Kërko

Imzot Lucjan Avgustini, ipeshkëv i Sapës, kaloi në amshim, si sot, më 22 maj 2016 Imzot Lucjan Avgustini, ipeshkëv i Sapës, kaloi në amshim, si sot, më 22 maj 2016 

Dioqeza Sapës kujton përvjetorin e vdekjes së ipeshkvit imzot Lucjan Avgustini

Dioqeza e Sapës kujton bariun e saj, ipeshkvin imzot Lucjan Avgustini, në përvjetorin e tretë të kalimit në amshim, me një kremtim e përkujtim të veçantë. Imzot Lucjan qe njeri i përvujtë, i zellshëm, i përshpirtshëm, i dhimbshëm, i dashur, i lezetshëm në shoqërim me njerëzit; i urtë në drejtimin e çështjeve të ndryshmeve. Shkëlqente në dashuri për kishën dhe për kombin.

R.SH. - Vatikan

Dioqeza e Sapës kujton bariun e saj, ipeshkvin imzot Lucjan Avgustini, në përvjetorin e tretë të kalimit në amshim, me një kremtim e përkujtim të veçantë, në krye me pasardhësin e tij në udhëheqje të dioqezës së Sapës, Imzot Simon Kullin. Në Meshën përkujtimore morën pjesë ipeshkvij tjerë nga Shqipëria, Kosova dhe Mali Zi, shumë meshtarë, rregulltarë e besimtarë. Po më hollësisht të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit nga Vau-Dejës....

IMZOT LUCJAN AVGUSTINI NË PËRVJETORIN E TRETË TË KALIMIT NË AMSHIM

IMZOT LUCJAN AVGUSTINI NË PËRVJETORIN E TRETË TË KALIMIT NË AMSHIM

Data 22 maj 2016 na kujton ditën e kalimit në amshim të ish ipeshkvit të Dioqezës së Sapës, Imzot Lucjan Avgustinit. Dhe sot, mbas tre vitesh, kjo dioqezë ka përkujtuar bariun e saj në këtë përvjetor të tretë të ndarjes nga jeta tokësore, dhe lindjes në jetën qiellore.

Pikërisht me këtë rast, shumë meshtarë, motra, besimtarë, familjarë, miq e bashkëpunëtorë të imzot Lucjanit u bashkuan në Katedralen Shën Nënë Tereza në Vau – Dejës, duke bashkëndarë lutjet për shpirtin e tij në meshën e kremtuar me këtë rast.

Të pranishëm ishin edhe ipeshkvinjtë: bariu i grigjës së Sapës, pasardhësi i tij, Imzot Simon Kulli, Arqipeshkvinjtë nga Mali i Zi, Imzot Zef Gashi dhe Imzot Rrok Gjonlleshaj, si dhe miku, vëllai dhe shoku  i jetës së tij, Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili udhëhoqi Meshën e Shenjtë.

Në fillim ipeshkvi i vendit, falenderoi të gjithë të pranishmit për praninë e tyre në përkujtimin e ipeshkvit të paharruar, Imzot Lucjanit. Më pas ftoi ipeshkvin e Kosovës që t’i printe kremtimit të meshës së Shenjtë.

Gjatë homelisë së tij, Imzot Dodë Gjergji kujtoi figurën e lartë të Imzot Lucjan Avgustinit, jetën dhe veprën e tij. Ai ishte njeri i përvujtë, i zellshëm, i përshpirtshëm, i dhimbshëm, i dashur, i lezetshëm në shoqërim me njerëzit; i urtë në drejtimin e çështjeve të ndryshmeve. Shkëlqente në dashuri për kishën dhe për kombin. Dinte të dhuronte gjithmonë buzëqeshje edhe kur ishte i trishtuar. Duke përfunduar, Imzot Doda tha që ne jemi të gëzuar që e patëm një njeri të tillë në mesin tonë dhe në mesin e Kishës. Tashmë na mbetet që të lutemi për të dhe ai lutet e ndërmjetëson për të gjithë ne.

Pas bekimit përfundimtar të meshës, Imzot Dodë Gjergji i rrethuar nga kleri i pranishëm dhe familjarët kaluan në kriptën e Katedrales, në të cilën prehet trupi i ipeshkvit të paharruar, dhe bëri bekimin dhe lutjet pranë varrit.

Kujtojmë se Imzot Lucjan Avgustini tashmë gëzon në amshim, ndërsa ne jetojmë me kujtimin e tij, me veprën që la pas si në kishë ashtu edhe në shoqërinë shqiptare, ku dha një kontribut të çmueshëm në ringritjen e Kishës Katolike në Shqipëri dhe në mbrojtje të paqes mes njerëzve. Madje, nuk mund të mos i përmend dhe fjalët e tija nga predikimi i fundit mbajtur në Katedralen Shën Nënë Tereza, të Dielen e Pashkëve të vitit 2016, ku citoi: “Pajtohuni me Hyjin dhe me njëri-tjetrin”! I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

Violeta Marashi

Imzot Lucjan Avgustini qe edhe një ndër bashkëpunëtorët më të çmueshëm i redaksisë shqipe të Radio Vatikanit. Nga arkivi po ju propozojmë disa fragmente nga tri intervista që kemi realizuar me te në raste të ndryshme, po propozojmë një pre tyre.

Një bisedë që realizuam më 11 qershor 2015, rreth çështjes ndërfetare, vlerë kjo e popullit shqiptar që edhe imzot Lucjan Avgustini e kishte posaçërisht përzemër, ta dëgjojmë..

Një bisedë që realizuam më 11 qershor 2015, rreth çështjes ndërfetare

Një bisedë tjetër është ajo që patëm me imzot Avgustinin më 15 mars 2016, rreth ngjarjes historike për Kishën e kombit shqiptar, lejen e më pas edhe shenjtërimin e Nënë Terezës – Ganxhe Bojaxhiu nga Papa Françesku, ta dëgjojmë mendimin e vlerësimin e imzot Lucjan Avgustinit....

Më 15 mars 2016, rreth ngjarjes historike për Kishën e kombit shqiptar, lejen e më pas edhe shenjtërimin e Nënë Terezës – Ganxhe Bojaxhiu nga Papa Françesku,

Bisedën e tretë, që po ju propozojmë, e realizuam më 11 shtator 2015, rreth takimit a asamblesë së parë kombëtare të Kishës katolike në Shqipëri, organizuar nga kleri shqiptar, mbajtur në korrik të vitit 2015, në 25 vjetorin pas rënies së komunizmit, një ngjarje kishtare të cilën imzot Lucjani e mbështeti, sepse për klerin ai pati gjithmonë një dashuri e përkushtim të veçantë..

Më 11 shtator 2015, rreth takimit a asamblesë së parë kombëtare të Kishës katolike në Shqipëri, organizuar nga kleri shqiptar, mbajtur në korrik të vitit 2015

Kush ishte ipeshkvi i Sapës, Imzot Lucjan Avgustini?

Imzot Lucjan Avgustini lindi në Ferizaj, të Kosovës, më 23 gusht 1963, prej prindërve Gjini dhe Roza lind, në një familje të madhe të mirë e të bekuar me 10 fëmijë. Pagëzimin e mori po ashtu në Ferizaj, në kishën “Engjëlli Rojës” nga ipeshkvi i atëhershëm i Shkup-Prizrenit, Imzot Smiljan Franjo Čekada, më 5 shtator 1963. Shkollën fillore e kreun në vendlindje, në komunitetin kishtar të “Engjëllit Rojës” Lucjani i vogël ishte ministrat i rregullt, së bashku me Dodë Gjergjin, tani ipeshkvin e Kosovës.

Pas shkollimit tetëvjeçar, së bashku me Dodë Gjergjin u dërguan për seminarin e Suboticës  “Paulinum”, ku përfunduan gjimnazin klasik. Studimet filozofike e teologjike i kreu pranë Fakultetit filozofik – teologjik në Zagreb.

Më 15 gusht 1989 shugurohet meshtar nga ipeshkvi ndihmës i dioqezës së Shkup-Prizrenit, Imzot Nikë Prela, i cili gjatë Meshës së shugurimit tregoi se po e shuguronte për Shqipërinë martire!”. 

Më 10 shtator 1989 dom Lucjan Avgustini caktohet bashkëpunëtor i shtëpisë botuese “DRITA”, ku  punoi posaçërisht rreth botimeve liturgjike, por edhe  si ndihmës a sekretar personal i ipeshkvit Imzot Nikë Prela. Prifti ri dom Lucjani ishte i zellshëm në misionin e veprimtarinë e tij meshtarake. Shpesh, të dielave e festave ndihmonte famullitarin e fshatit Stubllë, dom Rrok Gjonlleshaj, sot kryeipeshkëv i Tivarit. Qe pra një meshtar plot zell, entuziazëm, dashuri e përzemërsi në misionin ungjillëzues, një prift shembullor.

Pas kontributit të çmueshëm për botimin e “Mesharit Romak”, më (1992), botimit të Biblës së plotë në gjuhën shqipe, botuar për herë të parë nga Kisha katolike (1994), fryte këto të punës e të mendjes së meshtarit të paharrueshëm dom Simon Filipajt, fushëveprimi meshtarak i dom Lucjanit rritej e pasurohej me eksperiencë.

E kështu, ipeshkvi i vendit e emëroi dom Lucjan Avgustinin Drejtor të parë të Caritasit të Kosovës, më vonë, më 15 prill 1993, edhe famullitar të komunitetit kishtar të Ferizajit, ku shërbeu me zell e përkushtim deri në nëntor të vitit 1994.

Në këtë periudhë, fatbardhësisht, Shqipëria tashmë ishte liruar nga regjimi i diktaturës komuniste, pra po bënte hapat e parë në liri e demokraci. Pas persekutimit e vrasjes së pjesës dërmues të klerit, në Kishën shqiptare ndjehej mungesa e klerit, e strukturave kishtare, e kështu Dom Lucjan Avgustini, së bashku me Don Dodë Gjergjin, shprehin dëshirën dhe gatishmërinë për të ndihmuar Kishën katolike në  Shqipëri, me shërbimin e misionin e tyre meshtarak.

Më 27 tetor 1994 dom Lucjan Avgustini u lirua nga detyrat në dioqezës së Shkup-Prizren, për të shërbyer si “Fidei donim” (Dhuratë feje) në kryeipeshkvinë e Shkodrës, nën udhëheqjen e imzot Frano Illisë.

Aty,  së pari qe ndihmës-famullitar, ndërsa më 14 korrik 1995 qe emëruar famullitar i Katedrales “Shën Shtjefni” në Shkodër. Puna e veprimtaria meshtarake e misionare qe e paskajshme, por edhe feja e dashuria që dom Lucjani kishte për besimtarët, njerëzit, Kishën e vendit, bënin që të përballonte çdo vështirësi e sfida të shumta.

Më 24 maj 1997 Papa Shën  Gjon Pali  II e emëroi “Kapelan të tij”, me titullin e nderit – Monsinjor.

Ipeshkvi i Sapës, Imzot Lucjan Augustiniedhe pse i ri në moshë, por me një përvojë meshtarake të fortë,  u emërua nga Papa Benedikti XVI ipeshkëv të Sapës, në Shqipëri, duke zëvendësuar imzot Dodë Gjergjin, i cili qe emëruar ipeshkëv i Kosovës (12 dhjetor 2006).

Imzot Lucjan Avgustini, ishte njeri i Zotit, njeri i uratës, pra i përshpirtshëm, punëtor i palodhur, njeri i përzemërt dhe i thjeshtë, prandaj komunikues me njerëz, besimtarë, qytetarë, përherë i gatshëm për të dëgjuar popullin, këshilluar, udhëzuar, për t’u thënë një fjalë të mirë ngushëllimi e inkurajimi, për t’ua dëshmuar bukurinë e forcën e fesë, begatinë e dashurisë së krishterë. Qe apostull i vërtetë, dëshmitar e predikues i Jezus Krishtit dhe Ungjillit të tij. Për imzot Lucjanin koha ishte dhuratë, hir, pasuri e Zotit për t’u ndarë dhe dhuruar të gjithëve.

Si ta kishte një lloj parandjenje se “koha” po e nxiste, gati gati e ndjekjet e madje e çonte hap pas hapi drejt shtëpisë së Atit Qiellor, në amshimi.

Para tre vjetesh, pas një sëmundje të rëndë, imzot Lucjan Avgustini kaloi në amshim, si sot, më 22 maj 2016, në selinë ipeshkëvnore të dioqezës së Sapës, të cilën e drejtoi deri në frymëmarrjen e fundit, duke shërbyer me dashuri e përkushtim sipas lajtmotivit të kamotshëm të klerit shqiptar “Për Fé e Atdhé”! .

22 maj 2019, 13:00