Kërko

 Katedralja e Shën Marisë së Parisit Katedralja e Shën Marisë së Parisit 

Shën Maria e Parisit është aty, e paprekur nga zjarri

Në internet vijon ftesa drejtuar turistëve: “Nëse dëshironi ta vizitoni Katedralen e Shën Marisë së Parisit, mund t’i porosisni biletat online…” Ftesë ogurmirë, që të mbush me shpresë për të ardhmen…

R. SH. - Vatikan

Në internet vijon ftesa drejtuar turistëve: “Nëse dëshironi ta vizitoni Katedralen e Shën Marisë së Parisit, mund t’i porosisni biletat online…” Ftesë ogurmirë, që të mbush me shpresë për të ardhmen, kur Shën Maria do ta shikojë përsëri shtëpinë e saj pariziane, ashtu siç ishte, para se të binte zjarri: vendi kryesor i kultit katolik në Paris. Zemra e kryeqytetit francez. Një nga ndërtesat gotike më të famshme në botë. Monumenti më i vizituar i kryeqytetit të Francës, duke ia kaluar edhe Luvrit.

Katedralja e Shën Marisë është edhe jotja….

Mbi bazë të Ligjit frëng të ndarjes së Shtetit nga Kisha më 1905, ndërtesa është pronë e shtetit francez, si të gjitha katedralet e ndërtuara nga Mbretëria Franceze, por e lënë nën drejtimin e Kishës katolike. Pronësi simbolike, kjo. Sepse prej kohe është shkruar në krye të listës së Unescos si pasuri, që na takon të gjithëve. Është edhe imja, edhe jotja…  

Para se të ishte katedrale

Katedralja u lartua mbi një tempull të lashtë pagan, kushtuar Jovit. Fillimisht iu kushtua Shën Shtjefnit. Më pas, e pikërisht në vitin 1160, kur teologu Maurice de Sully u emërua ipeshkëv i Parisit, nisi zgjerimi e zbukurimi i saj, që do të vijonte në shekuj. Me çaste fatlume, por edhe dramatike, të cilat mund të krahasohen me atë, që ndodhi mbrëmë. Po Zoja nuk u largua kurrë nga shtëpia e saj pariziane. Prandaj katedralja mbeti, e do të mbetet në këmbë në shekuj!

Përmasat

Notre-Dame është e famshme për majat e mprehta si gjilpëra, vetratat dhe kopshtet, që i japin pamje misterioze. Kjo hije e pati frymëzuar shkrimtarin e famshëm francez Viktor Hugo t’i kushtonte një nga kryeveprat e veta, titulluar pikërisht “Shën Maria e Parisit”,  e të krijonte personazhe si gungaçi më i famshëm, Quasimodo, që të duket sikur do ta takosh, kur shikon këmbanat e katedrales. Me 130 metra gjatësi e 40  gjerësi, katedralja ka (jo kishte) 5 navata e 37 kapela. Drita hynte në kishë përmes 113 vetratave ngjyra-ngjyra, nga të cilat vërshonte një shi rrezesh. Na duhet të themi “hynte” e “vërshonte” sepse disa prej tyre i shkriu zjarri - duke uruar që pak më vonë t’i  përdorim foljet në kohën e tanishme.

 Ndërtimi

Katedralja u ndërtua në dy faza: brenda 1250-tës u krye ndërtesa, ndërsa në gjysëm e shekullit XIV, u bënë një sërë ndërhyrjesh brenda e jashtë saj, derisa Kisha mori pamjen, që kishte pak orë më parë. Punimet u financuan kryesisht nga Kisha e nga Kurora e Francës. Por në muret e kishës është edhe djersa e një mori qytetarësh: kovaçë, muratorë e karpentierë, që i dhuruan djersën Shën Marisë së tyre.

Katedralja u restaurua disa herë, duke nisur nga Rilindja e duke iu përshtatur shijeve të epokave, në kalim. Restaurimet e  para janë ato të shekullit XV e XVI, që i shtuan ndërtesës zbukurime një herë rinashimentale, më pas baroke, e edhe altarë anësorë e monumente funebre.

Restaurimi i saj kryesor  u krye në fund të shekullit XVII, me ndërhyrjen e Luigjit XIV. Ishte pasojë e një kushti bërë nga i ati, Luigji XIII i cili, më 1638 ia kushtoi mbretërinë e Francës Zojës, duke i premtuar Shën Marisë se do t’i ndërtonte  një altar të ri në shtëpinë e Saj pariziane. Erdhi, pastaj, viti 1756, kur vetratat u zëvendësuan me qelqe të bardha, që e mbushën kishën me dritë.

Pastaj, gjatë revolucionit francez (1789-1799), kisha u  zbraz krejtësisht: të gjitha objektet prej metalesh të çmuara, u dërguan në furrat e shkrirjes. Në vitin 1793, me urdhër të Komunës së Parisit,  shtatoret e fasadës u shkatërruan. Madje, po në këtë vit, filozofi utopist, Henri de Saint-Simon deshi ta blinte shtëpinë e Marisë, për ta rrënuar.

Po Zoja mbeti gjithnjë në shtëpinë e vet! Erdhi, pastaj, Revolucioni francez, pasuar nga  epoka napoleoniane, kur u restaurua çatia e brendia u pasurua me vepra të reja arti. Dy luftërat botërore, pastaj. Me rrezikun e hedhjes në erë. Po Zoja doli fitimtare edhe nga dy luftërat. Sa ngjarje. E sa histori jetoi Zoja, Pajtore e kësaj ndërtese, për të cilën mbrëmë qau mbarë bota!

Reliket

Ndërmjet relikeve të Katedrales, kujtojmë një copëz dru nga kryqi i vërtetë i Krishtit, kurorën e ferrave dhe një nga gozhdat me të cilat qe mbërthyer Krishti në kryq. Në fund të korit, një Zojë e Dhimbshme, vepër e Kostu, të kujton shpalljen e Virgjërës Mari, Pajtore e Francës nga mbreti Luigji XIII. E kjo ngjarje e madhe përkujtohet vit për vit me një procesion publik, që kremtohet më 15 gusht, festa e të Ngjiturit të Zojës në Qiell.

Shtatorja e Shën Marisë së Parisit, e shekullit XIV, mund të admirohet në jug-lindje të ndërtesës. Këtu janë varrosur tre ipeshkvij, të vrarë gjatë shekullit XIX: Imzot Afrë, ndërsa përpiqej të qetësonte punëtorët kryengritës (1848); Imzot Sibur, therur me thikë brenda në Katedrale (1857) dhe imzot Darbui, pushkatuar nga komunarët e Parisit (1871).

Udhëkryq i Papëve

Papa Gjon Pali II e vizitoi dy herë Shën Marinë e Parisit: më 30 maj 1980, duke kremtuar edhe Meshën në tremen e katedrales;  e më 22 gusht 1977, kur e kryesoi kremtimin brenda kishës, me rastin e lumnimit të Frèdéric Oznam. Më 12 shtator 2008 Zoja priti për vizitë  Papën Benedikti XVI, që kryesoi, në katedrale  kremtimin e  mbrëmësores. Urojmë që së shpejti ta vizitojë edhe Françesku, Papa i cili e uroi Zojën që katedralja e Saj  “falë punës se rindërtimit dhe mobilizimit të të gjithëve, të bëhet sërish ai peshtaf me gurë të çmuar në qendër të qytetit, shenjë e fesë së atyre që e ngritën, Kishë-Nënë e dioqezës, trashëgimi arkitektonike dhe shpirtërore e Parisit, e Francës dhe njerëzimit”.

Vend i ngjarjeve të mëdha

Që nga themelimi i saj, katedralja qe vend i ngarjeve të mëdha, me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare: Kishë me histori të gjatë e të lumnueshme, që ta ushqen fantazinë e të thith në botën misterit. Këtu u lumnua heroina e Francës katolike, Jeanne d'Arc. E po këtu, u hap, më 17 qershor 1811 Koncili kombëtar, në të cilin morën pjesë 6 kardinaj e 98 kryeipeshkvij e ipeshkvij të Francës dhe të Mbretërisë së Italisë, që iu kundërvunë dëshirës së Napoleonit për ta shkëputur kishën vendase nga Papa. Këto mure, fatbardhësisht ende në këmbë, panë, ndërmjet shumë ngjarjesh me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare, edhe kurorëzimin e Napoleon Bonapartit Perandor i Francës, më 2 dhjetor 1804, në praninë e Papës Piu VII.  

Në përfundim të Koncilit II të Vatikanit, në katedrale u kremtua shumë herë Mesha tridentine: për herë  të parë, të dielë, më 3 korrik 1988, kur kryesoi personalisht kryeipeshkvi i Parisit, kardinali Jean-Marie Lustiger!

Muret e kërcënuara mbrëmë nga zjarri, panë edhe shumë kryetarë shtetesh e personalitete të shquara botërore. Presidenti i SHBA-ve,  Barack Obama  e vizitoi më 6 qershor 2009, i shoqëruar nga familja.

Sa gjurmë njerëzish të shquar e fare të thjeshtë, me emra tejet të njohur e fare të panjohur nga bota, u shtruan njëra mbi tjetrën mbi dyshemenë e katedrales. Sa zëra u regjistruan mbi muret e saj. Misteri i një bote të tërë jeton në muret, rozonet, shtatoret,  monumentet, varret e saj….

Një thirrje, që duhet dëgjuar!

Prandaj kardinali francez Paul Joseph Jean Poupard, historian i feve e kryetar nderi i Këshillit Papnor për Kulturën, shkroi mbrëmë tejet i ngashëryer: “Nuk munda t’ia ndaj sytë skenave të ankthshme në Tv. Më dukej sikur flakët  po digjnin zemrën e Francës”. Duke e quajtur, në vijim, këtë ngjarje,  “katastrofë për krishterimin”, “shembje e njërës nga shtyllat e tij”, “dramë  e tmerrshme për mbarë Planetin”. Sepse nuk bëhet fjalë për shembjen e “mureve prej guri”- kujton - ra një shtyllë me rëndësi të dorës së parë për kulturën e historinë e njerëzimit, historinë e të gjitha vendeve, nga Evropa - në Amerikë!”. Prej këndej, kardinali Poupard i bën thirrje gjithë krishterimit ta shikojë këtë ngjarje të trishtueshme si thirrje për ta lënë mënjanë çdo  përçarje!

Thua mund ta djegë zjarri…?

Por, thua mund ta djegë zjarri gjithë këtë histori? Vërtet flakët shkatërruan sa munden. Shumë gjëra u bën hi e grimca qelqesh. Shumë duhen bërë krejt të reja e shumë duhen restauruar. Sepse i rrënoi zjarri! Po të Zojën e shtëpisë nuk mundi ta prekë. Është aty, e do të drejtojë punimet për rikthimin e shtëpisë së saj në shkëlqimin e parë. Jo për vete: për botën!

Urim

Urojmë, prandaj, që ftesa drejtuar turistëve: “Nëse dëshironi ta vizitoni Katedralen e Shën Marisë së Parisit, mund t’i porosisni biletat online…” të mos na duket irreale, pas flakëve që i kemi ende ankthshëm në bebe të syrit…

16 prill 2019, 16:32