Zoja e Dhimbshme Rondanini e Mikelanxhelos Zoja e Dhimbshme Rondanini e Mikelanxhelos 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Ungjilli sipas Markut – Zoja e dhimbshme Rondanini

Të enjten e kaluar, filluam komentin e Ungjillit sipas Markut. Thamë që pavarësisht se më i shkurtër nga të tjerët, jo fort elegant e jo aq entuziazmues me gramatikën e tij, duhet admiruar, sepse është i pari, më i afërti në kohë me jetën e Jezusit, më i zjarrti, më kumbuesi, më shqetësuesi. Ju lamë me premtimin për ta sqaruar sot pse është kështu. Bazohemi si gjithnjë, në librin e meshtarit italian, don Federico Tartaglia, “Është ora e leximit të Biblës”. Për të, Ungjilli sipas Markut mund të krahasohet me “Zojën e Dhimbshme Rondanini” të Mikelanxhelos.

R.SH. - Vatikan

Më 18 shkurt 1564, në Romë festoheshin Karnavalet. Mikelanxhelo, tashmë i moshuar dhe i lodhur, pasi kishte punuar gjithë zell për veprën e tij të fundit, që ishte Zoja e tretë a e katërt e Dhimbshme, ndërroi jetë, duke e lënë këtë botë jashtëzakonisht të varfëruar. Të nesërmen, një burokrat i trishtë inventarizoi veprat e tij e, duke parë këtë skulpturë, shkroi kështu: “Statujë tjetër e sapofilluar për një Krisht me një figurë tjetër sipër, ngjitur së bashku, e gdhendur trashë dhe e pambaruar”.

Edhe Mikelanxhelo i madh u gjykua si shën Marku ungjilltar. Kush prej nesh, kur dëgjon të flitet për Zojën e Dhimbshme të Mikelanxhelos, mendon për atë Rondanini? Natyrisht që i shkon ndërmend Zoja e ruajtur në Shën Pjetër, kryevepër hiri e përsosurie, latuar me hollësitë më të imta. Krishti shtrihet në prehrin e një Zoje të re, dhimbja e së cilës ia lë vendin mëshirës. Nga ai mermer flasin harmonia, drita, që na bëjnë të mbetemi pa frymë para asaj bukurie kaq të madhe.

Dukej si vepër e palatuar, e paplotë

Në krahasim me të, Zoja e Dhimbshme Rondanini, e humbur e pastaj, e rigjetur në vitin 1952, u dukej njerëzve si një vepër e palatuar mirë, e papërfunduar, pikërisht siç iu duk edhe Ungjilli sipas Markut. Vepra të papërpunuara, të përafërta, në dukje, pa hir. Sepse hiri dukej të ishte e vetmja masë e harmonisë, që Rilindja italiane qe në gjendje ta merrte nga helenizmi dhe t’ia transmetonte epokës së vet. E ai bllok i mermertë dëshmon krejt të kundërtën: këmbët dhe krahu i djathtë janë punuar sipas rregullave klasike të përsosmërisë, por ndërpriten, madje, thyhen nga një daltë, që nuk laton më butë, përkundrazi, heq diçka nga forma, eliminon, pakëson. Nëse figura do të ndiqte masën e krahut e të këmbëve do të ishte shumë më e madhe, ose ndoshta, ashtu ishte, në variantin fillestar.

Por mermeri i asaj Zoje të Dhimbshme nuk dëshmon për një vepër të paplotë. Mikelanxhelo, që më shumë se gjithë të tjerët pati shprehur gjallërinë e trupit, para vdekjes, ndjeu pamundësinë për ta përvijuar misterin e saj dhe ia besoi dëshpërimit të një përqafimi amnor e fytyrave, që vetëm mund të merren me mend, plotësimin e artit të vërtetë, i cili, para misterit, nuk shton por heq, nuk përcakton por vetëm sa përvijon, nuk jep përgjigje por frymëzon.

Ungjilli sipas Markut, po ai mermer si Zoja e Dhimbshme Rondanini

Ungjilli sipas Markut është bërë me të njëjtin mermer si Zoja e Dhimbshme Rondanini. Me shekuj i harruar, i konsideruar si vepër e shkurtuar e me mungesa, në të vërtetë, i ngjason tmerrësisht punimit të fundit të Mikelanxhelos, sepse Ungjilli sipas Markut na komunikon një lloj skulpture të Krishtit, që është e ashpër, si rudhat e mermerit të atyre fytyrave. S’ka asgjë të latuar e të lëmuar e shkurtimi nuk diktohet nga nxitimi: Marku kërkon thelbin, heq diçka, si Mikelanxhelo e, na jep diçka të pamishtë, të ashpër, deri edhe të dhunshme. Shkrimi i tij është si i gdhendur në mermer.

Ç’mund të thuhet tjetër për një Ungjill, që nis kështu?

“Fillimi i Ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Hyjit” (Mk 1,1)

Ndoshta, ka mundësi që shën Marku ungjilltar të mos e njihte fëmijërinë e Jezusit, në ndryshim nga Mateu e Luka, por edhe ungjilltari i katërt, shën Gjoni, bën të njëjtën gjë dhe e fillon shkrimin nga ardhja e shën Gjon Pagëzuesit.

Në pamje të parë, Marku duket një kronist pak si pa përvojë, por, në të vërtetë, Marku heq diçka, duke e goditur mermerin që ka në dorë, me synimin për të lënë një shenjë më të thellë.

Fillimi është i prerë, gati autoritar e, çdo fjalë nuk shërben për të treguar, por për ta mbërthyer lexuesin. Ngjeshja e këtij Ungjilli, shkurtësia e tij është paradigmatike. Që në fillim, autori nuk humb kohë dhe e bën të qartë qëllimin e tij. Paradigma tregon gjithçka, fare haptas. Por në shën Markun ungjilltar, paradigma bëhet shpejt enigmë e të dyja udhëtojnë së bashku përgjatë gjithë shkrimit. Nëse paradigma tregon, enigma mbulon. E shën Marku i ka shqetësuar prej kohësh lexuesit e tij me atë, që është quajtur “sekreti mesianik”. Por për të mësuar më shumë, ju ftojmë të na ndiqni të enjten e ardhshme, gjithnjë në rubrikën tonë “Çelësi i fjalëve të Kishës”, në të cilën do të vazhdojmë t’ju flasim për Ungjillin sipas Markut.

23 maj 2019, 09:52