Kërko

 Drejt Pashkëve Drejt Pashkëve 

Për të hyrë në Javën e Madhe te Pashkëve

Kremtimi i hyrjes së Jezu Krishtit në Jeruzalem, në të Dielën e Larit, shënon edhe hyrjen tonë në Javën e Madhe. Gjatë kësaj jave rijetojmë mundimet, vdekjen dhe Ngjalljen e Zotit.

R. SH. - Vatikan

Të Hënën, të Martën e të Mërkurën Kisha kujton vajimin e Betanisë, kujton tradhtinë e Judës, mohimin e Shën Pjetrit dhe përgatitjen e Darkës së Pashkëve.

Të Enjtjen e Madhe në mëngjes, ndër katedralet kremtohet Mesha e Bagmit, gjatë së cilës ipeshkvi, i rrethuar nga meshtarët, nga diakonët dhe nga një përfaqësi e madhe besimtarësh, shuguron bagmin dhe bekon vajërat e katekumenëve e të të sëmurëve, ndërsa meshtarët përsërisin kushtet e bëra,  kur u shuguruan.

Në orët e muzgut, kremtohet Mesha in Coena Domini, e Darkës së Mbrame të Zotit, prelud i Triditshit të Pashkëve të Zotit të vdekur, të varrosur e të ngjallur. Lexohet Ungjilli i Gjonit, ku përshkruhet çasti kur Krishti u lan këmbët dishepujve, simbol i jetës kushtuar shërbimit e dhurimit.  Pason larja e këmbëve nga kremtuesi. Pjesëmarrja në Eukaristi kërkon të bëjmë tonën sjelljen e shërbimit të Jezusit, deri në dhurimin e  jetës.

Në përfundim, Eukaristia vendoset në altarin  e “Varrit të Krishtit”, siç e quan populli. Simbolizon Zotin e vdekur, që mbetet aty deri të nesërmen. Besimtarët e ruajnë  gjatë gjithë natës në adhurim personal e komunitar.

Të Premten e Madhe përkujtohet varrosja e Krishtit dhe zbritja në mbretërinë e të vdekurve, në pritje të ngjalljes, që kremtohet solemnisht  në Natën e Pashkëve, Nënë e të gjitha netëve pa gjumë e në të Dielën e ngjalljes.

Triditshi i Pashkëve shkëlqen mbi të gjitha ditët e vitit liturgjik e është në qendër të tij, ashtu si e diela, në qendër të javës. E sidomos, si Krishti në zemër të besimtarit të krishterë!

14 prill 2019, 10:40