Kërko

 I Kryqëzuari I Kryqëzuari 

Motra Bonetti: në Udhën e Kryqit, Kalvari i viktimave të trafiku

Misionarja e Zojës Ngushëlluese, kryetare e Shoqatës “Slaves no more”- “Kurrë më skllave” - tregon, në mikrofonet e Vatican News, si e pse e pranoi ftesën për të shkruar tekstet e Udhës së Kryqit për të Premten e Madhe, në Koloseum.

R. SH. - Vatikan

“Pas emocionit të thellë të çastit, e ngurrimit të natyrshëm, nisa të mendoj se kjo ishte një mundësi e parefuzueshme, jo për mua, por për shumë njerëz, që i njohëm në rrjedhë vitesh, i ndihmuam e vijojmë t’i ndihmojmë, duke ndarë bashkë me ta Kalvarin. Mundësi për ta vënë në plan të parë problemin e trafikut, që ta kuptojnë të gjithë sa dhimbje shkaktohet në botë si pasojë e indiferencës sonë!. Nuk na përket më asgjë. Asgjë nuk na intereson, veç vetes. Nuk duam t’i shikojmë njerëzit, që fshihen pas problemeve”. Me këto fjalë, motër Eugenia Bonetti, misionare e Zojës Ngushëlluese, tregon, në mikrofonet e Vatican News, emocionet e para, pasi mësoi se Papa Françesku e kishte zgjedhur përvojën e saj për Stacionet e Udhës së Kryqit të së Premtes së Madhe, në Koloseum.

Krishti vijon të vuajë udhëve tona

Motër Eugenia Bonetti ka jetuar 24 vjet në Afrikë. Por, sipas saj, “misionin më të vështirë, më poshtërues e më përvëlues" e jetoi në vendin e e vet, në Itali. Në këtë vend, që e quan veten “vend i krishterë katolik” por që ka mungesa të ndjeshme njerëzore, vend ku njerëzit vënë mbi gjithçka karrierën, pa u shqetësuar fare nga mendimi se duke mbushur xhepat, zbrazin zemrat. Do të duhej që ky vend të ishte përplot me mëshirë, i aftë për ta ndjerë vuajtjen e tjetrit e për të mos e shkaktuar kurrë më. Do të duhej… “Ndërsa e bën rishtas Krishtin të vuajë në udhët tona”. “Ai vdiq për ne, për të na dhuruar Ringjalljen. Po ne? Ç’bëjmë ne?”.

Prej këndej, motër Eugenia, në meditimet e Udhës së Kryqit, do të  flasë për  ëndrrat e copëtuara të atyre, që lanë vendin, në kërkim të një jete më të mirë, për të ndihmuar familjen. U nisën për të gjetur bamirës, e gjetën kriminelë. Ranë nga tigani i vendit të tyre, në zjarrin e vendit të huaj. “I rëndë, kryqi i tyre” - ofshan motra - prandaj ne duam të bashkohemi me to, për ta mbartur së bashku, por sidomos, “për t’i bërë copë e grimë hallkat e zinxhirëve  të shfrytëzimit”.

08 prill 2019, 14:16