Kërko

Të krishterë të Burkina Fasos Të krishterë të Burkina Fasos 

Burkina Faso: sulm i ri kundër një kishe katolike, 4 viktima

Sulm i ri kundër një kishe katolike në Burkina Faso. Një grup i armatosur hapi zjarr në Toulfé, në veri të vendit, duke vrarë katër besimtarë. Dy të tjerë u plagosën rëndë. Është atentati i katërt kundër të krishterëve, gjatë muajit të fundit.

R.SH. - Vatikan

Katër besimtarë mbetën sot viktima të një sulmi kundër një kishe katolike në Burkina Faso. Në mëngjes, individë të armatosur hynë në kishën e Toulfé, një qytet në veri, rreth 240 kilometra nga kryeqyteti i vendit, dhe hapën zjarr mbi besimtarët e mbledhur në lutje.

Sulmi i katërt kundër të krishterëve, brenda një muaji

         Në fund të prillit, u vranë një pastor protestant dhe pesë besimtarë të një kishe tjetër në Burkinën veriore. Më 12 maj, gjatë një sulmi në qytetin qendror të Dablos, humbën jetën një meshtar katolik e pesë besimtarë, ndërsa vetëm dy ditë më vonë, katër katolikë u vranë në Ouahigouya. Deri tani, askush nuk i ka marrë përsipër këto sulme, që mund të cënojnë seriozisht marrëdhëniet tradicionalisht paqësore ndërmjet shumicës myslimane dhe të krishterëve, të cilët përbëjnë një të katërtën e popullsisë së Burkina Fasos. Qeveria akuzon grupe terroristësh pa emër, që veprojnë në vend dhe në rajonin e Sahelit. Ekstremistë islamikë, me seli në Mali, e përdorin veriun dhe qendrën e vendit për sulme në Burkina Faso dhe në Niger.

Burkina Faso në shënjestrën e terroristëve

         Burkina Faso është vënë në shënjestrën e xhihadistëve që nga prilli 2015, kur një degë e Al Kaedës rrëmbeu rojen rumune të sigurisë në një minierë manganezi, në veri të vendit. Që atëherë, numri i sulmeve terroriste është rritur në mënyrë eksponenciale. Sipas Qendrës afrikane për Studime Strategjike, në vitin 2015 ato ishin 3, për të arritur në 12 më 2016, në 29 më 2017 dhe në 137, në vitin 2018.

Grupet xhihadiste veprojnë në rajonin e Sahelit

         Rajoni më i pasigurtë është Saheli, në kufi me Malin e Nigerin, por edhe në Burkina Faso, gjendja është keqësuar, sidomos nga vera e vitit të kaluar. Së bashku me Malin, Mauritaninë, Nigerin dhe Çadin, vendi bën pjesë në G5 për Sahelin, grup, që i ka vënë qëllim vetes të luftojë terrorizmin xhihadist në zonë.

27 maj 2019, 12:35