Një qiri i ndezur për shpirtin e meshtarit të vrarë Një qiri i ndezur për shpirtin e meshtarit të vrarë 

El Salvador: meshtari vritet nga një bandë kriminelësh

Atë Cecilio Pérez u vra nga një grup banditësh, pasi hodhi poshtë kërkesën e kriminelëve, që e pranuan vrasjen, për t’u paguar një shumë të hollash. Qeveria e vendit njofton se do të marrë masa të reja për të luftuar kundër kriminalitetit.

R. SH. - Vatikan

Një meshtar 38 vjeç, atë Cecilio Pérez, u vra natën ndërmjet së premtes  e së shtunës, në El Salvador, vend i Amerikës Qendrore, i tronditur nga dhuna e  bandave kriminale. Viktima ishte famullitar i San José la Majada, në bashkinë e Juaya, që bën pjesë në departamentin perëndimor të Sonsonate.

Atë Pérez refuzoi t’u jepte banditëve paratë e kërkuara

Disa besimtarë, që dëshironin të takoheshin me meshtarin në orën 5.00 të mëngjesit, për t’u lutur së bashku, e kërkuan në famulli, pa marrë asnjë përgjigje. Si hynë në shtëpinë e meshtarit, e gjetën të vdekur. Pranë trupit,  një biletë, në të cilën shkruhej: “Nuk na e pagoi kuotën”, nënshkruar “Ms13”, domethënë, banda e Mara Salvatrucha-s, që e vrau priftin, sepse refuzoi t’i paguante paratë e kërkuara.

Imzot Barrera: lutuni për të gjithë meshtarët

Ipeshkvi i Sonsonates, imzot Costantino Barrera, shkoi në famulli dhe u kërkoi besimtarëve të luten për Atë Cecilio-n dhe për të gjithë meshtarët, duke nënvizuar se viktima “po bënte një punë shumë të mirë, tejet të dëshiruar nga besimtarët”. Edhe qeveria e Salvadorit e dënoi vrasjen dhe i shprehu ngushëllimet familjes së priftit si dhe bashkësisë katolike në vend:

“Qeveria e El Salvador shpreh keqardhjen e thellë dhe e dënon aktin e ulët të vrasjes së meshtarit Cecilio Perez”- lexohet në një komunikatë të qeverisë, e cila thekson edhe se u ka dhënë udhëzime të sakta autoriteteve të sigurimit t’i dyfishojnë përpjekjet për kapjen e vrasësve.

Më 2018 u vra atë Vasquez

Një episod i ngjashëm dhune ndodhi edhe vitin e kaluar kur, pikërisht të Enjten e Madhe, u vra Atë Walter Vasquez, në bashkinë Lolotiques.   Hetimet lidhur me këtë rast nuk kanë arritur akoma t’i zbulojnë vrasësit.

Në El Salvador dhuna është krejt jashtë kontrollit

El Salvador, në krye të listës të vendeve më të dhunshme në botë,   regjistron rreth 103 vrasje, në çdo 100.000 banorë, kryer sidomos nga bandat Mara Salvatrucha (MS13) e Barrio 18. Këto sigla nuk kanë të bëjnë me trafikun ndërkombëtar të drogës e i bazojnë fitimet tyre mbi zhvatjen e sektorëve më të varfër, sistem kundër të cilit luftonte Atë Pérez. Pikërisht lufta kundër kriminalitetit do të jetë një nga betejat kryesore, që duhet ta përballojë presidenti i ri, Nayib Bukele, 37 vjeç, pasi ta marrë në dorë pushtetin, më 1 qershorin e ardhshëm.

19 maj 2019, 16:31