Jezusi u predikon njerëzve Jezusi u predikon njerëzve 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Ungjilli sipas Mateut, fjalët e Krishtit

Emisioni i fundit mbi Ungjillin sipas Mateut, të cilin e kremi trajtuar, tashmë, prej disa të enjtesh, në rubrikën tonë. Sot, pasi kemi folur mbi mënyrën e leximit të këtij Ungjilli dhe mbi fjalët kyçe, që na ndihmojnë për këtë, do të citojmë disa nga pjesët më domethënëse, gjithnjë, duke u bazuar në librin e meshtarit italian, don Federico Tartaglia, “Është ora e leximit të Biblës”.

R.SH. - Vatikan

Fjalët e Krishtit në këtë Ungjill janë si një pagëzim i ri për çdo të krishterë, pasi i përvijojnë udhën e të vërtetave të fesë. Le t’i dëgjojmë pra:

“Lëre tani! Sepse kështu na ka hije të kryejmë çdo gjë që përkon me vullnetin e Hyjit.” (Mt 3,15)

“Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!” (Mt 5,3)

“Mos ua jepni qenve gjënë e shenjtëruar as mos i qitni para derrave margaritarët tuaj që, pasi t’i shkelin, të mos kthehen kundër jush e t’ju shqyejnë.” (Mt 7,6)

“Ruajuni prej profetëve të rrejshëm, që vijnë tek ju e ju shtiren si dele, kurse përbrenda janë ujq grabitqarë.” (Mt 7,15)

“Mbretëria e qiellit është e ngjashme me thesarin e fshehur në arë: njeriu që e gjen, e fsheh prapë, dhe, plot gëzim, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë arë.” (Mt 13,44)

“Përnjëmend po ju them: nëse nuk ktheheni e nuk bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit.” (Mt 18,3)

“Ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, mes tyre.” (Mt 18,20)

“Nuk po të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë!” (Mt 18,22)

“Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, që u përngjani varrezave të zbardhuara me gëlqere, që duken përjashta të bukura e përbrenda janë plot eshtra të vdekurish me gjithfarë ndyrësie.” (Mt 23,27)

“Prandaj ‑ po ju them ‑ juve do t’ju hiqet dore Mbretëria e Hyjit e do t’i jepet një populli që i prodhon frytet e saj!” (Mt 21,43)

“Unë jam me ju gjithmonë ‑ deri në të sosur të botës!” (Mt 28,20)

Këto fjalë të Jezusit na i përçon Mateu, penë e fuqishme, që, madje, na lë edhe një autoportret, duke e përshkruar kështu udhën e fesë së vet:

“Kështu pra, çdo skrib, që e përvetësoi mësimin e Mbretërisë së qiellit i përngjan të zotit të shtëpisë, që nxjerr nga thesari i vet gjëra të reja e të vjetra.” (Mt 13,52)

Ky skrib na dorëzon një Jezus të ndërlikuar, i cili, nga njëra anë, iu përvishet me tërbim atyre, që i përbuzin të vegjlit e nuk pyesin për Zotin, e, nga ana tjetër, përqafon të shtypurit me fjalë si këto:

“Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvujtë. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj.” (Mt 11,29)

Ky është Mesia, që plotëson ligjin dhe drejtësinë, sepse është më i madh se Moisiu dhe Elia profet e, në kryq, plotëson edhe emrin e Zotit: Emanueli, Zoti që është gjithnjë me ne. Në 28 kapitujt e tij, shën Mateu ungjilltar e pështjellon idenë tonë për Zotin e na kumton se Hyji është aty, ku mendonim se s’ishte më. Ai është gjithnjë me ne, me kusht që të zgjedhim udhën e lumnive, e cila do të na japë mundësinë të llogaritemi ndërmjet deleve të tij e jo ndërmjet dhive.

Themi Zoti-me-ne e ajo “ne” është Kisha e tij, Populli i tij, i përbërë nga ata, që janë të butë e të përvujtë, të varfër e të vegjël, që e kuptojnë se Ai është i pranishëm edhe aty ku të tjerët i ndiejnë vetëm mungesën.

“‘Zotëri, kur të pamë të uritur e të dhamë të hash, të etshëm e të dhamë të pish? Kur të pamë shtegtar e të përbujtëm, të zhveshur e të veshëm? Ose, kur të pamë të sëmurë ose në burg e erdhëm te ti?’ Mbreti do të përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua.’” (Mt 25,37-40)

Po, duhet vëmendje dhe durim me Ungjillin, por ia vlen, sepse mund të ndodhë të zbulojmë ku fshihet Zoti! E para se ta përfundojmë këtë reflektim mbi Ungjillin sipas Mateut, një kuriozitet. Në Sackler Library të Oksfordit ruhet Papirusi 104, një fragment i vogël (6,4 me 9,5 cm), që përmban dy pjesë në greqisht të Ungjillit sipas Mateut: 21,34-37 nga njëra anë dhe pjesë nga versetet 21,43-45, nga ana tjetër. Kjo gjetje e çmuar daton në shekullin II pas Krishtit e shihet qartë se edhe dora, që e ka shkruar është “e lashtë”.

09 maj 2019, 12:04