Cerca

Vatican News
 Vangelo di domenica Vangelo di domenica 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 6-të të kohës së Pashkëve “C”

Fjala Zotit e kësaj së diele na flet për dhuratat e Krishtit të Gjallë: paqen e Shpirtin Shenjt. Në fjalimin e lamtumirës, që na sjell Ungjilli nga Gjoni, Jezusi nuk i le vetëm dishepujt e tij; premton se do të jetë i pranishëm në dhuratën e Shpirtit Shenjt, në eksperiencën e dashurisë e në dhuratën e paqes. Kështu dishepujt do të fitojnë mbi çdo frikë e kundërshti.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Liturgjinë e Fjalës Hyjnore të dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 6-të të kohës së Pashkëve, ciklit të tretë, sipas kalendarit kishtar.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 6-të të kohës së Pashkëve “C”

Ungjilli i kësaj së diele na flet për dhuratën e premtuar nga Jezusi, para se të largohej nga dishepujt e tij: paqja. Çka nuk vjen nga bota, por nga Shpirti Shenjt, është e thellë, mbetet edhe gjatë sprovave, madje, na jep guxim për të ecur përpara, duke i bërë zemrat të gëzohen. Pra, Jezusi është duke përfunduar misionin që Ati i ka besuar e po kthehet tek Ai, por nuk na lë të vetëm. Ai na premton dhuratën e Shpirtit, dhuratën që duhet ta meritojmë me lutje e me dëshminë e përditshme të një jete vërtetë të denjë për atë që beson në Zotin dhe në ringjalljen e jo në gjëra tokësore e ka vendosur shpresën e vet.

Liturgjia e kësaj së diele të gjashtë të Pashkëve na përgatit për kremtimin e ardhshëm të të Shëlbuemit, do të thotë të të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell. E Jezusi personalisht e përgatit Kishën e tij për të jetuar e vijuar misionin e shëlbimit, pa praninë e Tij të dukshme, pa prezencën e Tij fizike, po gjithnjë plot bindje për praninë e Tij reale.

Është një situatë e re, në të cilën duhet të mësohen jo vetëm dishepujt që e kanë pa, dëgjuar, prekur, ndjekur Jezusin, por edhe ne që duhet të besojmë se është Ai  - Jezu Krishti Gjallë që në Sakramente pagëzon, krezmon, falë, shenjtëron. Kjo bindje në prezencën/mungesën e  Tij është dhuratë e Shpirtit Shenjt Zot që na udhëheq në njohjen dhe eksperiencën tonë të përditshme me Të.

Këtë të diel të gjashtë të Pashkëve, pra, leximet biblike fillojnë të tregojnë jetën e komunitetit të parë të krishterë, do të thotë veprimtarinë e Kishës së parë në kohën e apostujve. Asambleja apo Koncili parë që apostujt mbajtën në Jerusalem, përballë problemeve të të krishterëve të ardhur e të konvertuar nga paganizmi, i sheh dishepujt dhe pleqtë, që vendosin nën frymëzimin dhe ndikimin e veprës së Shpirtit Shenjt Zot, që të mos u imponohen më paganëve të konvertuar në fenë e Krishtit ato detyrime që konsideroheshin të domosdoshme, siç ishin për shembull ligjet e Judenjve, ndër to edhe rrethprerja.

Tema kryesore e Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele është dhurata e Krishtit të Gjallë: paqja e Shpirti Shenjt. Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele (Gjn 14,23-29) Jezusi thotë: “Nuk ju lë jetimë”- Jetimi është imazhi më i dhimbshëm i vetmisë së njeriut. E vetmia është një e keq që na prish paqen e zemrës, që than e shpirtin, me një fjalë na shkatërron.

Por Jezusi ka premtuar se do mbetët gjithmonë me ne dhe për këtë na dërgon Shpirtin Shenjt, Ngushëlluesin. E pastaj Jezusi shton: “Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta duajë, tek ia do të vijmë dhe tek ai do të banojmë”. Fryti i këtij banimi të Hyjit në ne është paqja: “ Po ju lë paqen, po ju jap paqen time. Nuk po jua jap siç jua jep bota”. Ja pra porosia e Fjalës së Zotit e kësaj të diele është të jetojmë sipas Ungjillit. Sepse ky është vullneti i Zotit, e vetmja dhe e mira më e madhe e njeriut është të gjejë pikërisht në vullnetin e Zotit paqen dhe lumturinë e jetës.

                                                  Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë Vap 15, 1-2.22-29
Koncili i Jerusalemit shënon një datë vendimtare në historinë e Kishës: deklarohet ndarja nga judaizmi dhe hapja ndaj botës pagane. Apostujt pohojnë: nëse paganët janë thirrur drejt shpëtimit është vullneti i Hyjit, për këtë askush nuk duhet të pengojë kthimin e paganëve drejt krishterimit. Nga ana tjetër Koncili u kërkon paganëve të kthyer të mos ofendojnë hebrenjtë që ndihen të lidhur nga disa tradita. 

Lexim prej Veprave të Apostujve
Në ato ditë, zbritën disa prej Judesë dhe filluan t’i mësojnë vëllezërit: “Po nuk u rrethpretë sipas dokes së Moisiut, nuk mund të shëlboheni.” U bë një grindje dhe një rragatje jo e vogël ndërmjet tyre dhe Palit e Barnabës. U përfundua që Pali, Barnaba e disa tjerë prej tyre të shkojnë në Jerusalem tek apostujt e pleqtë për ta sqaruar çështjen. 
Atëherë apostujt e pleqtë në përkim me mbarë Kishën, përfunduan që t’i zgjedhin disa njerëz prej tyre e t’i dërgojnë bashkë me Palin e Barnabën, në Antioki. U caktuan Juda që quhet Barsabë, dhe Sila, njerëz me rëndësi ndër vëllezër. Për duar të tyre u dërguan këtë letër: “Apostujt dhe pleqtë, vëllezërit, vëllezërve të kthyer prej paganëve në Antioki, në Siri, e në Cilici, përshëndetje!
Pasi morëm vesh se disa prej tanëve, por pa lejen tonë, erdhën dhe ju trazuan me disa fjalë duke ua shqetësuar shpirtin, ne, prandaj, caktuam, në përkim të plotë të të gjithëve, të zgjedhim disa njerëz e t’i dërgojmë ndër ju bashkë me të dashurit tanë Barnabën e Palin, njerëz që ia kanë kushtuar jetën e vet Zotit tonë Jezu Krishtit. 
Po ju dërgojmë, pra, Judën e Silën, të cilët do t’jua kumtojnë gojarisht po të njëjtën gjë. Përfunduam, pra, Shpirti Shenjt dhe ne të mos ju ngarkojmë asnjë barrë tjetër përmbi ato që janë të nevojshme: të ruhemi prej mishit të flijuar idhujve, prej gjakut, prej mishit të bagëtisë së furur ose të mbytur në ujë dhe nga fëlligështia. Bëni mirë nëse do të ruheni nga këto. Shëndet e të fala.” Fjala e Zotit.

Psalmi 67
Popuj të gjithë, lavdërojeni Zotin
--- --- --- 
Hyji pastë mëshirë për ne e na bekoftë,
bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne,
që në tokë të njihet udha e tij,
në të gjitha kombet shpëtimi i tij.
--- --- --- 
Le të galdojnë e le të brohorisin popujt,
sepse popujt i gjykon me drejtësi,
sepse kombet mbi tokë ti i sundon.
--- --- --- 
Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj,
mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!
Na bekoftë Hyji!
Frikë e paçin mbarë skajet e botës!
--- --- --- 

Leximi i dytë Zb 21, 10-14.22-23
Gjoni paraqet Kishën si Jerusalemin e ri, që me përvujtëri dhe lodhje ecën përgjatë shekujve në pritje për të shkëlqyer në lavdinë e Hyjit Atë dhe të Krishtit të ringjallur. Por, që tani, të krishterët janë thirrur për të vendosur themelet e qytetit të ardhshëm që shkëlqen nga drita e Hyjit.

Lexim prej Letrës së parë të shën Gjonit apostull
Engjëlli më kaloi në shpirt në maje të një mali të lartë dhe ma tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin: po zbriste nga qielli, prej Hyjit! Shkëlqente nga lavdia e Hyjit: i shndritshëm porsi guri i paçmueshëm, porsi guri diaspër kristalor. Rreth e rreth me mure të mëdha e të larta; kishte dymbëdhjetë dyer e në dyer dymbëdhjetë engjëj dhe të shkruar emrat e dymbëdhjetë fiseve të bijve të Izraelit. 
Në lindje tri dyer, në veri tri dyer, në jug tri dyer e në perëndim tri dyer. Muret e qytetit kishin dymbëdhjetë themele e mbi to dymbëdhjetë emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit. Sheshi i qytetit – ar i kulluar, i tejpashëm porsi kristali. Në qytet tempull nuk pashë: sepse tempulli i tij është Zoti, Hyji, i Gjithëpushtetshmi edhe Qengji. Qyteti s’ka nevojë për diell as për hënë për t’u ndriçuar, sepse e ndriçon Lavdia e Hyjit, kurse llamba e tij është Qengji. Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja
.
Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, thotë Zoti. 
Ati im do ta duajë e tek ai do të banojmë.
Aleluja!

Ungjilli Gjn 14, 23-29
Pasi ka premtuar paqen e tij, Krishti u premton apostujve dërgimin e Shpirtit Shenjt. Shpirti i është dhuruar Kishës për të realizuar fjalën e Krishtit dhe për të dëshmuar Ungjillin. 
Në bindje ndaj dashurisë së Krishtit pas mundimeve të tij, Kisha është e mbështetur nga veprimi i Shpirtit dhe zbulon gëzimin e Zotit të ringjallur.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta duajë, tek ai do të vijmë dhe tek ai do të banojmë. Kush nuk më do, nuk i mban fjalët e mia. E fjala që po dëgjoni, nuk është imja, por është e Atij, që më dërgoi, e Atit. Këto fjalë jua thashë ndërsa banova me ju. E Shpirti Shenjt, Mbrojtës, të cilin do t’jua dërgojë Ati në Emër tim, Ai do t’jua mësojë të gjitha dhe do t’ju përkujtojë gjithçka unë ju thashë. Po ju lë paqen, po ju jap paqen time! Nuk po jua jap siç e jep bota. Mos t’ju shqetësohet zemra as të mos ju trembet. Ju dëgjuat se ju thashë: ‘Po shkoj dhe do të kthehem tek ju’. Po të më donit, do të galdonit se po shkoj tek Ati, sepse Ati është më i madh se unë. Ju thashë tani, para se të ndodhë, që të besoni kur të ndodhë”. Fjala e Zotit.

25 maj 2019, 11:25