Për të hyrë në Javën e Madhe te Pashkëve
R. SH. - Vatikan
Të Hënën, të Martën e të Mërkurën Kisha kujton vajimin e Betanisë, kujton tradhtinë e Judës, mohimin e Shën Pjetrit dhe përgatitjen e Darkës së Pashkëve.
Të Enjtjen e Madhe në mëngjes, ndër katedralet kremtohet Mesha e Bagmit, gjatë së cilës ipeshkvi, i rrethuar nga meshtarët, nga diakonët dhe nga një përfaqësi e madhe besimtarësh, shuguron bagmin dhe bekon vajërat e katekumenëve e të të sëmurëve, ndërsa meshtarët përsërisin kushtet e bëra, kur u shuguruan.
Në orët e muzgut, kremtohet Mesha in Coena Domini, e Darkës së Mbrame të Zotit, prelud i Triditshit të Pashkëve të Zotit të vdekur, të varrosur e të ngjallur. Lexohet Ungjilli i Gjonit, ku përshkruhet çasti kur Krishti u lan këmbët dishepujve, simbol i jetës kushtuar shërbimit e dhurimit. Pason larja e këmbëve nga kremtuesi. Pjesëmarrja në Eukaristi kërkon të bëjmë tonën sjelljen e shërbimit të Jezusit, deri në dhurimin e jetës.
Në përfundim, Eukaristia vendoset në altarin e “Varrit të Krishtit”, siç e quan populli. Simbolizon Zotin e vdekur, që mbetet aty deri të nesërmen. Besimtarët e ruajnë gjatë gjithë natës në adhurim personal e komunitar.
Të Premten e Madhe përkujtohet varrosja e Krishtit dhe zbritja në mbretërinë e të vdekurve, në pritje të ngjalljes, që kremtohet solemnisht në Natën e Pashkëve, Nënë e të gjitha netëve pa gjumë e në të Dielën e ngjalljes.
Triditshi i Pashkëve shkëlqen mbi të gjitha ditët e vitit liturgjik e është në qendër të tij, ashtu si e diela, në qendër të javës. E sidomos, si Krishti në zemër të besimtarit të krishterë!