Kërko

Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, kryeipeshkëv metropolit i Tiranë-Durrësit Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, kryeipeshkëv metropolit i Tiranë-Durrësit 

Mesazhi i imzot Frendos për Pashkë: “përfaqësuesit e popullit të jenë shembull”

“Paqja me ju!” Përshëndetja e Krishtit pas Ringjalljes është në qendër të mesazhit të kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, kryeipeshkëv metropolit i Tiranë-Durrësit.

R.SH. - Vatikan

Në gjendjen delikate, në të cilën ndodhet Shqipëria, mes protestash e dhunës, edhe verbale, imzot  George Frendo u kujton të gjithëve se e kanë për detyrë morale të mbrojnë paqen. “Nuk duam vetëvrasjen e kombit” ngre zërin kryeipeshkvi, i cili u kujton atyre, që protestojnë me dhunë, fjalët e Krishtit për Pjetrin: “Të gjithë ata që rrokin shpatën, nga shpata do të vdesin”. Ndërsa politikanëve u përmend Darkën e Mbrame të Jezusit, i cili u lau këmbët apostujve, duke u kërkuar t’u shërbejnë të tjerëve. “Përfaqësuesit e popullit duhet të jenë shembull”, pohon imzot Frendo. Por le ta dëgjojmë mesazhin e tij…

Dëgjo mesazhin e imzot George Frendo-s...

Imzot  George Frendo: MESAZHI PËR PASHKËT (2019)

Te dashur degjues, Gezuar Pashket!

Sivjet po kremtojmë Pashkët në një moment shumë kritik dhe të tensionuar në Shqiperi. Unë nuk jam politikan, por si bari që i do Shqipërinë dhe Shqiptarët, nuk mund të hesht përballë kësaj situate. U bëj apel të gjithë politikanëve: kanë detyrë morale të angazhohen për një zgjidhje të drejtë. Le të shqetësohen më shumë për të mirën e përbashkët sesa për pozitën që kanë. Situata tashmë është shumë e rënde, por më shumë të zgjasë, më shumë të mëdha do të jenë pasojat për popullin. NUK DUAM VETËVRASJEN E KOMBIT!

Krishti i ngjallur, në takimet e tij me njerëzit e shumtë, pati gjithmonë të njëjtin urim: “Paqja me ju!” Atyre që mbajnë inat në zemrat e tyre, që merren me ndjenja hakmarrjeje, Krishti u thotë: “Falni, ashtu si unë ju kam falur”. Atyre që protestojnë me dhunë dhe vandalizëm, i kujton fjalët e tij drejtuar Pjetrit: “Të gjithë ata që rrokin shpatën, nga shpata do të vdesin”. Dhe atyre që kanë autoritet politik i kujton se, në darkën e tij të fundit, pasi i lau këmbët e apostujve, u tha: “Ju dhashë shembull që, sikurse ju bëra unë juve, të bëni edhe ju”. Përfaqësuesit e popullit duhet të jenë shembull për popullin.

20 prill 2019, 20:09