Kërko

Vatican News
 Dalla messa di beatificazione dei 38 martiri albanesi Dalla messa di beatificazione dei 38 martiri albanesi  (Klaudia Bumci)

Mё 12 maj kalendari kishtar pёrkujton tё Lumin dom Ejell Deda, meshtar e martir

I Lumi dom Ejëll Deda, meshtar e martir i Krishtit, vdiq duke dëshmuar fenë në Zotin, dashurinë ndaj të afërmit, përkushtimit ndaj popullit e mbrojtur atdhedashurinë, nё periudhën e diktaturës së errët ateiste komuniste nё Shqipëri. U shpall i Lum në Shkodër më 5 nëntor 2016, sё bashku me 37 martirë tjerë tё Kishës katolike shqiptare.

R.SH. - Vatikan

Kalendari kishtar mё 12 maj, pёrkujton tё Lumin dom Ejëll Deda, meshtar e martir i Krishtit, nё periudhën e diktaturës ateiste komuniste nё Shqipëri.

Dom Ejell Deda lindi nё Shkodër, 22.02. 1917, vdiq po nё Shkodër, 12. 05. 1948.  I Lumi dom Ejell Deda qe famullitar nё Bushat, u arrestuar nga regjimi komunist vetëm pse ishte prift, vdiq më 12 maj tё vitit 1948 në spitalin e burgut, mbas torturash çnjerëzore.

Dom Ejell Deda u shpall i Lum në Shkodër më 5 nëntor 2016, sё bashku me 37 martirë tjerë tё Kishës katolike shqiptare. Nё tё njëjtin grup bëjnë pjesё edhe nëntëmbëdhjetë meshtarë tё tjerë dioqezanë dhe martirët e vrarë më 4 mars 1946.

Anmiku i popullit, që nuk pat kurrë asnjë anmik (Dom Ejëll Deda, parë nga atë Zef Pllumi)
Kur ishem fëmi, e pat pru Dom Alfons Tracki në Pulaj. Ishte ma i madhi ndër ne. Kishte krye edhe shkollën fillore e, si ma i afti e ma i pjekuni, kryente funksionet e kujdestarit: ai ishte qytetar, e na të tjerët, të gjithë malsorë. Në vjetën 1831 Dom Alfonsi na pveti ku dojshim me shkue: ndër freten apo ndër priftën. Ky kërkoi për prift. Por Dom Alfonsi e dergoi në Kolegjën Françeskane. Mbas ndonji vjeti bani noviciatin në Troshan me emnin Fra Anselm. Muer edhe profesionin e thjeshtë tre vjeçar. Por gjatë kësaj kohe kërkoi të kalonte në Seminarin Papnuer. 

Ishte djalosh tepër i mirë. I buzëqeshun. Me humor të hollë, të kandshëm. Me jetë shpirtnore të formueme. Kështu ishte, kur kaloi prej klerikatit françeskan, e u përfshi në Djoqezin e Shkodrës. Prej seminari, u dërgue në Kolegjin Urban të Romës. Kur ktheu në Shqipni, e emnuen famullitar në Bushat. Si me e pasë shenjue Zoti për atë vend. Bushati, 15 km larg Shkodrës, asht fshati ma i randësishëm, me aktivitet të gjithanshëm. Banorët e Bushatit janë kandidatët e parë për qytetarinë shkodrane. Me karakterin e tij gazmor e miqsor, dom Ejëlli u ba menjëherë boshti i gjithë jetës së atij fshati, ku kishte katolikë e myslimanë. U ba vëlla i vërtetë i të mirëve e i të këqijve, i të pasunve e i të vorfënve. Nuk pat në jetë kurrnjë keqdashës. Asnji anmik. Vetëm për ketë e mbyllën në burg: për shkak të popullaritetit të tij.

10 maj 2019, 16:52