Kërko

 Figurja e Mëshirës Hyjnore Figurja e Mëshirës Hyjnore 

T’ia besojmë veten Mëshirës Hyjnore!

“Paqja qoftë me ju!” – ky, urimi i të Dielës së dytë të Pashkëve, solemnitet i festës së Mëshirës Hyjnore.

R. SH. - Vatikan

Të Dielën e dytë të Pashkëve, Kisha katolike kremton solemnitetin e festës së Mëshirës Hyjnore. Kulti i Mëshirës Hyjnore mbetet i lidhur ngushtë me përvojën mistike të rregulltares polake, Faustina Kovalska, lindur në fillim të shekullit të kaluar e vdekur në moshën 33 vjeçe, më 1938. Sot përshpirtëria e rregulltares, lartuar në nderimet e altarit nga Papa Gjon Pali II, është përhapur në shumë vise të botës.

Kujtojmë se solemniteti u kremtua për herë të parë nga Papa Shën Gjon Pali II. Nësa vizitonte Krakovinë e Polonisë, më 30 prill 2000, ia besoi mbarë botën Mëshirës Hyjnore, për të cilën njerëzimi ka aq shumë nevojë edhe sot. E nevojë të ngutshme për këtë dhuratë kanë posaçërisht Vendet ku sundojnë dhuna, urrejtja e tragjedia e luftës. Kjo ditë i fton të gjithë të krishterët të jenë dëshmitarë të mëshirës së Zotit, të luten që Dashuria Hyjnore të fitojë mbi mëkatin e që e mira ta mundë të keqen. 

Me këtë të diel përfundoi një javë, e cila për Liturgjinë është si një ditë e vetme: “Dita që e bëri Zoti” (Ps. 117,24). Nuk është kohë kronologjike, por shpirtërore, që Hyji e shtriu në indin e ditëve, kur e ngjalli Krishtin prej të vdekurve. Shpirti Krijues, duke ndikuar jetën e re e të pasosur në korpin e varrosur të Jezusit të Nazaretit, përplotësoi veprën e krijimit dhe shënoi kështu fillesën e një fryti të parë: fryt i parë i njerëzimit të ri që, në të njëjtën kohë, është edhe fryt i parë i një bote të re e i një epoke të re. Ky risim i botës mund të përmblidhet me një fjalë vetme: me atë fjalë që përdori vetë Jezusi për t’i përshëndetur dishepujt e për t’u kumtuar fitoren e tij: “Paqja qoftë me ju!” (Lk. 24, 36; Gjn, 19. 21.26).

Paqja është dhuratë. Krishti ua la miqve të vet (cfr Gjn 14, 27) si bekim që u përket gjithë njerëzve e mbarë popujve. Nuk është paqe sipas mendësisë së botës, e parë si drejtpeshim forcash, por realitet i ri, fryt i dashurisë së Hyjit, i mëshirës së tij. Është paqja që Jezu Krishti e fitoi me çmimin e gjakut të vet e  ua dhuron të gjithë atyre, të cilët besojnë në Të. “Jezus, besoj në Ty!”: në këto fjalë përmblidhet gjithë feja e të krishterit, krejt besimi në gjithëpushtetin e Dashurisë përdëllyese të Hyjit.

Po çka i kujton njerëzimit e Diela e Mëshirës Hyjnore?

Themelimi i së Dielës së Mëshirës Hyjnore nga Papa Shën Gjon Pali II, duhet vlerësuar si dhuratë e madhe për Kishën e për mbarë njerëzimin. Kjo e Diel i krijon Kishës mundësinë t’ia kumtojë botës mëshirën e Zotit e t’i flasë për madhështinë e saj të pambaruar. Përhapja e jashtëzakonshme e kultit të Mëshirës Hyjnore, që nga beatifikimi i motrës Faustina më 18 prill '93, tek kanonizimi i saj më 30 prill 2000, buron nga nevoja që ka çdo njeri për Mëshirën Hyjnore, sepse - siç thoshte Papa Shën Gjon Pali II - ku tjetër, përveçse në Mëshirën Hyjnore, mund të gjejnë strehë e shpresë njeriu e bota?

27 prill 2019, 10:28