Kërko

Shën Marku ungjilltar Shën Marku ungjilltar 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Ungjilli sipas Markut

Ungjilli sipas Mateut i lë vendin Ungjillit sipas Markut, birit të njërës prej familjeve të Jeruzalemit, nga më të flaktat e kthyera në krishterim. Duke filluar nga emisioni i sotëm, do të flasim për disa të enjte me radhë pikërisht për këtë Ungjill, si gjithnjë, duke u bazuar në librin e meshtarit italian, don Federico Tartaglia, “Është ora e leximit të Biblës”.

R.SH. - Vatikan

Veprat e Apostujve tregojnë se Pjetri, i liruar mrekullisht nga burgu i Jeruzalemit, “u nis drejt shtëpisë së Marisë, nënës së Gjonit që quhet Mark, ku shumë ishin bashkuar në lutje” (12,12). Në “letrën e shkruar nga Babilonia” (Roma), gjithnjë Pjetri dërgon bashkë me përshëndetjet e veta edhe ato të “tim biri, Markut” (1 Pjt 5,13): ndoshta është shenjë se Markut ia ka dhënë pagëzimin vetë shën Pjetri apostull.

Kur Pjetri shkoi në shtëpinë e tij, Marku duhet të ketë qenë akoma i ri. E nuk është pa baza ideja se ai djalosh, që iu iku lakuriq ushtarëve, duke iu lënë mantelin në dorë, gjatë arrestimit të Jezusit në Gjetsemani, është pikërisht Marku, meqë mbetet i vetmi, që e tregon këtë episod të çuditshëm.

Pali e Barnaba e morën me vete Markun

E më tej: gjithnjë nga Veprat e Apostujve mësojmë se Pali e Barnaba morën me vete “Gjonin, që e thirrnin Mark” (Vap 12,25) dhe e patën për shok e ndihmë në udhëtimin e parë të madh misionar. Por, vetëm pjesërisht: kur shkuan në Panfili, pas ungjillëzimit të Qipros, Marku ndahet prej tyre dhe kthehet në Jeruzalem.

Nuk i dimë arsyet e këtij vendimi. Dimë vetëm se qe i dhimbshëm, sepse Pali, në vijim, nuk deshi që Marku ta shoqëronte në udhëtimin e dytë, duke arritur deri në grindje me mikun e vet Barnaba, i cili e mbronte se e kishte kushëri. E gjejmë sërish në Romë, si pas shën Palit, me të cilin, me sa duket, ishte pajtuar, ashtu edhe pas shën Pjetrit, që thuhet se e kishte sekretar. Kështu, Marku mundi të marrë dëshmitë e para mbi jetën e Jezusit drejtpërdrejt nga Pjetri.

Ungjilli sipas Markut, konsideruar jo aq i rëndësishëm, por nuk është kështu

Marku është ungjilltari, për të cilin dimë më tepër. Për një kohë të gjatë, kështu mendohej edhe për Ungjillin e tij. Ndoshta, sepse është më i shkurtër se të tjerët, vetëm 11 mijë fjalë, të cilat, kur u krahasuan me ato të Ungjijve të tjerë, i dhanë Markut famën e “shkurtuesit”. Për shekuj me radhë, Ungjilli sipas Markut është komentuar pak e cituar edhe më pak, pasi mendohej se ky ungjilltar kishte shkruar pas Lukës e Mateut - të dy të mëdhenj - duke i përmbledhur. Madje, Markut të shkretë i patën vënë edhe një nofkë: e quanin “me gishta të prerë”. Ka historianë, që mendojnë se është fjala për ndonjë dëmtim të vërtetë fizik; të tjerë mbrojnë tezën se ky lloj llagapi i është vënë për faktin se Ungjilli i tij konsiderohej tregim tepër i shkurtër, si të ishte një doracak, që i përmban të gjitha nocionet, por të shkurtuara në maksimum.

Ungjilli sipas Markut është për t’u admiruar

Ndoshta, për shkak të një autori jo në lartësinë e duhur; ndoshta, për shkak të greqishtes së tij jo aq elegante, Ungjilli sipas Markut është konsideruar për shekuj me radhë… të themi… Ungjill i dorës së dytë. Natyrisht, gjërat ndryshuan e madje shumë, kur u kuptua se ishte pikërisht Marku, që shkruan për herë të parë një ungjill e gjithë të tjerët, marrin e mësojnë prej tij.

Është i shkurtër! Po, është e vërtetë.

Është jo fort elegant. Edhe kjo është e vërtetë.

Nuk të entuziazmon me gramatikën e tij. Duket qartë.

Por që është një përpjekje e parë, pak si e papërpunuar, e cila duhej plotësuar e përmirësuar. JO, kjo jo! Në të vërtetë, Ungjilli sipas Markut duhet admiruar, sepse është i pari, më i afërti në kohë me jetën e Jezusit, më i zjarrti, më kumbuesi, më shqetësuesi. E pse është kështu, do ta shpjegojmë të enjten e ardhshme.

15 maj 2019, 18:46