Moskë: Sheshi i Kuq Moskë: Sheshi i Kuq 

Në Rusi kremtohet 28-vjetori i restaurimit të strukturave të Kishës katolike

Kisha katolike e Rusisë që, si të gjitha kishat katolike të vendeve socialiste të Evropës lindore, rilindi pas rënies së regjimit komunist në Bashkimin Sovjetik, më 1991, kremtoi sot 28-vjetorin e restaurimit.

R. SH. - Vatikan

Kisha katolike e Rusisë, si të gjitha kishat katolike të vendeve socialiste të Evropës lindore, rilindi pas rënies së regjimit komunist në Bashkimin Sovjetik, më 1991. U njoh juridikisht nga Shteti rus vetëm pasi përfundoi persekutimi i gjatë, i nisur që më 1917-tën, kur triumfoi Revolucioni Socialist i Tetorit.

Bashkësia katolike ruse numëron rreth 90 milionë të krishterë, 790 mijë prej të cilëve, katolikë, në gjirin e një popullsie prej 145 milionë banorësh. Detyra për rilindjen e katolicizmit në Rusi i qe besuar bjellorusit Tadeusz Kondrusiewitz, që kryesoi kryedioqezën e Moskës. Më 2007 u emërua kryeipeshkvi i ri i Moskës, italiani Paolo Pezzi.

Riorganizimi i Kishës Katolike

Katolikët i përkasin pakicave etnike: polake, lituane, gjermane, e edhe ukrainase. E jetojnë fenë e tyre të organizuar në katër dioqeze, dy në Rusinë evropiane e dy në Siberi, me 300 famulli katolike, në të cilat shërbejnë 270 meshtarë, shumica të huaj. Seminari i madh “Maria, Mbretëreshë e Apostujve” është i vetmi seminar katolik në Rusi, me rreth 50 studentë.

Përkujtim, plot mirënjohje

Sot Kisha katolike ruse kujtoi, plot me mirënjohje, 28 vjetorin e ditës kur Papa Gjon Pali II riorganizoi Kishën Katolike të Rusisë, duke i kërkuar të mos largohej nga çka vlen më shumë: Krishti! E të vijonte përvujtërisht misionin e saj. Kjo ndodhte më 13 prill 1991, kur Roma njoftoi se do të riorganizohej Kisha katolike e ritit latin në Republikat sovjetike të Bjellorusisë, Rusisë e Kazakistanit, që rifilluan veprimtarinë e plotë në 4 dioqeza aktuale, më 11 shkurt 1998.

Kjo ngjarje u rikujtua sot me gëzim e mirënjohje në të katër dioqezat, kryesisht në atë të Moskës.

Rikujtim i historisë

E, duke  hyrë më thellë në histori, u rikujtua se Selia e Shenjtë pati bërë përpjekje të dëshpëruara për ta shpëtuar situatën që më 1926, duke krijuar, në fshehtësi të plotë, nëntë struktura e duke shuguruar edhe nëntë ipeshkvij të rinj. Por diktatura absolute e policia e saj sekrete arritën të shkatërronin gjithçka. Veç vetmohimit të  klerit, që shkroi “faqe tragjike, por edhe të lavdishme, të historisë së Kishës ruse”, që u rikujtuan përsëri sot. Ashtu si u rikujtua se falë takimit të Gjon Palit II me Gorbaçovin, më 1 dhjetor 1998, u bë i mundur krijimi i një klime të re politike, që i hapi rrugën arritjes në Moskë të përfaqësuesit të Selisë së Shenjtë, imzot Francesco Colasuono, diplomatit që, me shpejtësi e siguri të jashtëzakonshme, i rindërtoi strukturat katolike në Rusi dhe në Republikat e Azisë qëndrore, pas 70 vjet jete klandestine.

12 prill 2019, 12:09