I martiri beati della Chiesa albanese I martiri beati della Chiesa albanese 

Imzot Gaspër Thaçi, kryeipeshkёv i Shkodrёs, në përvjetorin e vdekjes

Shquhej për guxim të jashtëzakonshëm, kur duhej mbrojtur Ungjillin e grigjën që i qe besuar. E kjo, në kohë të vështira, kur Kisha shqiptare, me kryqin e rëndë mbi supe, po ngjitej, e sharë, e pështyrë, e gjakosur, në majën e Golgotës.Nuk u bë kurrë vegël e asnjë politike: mbeti atdhetar i kulluar, predikatar i zjarrtë i Lajmit të Mirë

R.SH. - Vatikan

Më 26 maj bie përvjetori i vdekjes së kryeipeshkvit të Shkodrës, izmot Gaspër Thaçit, i cili ndërroi jetë në  vitin 1946. Figurë e madhe kombëtare e kishtare, imzot Gaspër Thaçi qe bari shpirtëror i vërtetë, mbrojtës e kultivues i vlerave kombëtare e kishtare, kulturore e shpirtërore. Dëshmitar i patrembur i fesë në Krishtin e mbrojtës i të vërtetës.

Me vdekjen e Imzot Lazër Mjedjes, kryeipeshkvit të Shkodrës, vendin e tij me 19 mars 1936 e zuri Imzot Gaspër Thaçi. Mësimet fillore Imzot Thaçi i kreu në shkollat kishtare të vendlindjes, në Shkodër e pastaj, sikurse edhe shumica e klerikëve të tjerë shqiptarë, vijoi studimet teologjike e filozofike në Insbruk, Austri. Meshën e parë e çoi më 21 nëntor 1911 dhe menjiherë filloi shërbimin si famullitar në dioqezin e Sapës në Nënshat, Dajç e Qelëz të Pukës, ku me 8 dhjetor 1912 ngriti edhe flamurin shqiptar.

Nën drejtimin e tij u organizuan shumë konferenca tepër të rëndësishme me karakter doktrinor e shoqëror që patën për qëllim përgatitjen e besimtarëve katolikë për kohët që po afroheshin nën diktaturën komuniste.


Imzot Gaspër Thaçi nuk u bë kurrë vegël e asnjë politike: mbeti atdhetar i kulluar, predikatar i zjarrtë i Lajmit të Mirë, orator i shquar, njeri që nuk dinte t’i përdridhte fjalët, shpirt i kulluar, meshtar i vërtetë i Krishtit. Prandaj i tërhiqte aq fort besimtarët, që shikonin në Të njeriun i cili jetonte ashtu si predikonte.

Imzot Thaçi qe organizatori i komitetit për kremtimin e festive jubilare të Shna Ndout e të Shën Luigj, si edhe 700-vjetorit të lindjes së Shën Françeskut, ngjarje të cilave, shtypi i asaj kohe u kushtoi vëmendje të veçantë.

Mbylli sytë në Shkodër me 26 maj të vitit 1946 pas një lëngate të gjatë e pasi kishte parë edhe fillimin e martirizimit të Kishës katolike shqiptare nën diktaturën ateiste të komunizmit. Salikimet u kremtuan me datë 29 të po atij muaji. E ishin salikimet e fundit madhështore që përjetonte Shkodra, me një mesazh të qartë se populli nuk e donte komunizmin.

          ****

Nga dom Marjan Lumçi: Imzot Gaspër Thaçi: Funerali qe solli shume viktima

07/05/2008

Ishte vetëm një funeral, por kishte një domethënje të madhe…e, edhe një ndëshkim edhe më të madh. Përmes atij funerali, Shkodra donte ti tregonte diktaturës se: “Nuk e donte komunizmin, nuk e donte diktaturën dhe ateizmin e saj”, ndërsa pala tjetër do ti tregonte Shkodrës, se ai mendim, ai qëndrim, në diktaturën e proletariatit kishte një ndëshkim të rëndë.

Nuk mund të numërohen viktimat e atij funerali, sa të burgosur, sa të martirizuar e të pushkatuar, sa të vrarë në kufi gjatë arratisjes e ndër qelitë e sigurimit gjatë masakrimit të tyre, sa të rinjë e gjimnazistë por edhe sa klerikë e deri pleq, si romancieri i parë shqiptar Dom Ndoc Nikaj, që aso kohe ishte jo më pak se 80 vjeç dhe “shëtitej “rrugëve të Shkodrës me një armë në krah për diskreditim…

Le të ndalemi pak tek vetë ngjarja, pra tek funerali:

25 MAJ 1946, VDES NËN ANKTH IMZOT GASPËR THAÇI

Ka lindur në Shkodër me 23.I.1889 në familjen e dëgjuar shkodrane të Thaçëve. Shkollën fillore dhe të mesmen i kryen në qytetin e lindjes në Kolegjin Saverian dhe më tej në Seminarin Papnor. Më 1908 dërgohet në Austri për të vazhduar studimet në teologji dhe filozofi në Innsbrucck. Kthehet në atdhe dhe shugurohet meshtar në Shkoder. Me 21.IX.1911 kremton meshën e parë dhe shërben si famullitar në dioqezën e Sapës në Nënshat, Dajç e për dy herë në Qelëz si famullitar në fshatrat e Pukës e në vitin 1929, caktohet famullitar në Katedralen e Shkodrës.

Si klerik dhe atdhetar i spikatur kur ishte famullitar në dioqezën e Sapës, Qelzën e thellë malore, do të ngrinte flamurin e Shqipërisë me 8 dhjetor 1912. Mbas sëmurjes së Imzot Lazër Mjedës, me 19.III.1936 së bashku me Imzot Vinçenc Prennushin O.F.M. shugurohet arqipeshkëv Metropolit i Shkodrës dhe Metropolit i Shqipërisë nga Delegati Apostolik Imzot Gjon Della Pietra, në Katedrale. Është Vikar i Përgjithshëm i Arkidioqezit të Shkodrës dhe famullitar i saj që aso kohe kishte afro 15 mijë katolikë e afro 50 meshtarë (rast i rrallë po të krahasohet me çdo qytet tjetër). Me këtë funksion Imzot Thaçi shërben nga viti 1936 deri në vdekjen e tij, në fund të vitit 1946, në Shkodër. Si arqipeshkëv, ndihmon në ndërtimin e kishave ndër të cilat atë të Bërdicës, kishën e Rusit, Kapelen e Varrezave, shuguron elterin e Shna Ndout në Kishën Françeskane, ndihmon në botimin e revistave si “Kumbona e së dieles” etj. Lë përshtypjet më të mira në autoritetet e vendit e të huaja që takohen me të. Nuk i del në pritje Mehmet Shehut, kur erdh për vizitë në Pallatin e Arqipeshkvisë, ditën e Pashkëve, një javë mbas pushkatimit të Dom Ndre Zadejës.

Mbrojtës i zjarrte i Fesë dhe idealeve të Tija, politikan e diplomat në kushtet e vështira që jetoi, shkëlqeu kurdoherë në dobi të Fesë dhe të kombit. Është Arqipeshkëv i Shkodrës dhe primat i Kishës Katolike kur komunistët marrin pushtetin në Tiranë. Së bashku me Imzot Prennushin, thirret nga Enver Hoxha që i propozon të këpusin mardhënjet me Romën dhe ata e refuzojnë.

I vendosun në rezidencë nën kontroll, e në kushte izolimi, të thuash arrest shtëpije për vete, asiston i pafuqishëm ndaj arrestimit të priftërinjëve, ekzekutimin dhe eleminimin e urdhërave fetare, për mbledhjet që ishin bërë e drejtuar prej Tij. Por duke u shtrembëruar e veshur me pabesitë komuniste. E dinin se ishte i sëmurë, e megjithatë policia vinte çdo ditë për ta pyetur ose kalonte në zyrën e tij.

Presioni dhe ngjarjet e kobshme të periudhës, kërcënimi e pushkatimet e kolegeve të tij, Dom Lazer Shantoja, Dom Ndre Zadeja, Atë Anton Harapi e mbi të gjitha pushkatimet në masë të datës 4 mars 1946, me Atë Gjon Shllakun, Faustin, Dajanin e sa të tjerë civilë, bëhen shkak të rëndimit të menjëhershëm të gjendjes dhe të vdekjes së tij.

Vdes në ato kushte tmerri e terrori që jetonte qyteti i Shkodrës e posaçërisht Kleri katolik shqiptar, mbasi vuante edhe nga diabeti, me 26 maj 1946. Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçi, vdiq mbas një survejimi të rreptë. U bë një funeral nëpër qytet e kur po kthente proçesioni pranë Katedrales, ngjau ai incident që tashmë e dimë të gjithë. Një kamion kishte zënë udhën në mes, i vumë me qëllim. Atëherë të rij e burra të fortë e shmangen kamionin për t’i lirue vend funeralit. Në liceun e shtetit, drejtoria ndalonte studentët të merrnin pjesë në funeral, por ishte i pamundur ndalimi. Zhvillohet ai funeral i guximshëm nga rinia nëpër gjithë qytetin e Shkodrës, që më vonë do të bëhet shkak për burgosjen, torturimin e dënimin e sa e sa klerikëve dhe qytetarëve tjerë. Ja përse e cilësuam atë si „funerali që solli aq shume viktima“

Varroset në Katedralen e Shkodrës. Eshtrat e tija qëndrojnë aty deri në marsin e vitit 1967 kur, duke u kthyer në Pallat Sporti, do të treteshin pa ju ditur ende sot vendi i tyre.

26 maj 2019, 16:05