Cerca

Vatican News
2019.05.18 Papa Francesco con Mons. Jean-Marie Speich, Arcivescovo tit. di Sulci 2019.05.18 Papa Francesco con Mons. Jean-Marie Speich, Arcivescovo tit. di Sulci 

Delegati Apostolik imzot Speich viziton Kosovën, në Prizren kremton Meshën në festën e Zojës Ndihmëtare

Dioqeza Prizren-Prishtinë, në Kosovë priti sot Delegatin Apostolik imzot Jean-marie Speich, cili solli dhe shpalli para popullit të Zotit Bullën papnore të themelimit të dioqezës së Prizren-Prishtinë dhe të emërimit të ipeshkvit ordinar të kësaj të dioqeze, me emërtim të ri, në personin e imzot Dodë Gjergjit.

R.SH. - Vatikan

Kisha dioqezane Prizren-Prishtinë, në Kosovë priti sot Delegatin Apostolik imzot Jean-Marie Speich, i cili pas emërimit në këtë detyrë nga Papa Françesku, deshi të vizitonte Kishën katolike në Kosovë. Kjo vizitë tregon dashurinë e Atit të Shenjtë ndaj popullit, vëmendjen e Selisë Shenjtë ndaj realitetit të Kosovës dhe kujdesin për mirëvajtjen e vendit.

Gjatë kësaj vizite, Nunci Apostolik – Delegat i Selisë së Shenjtë për Kishën katolike në Kosovë, imzot Jean-Marie Speich, kremtoi sot, së bashku me ipeshkvin e vendit, imzot Dodë Gjergjin, klerin dhe pjesëmarrjen e besimtarëve, Meshën në festën e Zojës Ndihmëtare, në Katedrales së Prizrenit.

Gjatë kremtimit të Eukaristisë sot në Prizren, Delegati Apostolik imzot Speich solli dhe shpalli para popullit të Zotit Bullën papnore të rithemelimit të dioqezës së Prizren-Prishtinë ( me këtë emërtim të ri), dhe të emërimit të ipeshkvit ordinar të kësaj të Kishe dioqeze, në personin e imzot Dodë Gjergjit. Mes tjerash, Imzot Speich, Delegat Apostolik i Vatikanit për Kishën në Kosovës, pohoi se dioqeza Prizren-Prishtinë është nën juridiksionin kishtar kanonik të drejtpërdrejt të Selisë së Shenjtë.

Përveç njohjes me realitetin Kishtar në Kosovë, Delegati Apostolik Imzot Speich do të ketë edhe takime me autoritetet e vendit. Po  më tepër për  vizitën e delegatit të Papës imzot Speich në Kosovë, të dëgjojmë imzot Dodë Gjergjin, me të cilin biseduam pak ditë para kësaj gjarjeje.. 

Për vizitën e delegatit të Papës imzot Speich në Kosovë, të dëgjojmë imzot Dodë Gjergjin.

Në vijim po sjellim dokumentin papnor, Bullën, përmes së cilës Kisha katolike në Kosovë nga Administraturë Apostolike është ngritur në nivelin e Dioqezës  me emërim të ri, megjithëse Kishë e lashtë, dioqezë Prizren- Prishtinë

Administratura Apostolike e Prizrenit ngritët në shkallën dhe dinjitetin e dioqezës, e do të quhet Prizren – Prishtinë, dhe kjo njësi e re kishtare  ka ipeshkvin e saj ordinar.

Françesku Ipeshkëv, Shërbëtori i shërbëtorëve të Zotit, në kujtim të përjetshëm.

Na është besuar Neve, nga vetë Zotëria i mbarë Kishës së përgjithshme, shërbimi dhe tërë kujdesi për zhvillimin e shpejtë, që ato të mira shëlbuese dhe mësime, të mbërrijnë pa vonesë e me sukses në çdo vend. Prandaj Ne kemi vendosur  të përshpejtojmë e të rregullojmë këtë çështje sa më parë dhe sa më lehtë. Për këtë arsye, me të nderuarin Vëlla Dominik (Dodë) Gjergji, ish-ipeshkëv në Sapë, Administrator Apostolik në Prizren, i cili ka kërkuar që rrethi kishtar i tij të ngritët në shkallën dhe dinjitetin e ipeshkvisë, i përkrahur nga Vëllai i nderuar Julius Janusz, arqipeshkëv titullar i Caprulanos dhe Delegat Apostolik i vendit, që quhet Kosovë, nga Këshilli i Sekretarisë së Shtetit dhe Kongregata për Ipeshkvij, me Pushtetin tonë Apostolik kemi vendosur që, Administratura Apostolike e Prizrenit të ngritët në dinjitetin e  dioqezës, e tani e tutje duhet të quhet Prizren – Prishtinë,  dhe të jetë menjëherë nën Selinë Shenjte, si e tillë duke ruajtur kufijtë  që u janë caktuar dioqezave të Konferencës Ipeshkëvnore ndërkombëtare Shën Çirili e Metodi, anëtare e së cilës është. Prandaj në qytetin e Prizrenit, gjendet Kisha me emërtim të Shën Marisë Virgjër Ndihmë e Krishterëve, ngrihet në dinjitetin e Kishës Katedrale, njëkohësisht Kisha e Prishtinës,  e shuguruar në Vitin e Zotit më parë, në nder të Shën Terezës  së Kalkutës, Kishë kon-katedrale, që të dyjave të dalluara, u jepet privilegji dhe nderi  njëjtë. Gjërat tjera rregullohen me norma kanonike. Për më tepër Vëllain  e Nderuar Dodë Gjergjin, me këtë komunikim kishtar  e shpallim Ipeshkëv dhe Bari dhe lirohet nga kufizimet e mëparshme. Të gjitha këto ia besojmë, që të përcjellën nëpërmjet delegatit Apostolik në Kosovë, natyrisht me autoritet të ndonjë njeriu tjetër me dinjitet kishtar dhe të caktuar për delegim. Për të ardhur deri te zgjedhja përfundimtare, me dokumente të plotësuar, natyrisht le t’i dërgohen Kongregatës për Ipeshkvij. Kjo ka fuqi, pavarësisht edhe rezistimeve  më të vogla të ndokujt.

Romë, Shën Pjetër, dita e pestë e muajit shtator 2018, të Pontifikatit tonë të gjashtë.                                                            

                                                                                         Papa Françesku

Pietro Card. Parolin, Sekretari i Shtetit     

Marco Card. Quellet, prefekt i Kongregatës për Ipeshkvi

(Shpallja zyrtare e Bullës Papnore, në Prizren,  më 24. 05. 2019, Kisha katedrale “Zoja Ndihmëtare” nga Delegati Apostolik për Kosovën, Imzot Jean-Marie Speich)

24 maj 2019, 16:27