêjtnushmes Mrii Virgjin me mendue t‘ dalunit zot asaj? Sa âsht mir, tuj njoft perse Zoja [e] beekueme iku prej Shkodres me kujtue mnyren me e bâ me ardh prap ndopak n‘ zembrat tona? Kalxojm praa m[aa] para si ka qillue t‘ ikunit Zojes e Shkodres e masandej mendojm me dobii t‘ shpirtit si me e sbut per me pas mishirier.
Njat Shkodres âsht nji kish tash e renuome, ne t’cillen ishte ndeerue nji figure e buker shêjtnushmes Mrii. Por masi forti i foort Skanderbek diq, Shkodra raa nder duor turqvet e kie vum nden haraç. At’her bâni vakii e tash kan shkuem treqin e shtatdhet e tet vjet qi Zoja e beekueme tuj ik prej asaj kish, shkoi afer Roms ne nji t’ vocerr katun qi thohet Genazzano; atje kie, edhe âsht ndeerue prej gjith popullit, perse ka bâm e bân deri sot shum mrekullii. T’ lumt ato dy konaqe Gjergjit e [De] Sclavis, qi paska nafake me perciell figuren e mrekulluoshme Zojes e beekueme, prûm prej nji shtyll zjermit naten e prej nji shtyll erêjet diten? Por t’ shuumt ju, o t’ kershtent e mii, qi mbetni pâ nanen e dashtnushme! … E pse o nana e dashtnushmeja, pse braktise jetimat e tuu, pâ ndim kundra anmiqvet, pse s’ kee sevap per birt tuj, qi kjajn, qi gjimojn t[a]sh gadi per kater shekull pâ ty? Ah, m’ duket, qi Zoja beekueme m’ pergjegj; ah! une ika prej Shkodres per mkatet; e s’ jam njit alaa, perse s’ kan pushuem alaa mkatet; t’ pushojn mkatet e une kam per me njit prap! […]/

Kjo, historia e Majit të Zojës, që sapo nisëm ta kremtojmë.

02 maj 2019, 13:13