Kërko

Jezusi në tempull Jezusi në tempull 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Ungjilli sipas Mateut e fjalët kryesore

Edhe në emisionin e sotëm vijojmë të flasim për Ungjillin sipas Mateut, siç po bëjmë prej disa të enjtesh tashmë, gjithnjë, duke u bazuar në librin e meshtarit italian, don Federico Tartaglia, “Është ora e leximit të Biblës”. Kësaj radhe, do të vemë në dukje disa fjalë e tema, që jo vetëm kanë rëndësi të veçantë në Ungjillin sipas Mateut, por na ndihmojnë edhe ta kuptojmë e ta lexojmë më mirë atë.

R.SH. - Vatikan

Së pari, fjala “Emanuel”. Ndërmjet pjesës së parë dhe të fundit të Ungjillit ka lidhje, që shtrihen mbi të tërin e na japin çelësin për ta kuptuar atë. Biblistët i quajnë “gjithëpërfshirëse”. Jezusi Fëmijë thirret “Emanuel”, që do të thotë Zoti-me-ne e, pastaj, Ungjilli përfundon me premtimin, që u bën i Ringjalluri apostujve: “Unë do të jem me ju të gjitha ditët”. Në fillim, Foshnja Hyjnore adhurohet nga Mbretërit Dijetarë, simbol i paganëve, ndërsa në fund, apostujt duhet t’ua shpallin shëlbimin “të gjithë njerëzve”, pra edhe paganëve. E më tej: fëmija i sapolindur i shpëton vdekjes, shenjë që e bashkon me Moisiun, i cili “shpëtohet nga ujrat”, por paralajmëron edhe një vdekje tjetër, atë në kryq.

Le të shqyrtojmë një fjalë tjetër: “mal”. Jezusi ngjitet mbi malin, ku tundohet nga Djalli, por ngjitet mbi mal edhe për Fjalimin e famshëm të Lumnive, që quhet pikërisht Fjalimi mbi Mal. Vetëm në shën Matuen ungjilltar, Jezusi, pas ringjalljes, i dërgon apostujt të predikojnë Ungjillin nga një mal i lartë në Galile. Mali është vendi i takimit me Zotin: Sinai, Moisiu, Ligji… Gjithçka përmbushet aty.

E ja një temë tjetër: “Keni dëgjuar se është thënë… por unë po ju them…”. Me këtë frazë, shën Mateu ungjilltar e karakterizon Fjalimin mbi Mal dhe tregon me forcë të madhe autoritetin e Jezu Krishtit, që vihet përballë Shkrimit Shenjt dhe Traditës. Vërtet, nëse, nga njëra anë, mrekullitë dhe shëmbëlltyrat konfiromojnë se Mbretëria e Zotit ka ardhur në mesin e njerëzve, nga ana tjetër, në të gjithë Ungjillin, kundërshtohet autoriteti i Jezusit: që nga shën Gjon Pagëzuesi, i cili nuk donte ta pagëzonte e ishte në pritje të një Mesie tjetër, deri tek judenjtë, që nuk i pranojnë mësimet e Krishtit. Pikërisht ata, Jezusi i sulmon ashpër në kapitullin 23, kur shqipton një radhë të gjatë “mjerë ju”-sh, të cilat i gjejmë vetëm në këtë Ungjill, së bashku me shëmbëlltyrën e vreshtarëve vrasës. Por ka edhe një lloj tjetër tensioni, që ndihet qartë në Ungjill e ka të bëjë me vetë bashkësinë e krishterë, e cila duket se nuk e ka kuptuar akoma rëndësinë e vërtetë të Ungjillit të Krishtit.

“Lumnitë” – kjo, fjala tjetër – janë faktikisht, të parat, që shqipton Krishti në Ungjill, ndërsa fjalët mbi “Gjykimin e Mbramë” janë të fundit. Edhe këtu kemi një ide, që bashkon fillimin me fundin, për të treguar Mbretërinë e Zotit dhe të zgjedhurit e saj: të varfërit, të butët, të mëshirshmit, zemërbardhët, të lumët e vërtetë, kumtuar në fillim dhe vendosur në fund si prani e të Ringjallurit në histori. Kriter e gjykim për çdo bashkësi të krishterë.

Shën Mateu e mbush Ungjillin me disa fjalë udhërrëfyese: e para është “Mbretëria”, që përmendet 52 herë. Duhet vënë në dukje se nuk flitet për “Mbretërinë e Zotit”, por për “Mbretërinë e Qiellit”, për shkak të respektit hebraik ndaj emrit të Hyjit. Fjalë tjetër e rëndësishme është edhe “Drejtësia”, që përmendet 9 herë në Ungjill e, megjithëse mëshira përmendet vetëm katër herë, citimi nga Osea, “Mëshirë dua e jo holokauste” – rast unik në gjithë Besëlidhjen e Re – përsëritet dy herë. Shën Mateu është mjaft i zoti me citimet nga Besëlidhja e Vjetër: është ai, që e përmend atë më shumë se të tjerët, rreshton pesë vëllimet e Pesëlibërshit e shtatë profetë, me dy librat më të rëndësishëm, atë të Ligjit të Përtërirë dhe të Isaisë, cituar, jo rastësisht, më shumë se të tjerët: 13 dhe 12 herë.

Mund të vazhdojmë të flasim për fiksimin e shën Mateut me numrat, por do ta ndërlikonim më kot çështjen e ndokush mund të mendojë se Ungjilli është i ngjashëm me ndonjë tekst enigmist. Por natyrisht, përtej ndërlikimeve të kota, duhet kuptuar se Ungjijtë nuk janë libra për fëmijë, nuk janë tregime naive e as thjesht tregime devotshmërie. Ungjijtë janë Shkrim i Shenjtë dhe kanë në vetvete një forcë shpirtërore absolute. Mjafton t’i lexojmë me fe. E nëse shën Marku ungjilltar i akuzon apostujt se nuk kanë fe, duke përdorur fjalën greke “apistìa”, shën Mateu është më pak i rreptë e flet për “oligopistìa”, pra, për pak fe. Këto janë natyrisht nuanca, por thelbi i çështjes qëndron në faktin se për të lexuar Ungjillin e për të besuar çka ai kumton, duhet pasur fe. E pikërisht me këtë fe, në emisionin e ardhshëm, do të zhytemi në disa fjalë të Jezusit, për t’u pagëzuar e për t’u ushqyer shpirtërisht prej tyre.

02 maj 2019, 12:45