Kërko

Vatican News
Zoja e Bekuar e Jasna Gora-s Zoja e Bekuar e Jasna Gora-s 

Polakët kujtojnë martirizimin e klerit katolik gjatë Luftës II Botërore

Kisha Katolike kremtoi “Ditën e Martirizimit të klerit polak gjatë Luftës II Botërore”, për të kujtuar meshtarët e rregulltarët e vrarë nga nazistët.

R.SH. - Vatikan

Sot, Kisha Katolike kremtoi “Ditën e Martirizimit të klerit polak gjatë Luftës II Botërore”, për të kujtuar meshtarët e rregulltarët e vrarë nga nazistët. Si datë përkujtimore është zgjedhur 29 prilli, dita e çlirimit të kampit të përqendrimit të Dakaut.

Kampi i Dakaut

         Ai ishte i pari kamp shfarosjeje i Raihut III. U hap në mars 1933, me nismën e famëkeqit Heinrich Himmler, i cili synonte të burgoste aty të gjithë armiqtë e Hitlerit. Pas shpërthimit të Luftës, u çuan në këtë kamp jo vetëm “armiqtë” gjermanë, por edhe të bugosur nga vendet e pushtuara prej nazistëve. Në Dakau u internuan edhe meshtarë, gjithsej 2794 vetë, prej të cilëve 1773 polakë. Pikërisht polakët paguan çmimin më të lartë për mizorinë naziste. 861 prej tyre u shfarosën këtu, prandaj kampi i përqendrimit i Dakaut u bë vendi kryesor i martirizimit të klerit polak gjatë Luftës II Botërore. Këtu, një ndër tre të vrarë ishte polak. Ndër viktimat, edhe dy ipeshkvij: imzot Michal Kozal, ipeshkëv ndihmës i Vroclavit, shpallur i Lum nga Gjon Pali II më 10 qershor 1987, dhe imzot Wladislaw Goral, ipeshkëv i Lublinit.

20% e meshtarëve dioqezanë, viktima të nazizmit

         Megjithatë, martirizimi i klerit polak nuk u ndal në Dakau. Nga viti 1939 deri në vitin 1945, në Poloni, shfarosur në kampe të ndryshme përqendrimi, por edhe me mënyra të tjera, humbën jetën 20% e meshtarëve dioqezanë. Numri i përgjithshëm i ipeshkvijve, meshtarëve, rregulltarëve e murgeshave polake të vrara nga nazistët arriti në 2.804 vetë, ndërsa 3.563 të tjerë, që u kapën dhe u persekutuan, arritën të mbijetonin. Më 13 qershor 1999, në Varshavë, shenjti i ardhshëm Papa Gjon Pali II shpalli të lum një grup prej 108 njerëzish të Kishës e laikë, viktima të nazistëve gjatë Luftës II Botërore. Ashtu si për Shqipërinë, edhe ky është vetëm grupi i parë i lartuar në nderimet e altarit, por nuk përfshin pa dyshim, gjithë katolikët polakë, vrarë nga nazistët.

29 prill 2019, 13:39