Kërko

Në dioqezën e Sapës filluan ritet e Javës së Madhe të Pashkëve Në dioqezën e Sapës filluan ritet e Javës së Madhe të Pashkëve 

Në dioqezën e Sapës filluan ritet e Javës së Madhe të Pashkëve

Edhe në dioqezën e Sapës, këtë fund javë, me të Dielën e Larit filloi Java e Madhe e Shenjtë e Pashkëve. Ndryshe nga herët e tjera, të shtunën para të dielës së Larit, më 13 prill, për herë të parë në Dioqezën e Sapës, rrëzë Katedrales së vjetër në Nënshat, u zhvillua Udha e Kryqit e gjallë, nën organizimin e Etërve Kapuçin, motrave Stigmatine dhe besimtarëve të kësaj famullie, kryesisht të rinjtë.

R. SH. - Vatikan

Si në të gjitha dioqezat dhe Kishat katolike të botës, edhe në dioqezën e Sapës, këtë fund javë, me të Dielën e Larit filloi Java e Madhe e Shenjtë e Pashkëve. Ndryshe nga herët e tjera, të shtunën para të dielës së Larit,  më 13 prill, për herë të parë në Dioqezën e Sapës, rrëzë Katedrales së vjetër në Nënshat, u zhvillua Udha e Kryqit e gjallë, nën organizimin e Etërve Kapuçin, motrave Stigmatine dhe besimtarëve të kësaj famullie, kryesisht të rinjtë.

E Diela e Larit, u kremtua solemnisht nga besimtarët katolikë të të gjitha famullive kishtare të dioqezës së Sapës. Ky solemnit u kremtua në Katedralen Shën Nënë Tereza në Vau-Dejës, ndërsa proçesioni u organizua nëpër rrugët e qytetit, ndjekur nga qindra besimtarë, që kishin mbushur duart me degë të larit dhe ullinjve,  në shenjë lavdi e nderimit ndaj Jezu Krishtit, Mbret e Shëlbues. Kremtimi riteve liturgjike u kryesua nga Ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli. Po më hollësisht mbi kremtimin e Dielës së Larit dhe Udhën e Kryqit, nga Vau-Dejës, na njofton Violeta Marashi...

Kremtimi Dielës së Larit dhe Udhën e Kryqit, nga Vau-Dejës, na njofton Violeta Marashi

UDHA E KRYQIT - NËNSHAT

“Kush nuk e merr kryqin e vet e nuk vjen mbas meje, nuk është i denjë për mua!” (Mt 10, 38-39)

Janë këto fjalë të Jezusit me të cilat ne takohemi çdo ditë të jetës tonë. E mbi këto fjalë çdo periudhë të kohës së Kreshmeve është koha më e mirë e mundshme që ne të meditojmë, ti shqyrtojmë në mendjen, në zemrën tonë dhe në jetën tonë. Ndaj gjatë kësaj periudhe kreshmore në çdo famulli është kremtuar udha e kryqit me besimtarët.

Edhe të shtunën para të dielës së Larit, 13. 04. 2019, ndryshe nga herët e tjera, për herë të parë në Dioqezën e Sapës, rrëzë Katedrales së vjetër në Nënshat u zhvillua Udha e Kryqit e gjallë, nën organizimin e Etërve Kapuçin, motrave Stigmatine dhe besimtarëve të kësaj famullie, kryesisht të rinjtë.

Besimtarë të shumtë, të rinjë e të reja  me një pjesëmarrje të madhe dhe të devotshme  nga të gjitha famullitë e dioqezës u bashkuan në përshpirtërinë e Udhës së Kryqit të gjallë duke kujtuar mundimet e Zotit tonë Jezu Krishtit, por edhe duke kremtuar Ditën Botërore të Rinisë.

Gjatë Udhës së Kryqit aktorët e rinj realizuan në një mënyrë mjaft të bukur mundimet e Jezu Krishtit, duke përcjellur në zemrat e besimtarëve një emocion të madh e të jashtëzakonshëm, sa që shpeshherë të shoqëruar edhe me lot dhimbjeje. Kanë qenë momente mjaft prekëse, ku secili besimtar i ka përjetuar me një zemër plot me fe dhe me besim.

 Ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli, në fjalën e tij, falenderoi të gjithë të pranishmit, por sidomos ato që e bënë të mundur një realizim të tillë dhe bëri thirrje që të kërkojmë të kthehemi kah Zoti. Kthimi kah Zoti është kthim kah Ringjallja e Krishtit. Në këtë ditë të sotme – tha imzot Simoni, kremtojmë edhe Ditën Botërore të Rinisë, përmes të cilës Papa iu drejtohet të rinjëve me porosinë e tij: “Unë jam Shërbëtorja e Zotit, më ndodhtë siç the ti!”  Ndaj, mjafton vetëm të kujtohet zbulimi se Krishti është Udha, e vërteta dhe Jeta. Sa kthime të zemrave, sa thirrje kanë buruar prej këtyre takimeve?! – theksoi ipeshkvi. Dhe dëshiroj – tha ai që edhe nga dioqeza e jonë të kemi thirrje meshtarake dhe rregulltare që burojnë nga këto takime, ashtu siç kemi patur edhe nga vitet e mëparshme. Me porosinë “Mos harroni se Zoti don që të jemi të lumtur” – imzot Simoni përfundoi fjalën e tij, ku më pas iu dha bekimin të gjithë besimtarëve të pranishëm.

E DIELA E LARIT

Besimtarët katolikë të të gjitha famullive të Dioqezës së Sapës kanë kremtuar ditën e shenjtë të së  Dieles së Larit. Kjo ditë e shënuar është festuar me solemnitet të madh edhe në Katedralen Shën Nënë Tereza në Vau-Dejës. Proçesioni i organizuar nëpër rrugët e qytetit u ndoq nga qindra besimtarë që kishin mbushur duart me degë të larit dhe ullinjve, për t’u drejtuar më pas drejt Katedrales duke marrë pjesë në kremtimin e kësaj dite të kryesuar nga Ipeshkvi i vendit, Imzot Simon Kulli.

Gjatë homelisë së rastit Imzot Simoni – “theksoi rëndësinë e kësaj dite të madhe, ku liturgjia e kësaj të diele kujton hyrjen solemne të Birit të Zotit, Jezu Krishtit në Jerusalem dhe historinë e mundimeve të Tija. Kisha, na thërret që edhe ne të hyjmë në Javën e Madhe e të Shenjtë të Pashkëve, duke kujtuar dhe kremtuar misteret themelore të fesë së krishterë: kremtimin e mundimeve, të vdekjes mbi kryq e të ngjalljes së Jezu Krishtit, Shëlbuesit të njerëzimit. Më tej ipeshkvi - tha se jemi të pranishëm në dy skena: e para është ajo e gëzimit, hyrja e Jezusit në Jerusalem, i brohoritur si mbret; dhe tjetra është ajo e dhimbjes, mundimet e Zotit - një thesar i madh.

Me kremtimin e të Dieles së Larit, ku fillon dhe java e shenjtë të gjithë ne të krishterët të mundohemi që në këtë javë të shenjtë, nëpërmjet lutjes të sodisim misteret e shenjta në mënyrë që të mund të bashkohemi shpirtërisht me Jezusin, në themelin e besimit tonë që është Ringjallja e Krishtit të Dielën e Pashkëve.

15 prill 2019, 16:06