Kërko

 Katedralja e Zojës së Kaya Katedralja e Zojës së Kaya 

Burkina Faso: Kisha në zi! Vritet një meshtar tjetër

Vijon tensioni në Burkina Faso, teatër i sulmeve të vazhdueshme terroriste dhe i akteve kriminale kundër bashkësive fetare. Theret me thikë një meshtar tjetër spanjoll: Fernando Fernández.

R. SH. - Vatikan

Kisha në Burkina Faso është përsëri në zi; qan një meshtar tjetër, salezianin  me origjinë spanjolle, atë Fernando Fernández, therur me thikë  të premten e kaluar, rreth orës 12.00, pranë mensës të Qendrës Dom Bosko, në qytetin Bobo Dioulaso, në Jug-Perëndim të vendit. Nuk janë terroristët këtë herë, që e shkaktuan vdekjen e  meshtarit. E theri kuzhinieri i bashkësisë saleziane, sepse atë Fernando e kishte pushuar nga puna. Gjatë sulmit, një salezian tjetër, atë Germain Plakoo-Mlapa, drejtor i studimeve, me origjinë togoleze, u plagos rëndë e u mbart me shpejtësi në spital. Vrasësi u arrestua nga policia.

Atë Fernando ishte ekonom i Qendrës Dom Bosko në Bobo Dioulaso, qyteti i dytë i Burkina Faso-s, 300 km larg kryeqytetit Ouagadougou. Në vitin 1994 saleziani ndërtoi dhe organizoi një  qendër në ndihmë të djemve e vajzave të rrugës, një qendër për alfabetizimin dhe një tjetër, për formimin profesional, të ndjekur nga 300 nxënës.

Sulme kundër bashkësive fetare

Vrasja e salezianit spanjoll është vetëm një nga episodet, që pason një seri të vdekurish në bashkësitë fetare në vend, teatër, javët e fundit, i një mori sulmesh terroriste, posaçërisht në veri. Më 14 maj, në Dori, u vra një hoxhë me gjithë të birin. Të hënën, më 14 maj, në Bam (Veri) katër besimtarë katolikë vdiqën pas një sulmi nga ana e terroristëve, ndërsa mbartnin me procesion shtatoren e Zojës, që gjithashtu mbeti e masakruar! Një ditë më parë, në Dablo, gjatë Meshës Shenjte qenë vrarë  gjashtë të krishterë, ndërmjet të cilëve, një prift, atë Siméon Yampa. Më 5 maj terroristët vranë një famullitar me 5  besimtarë, në përfundim të një ceremonie fetare në Soum. Më 15 shkurt 2019, një prift spanjoll, atë Antonio César Fernadez Fernandez, me shërbim në Togo, por i transferuar në Burkina Faso, u vra në kufirin ndërmjet dy vendeve, gjatë një sulmi terrorist, që i kushtoi jetën edhe katër policëve.

Shqetësimi i Papës, për sulmin mbi  të krishterët në Burkina Faso

Situata në Burkina Faso është shumë shqetësuese. Shqetësohet bota, duke nisur nga OKB-ja. E edhe më shumë Papa, i cili pak ditë më parë shprehu dhimbjen për sulmin kundër Kishës në Dablo e, sidomos, për masakrimin e besimtarëve. Ipeshkvi i Kaya, imzot Theophile Nare i ftoi të krishterët  të mos  frikësohen e, sidomos, të mos tundohen për të marrë hak!

19 maj 2019, 11:10