Kërko

 Sulme mbi kishat, në Sri Lanka Sulme mbi kishat, në Sri Lanka 

Tmerr në Sri Lanka: shpërthime në kisha e hotele, në të gjithë vendin

Gjithnjë në rritje bilanci i shpërthimeve, që goditën, në Sri Lankë, disa kisha dhe disa hotele gjatë kremtimeve të Pashkëve. Ndërmjet viktimave, edhe të huaj. Në një vend të tronditur rëndë nga lufta civile, që përfundoi më 2009, me më se 80 mijë të vdekur.

R. SH. - Vatikan

Së paku 156 të vdekur e disa qindra të plagosur - ky, bilanci i përkohshëm  i një sërë shpërthimesh, që goditën disa kisha gjatë kremtimeve të Pashkëve si dhe disa hotele, në Sri Lanka. Burimet e shtypit, ende kontradiktore, flasin për shpërthime në kishën e Shën Andout në Kolombo e në atë të Shën Sebastianit në Negombo, lokalitet me shumicë katolike, në veri të kryeqytetit. Në shënjestër, edhe një kishë në Batticaloa, në lindje. Shpërthime pati edhe në një ndërtesë tjetër kulti, në Katuwapitiya, gjithnjë në veri të Kolombos. Kremtimet e Pashkëve u ndërprenë në të gjithë vendin. Policia e këshillon popullsinë të rrijë në shtëpi e të ruajë qetësinë.

Ndërmjet viktimave, edhe të huaj

U goditën edhe disa hotele, të frekuentuara nga turistët. Ndërmjet tyre, Cinnamon Grand Hotel, Kingsbury dhe Shangri-La, në zemër të Kolombos. Forcat e sigurimit po tregojnë vëmendje të veçantë për sigurinë në qytet e në aeroport. Sipas autoriteteve vendase, ndërmjet viktimave, ka edhe të huaj: të paktën 35. Nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, dënim i njëzëshëm i atentateve.

Lufta civile

Vendi, me 21 milion banorë, shumica budistë, 7% të krishterë, jetoi një luftë të gjatë civile ndërmjet qeverisë Sri Lankeze e rebelëve tamil: të dhënat e OKB-së flasin për rreth 80 mijë viktima ndërmjet viteve 1979 e 2009.

21 prill 2019, 11:41