Lulëzim Lulëzim 

Lutje: Jepna jetë, o Zot i ngjallur!

Lutje - në Festën e Ngjalljes së Zotit e të ringjalljes së njeriut…

R. SH. - Vatikan

Pashkët e tua, o Zot,

janë fryt i parë i Pashkëve tona,

na e flakin gurin e varrit

e dalim në dritën Tënde!

Ngjalli, o Zot,

dhe të varfrit, të pëndjekurit,

ata që dhunohen çdo ditë,

e shuhen nën hijen

e mureve të përdhunës!

Jepu, Zot, flatrat

e humbura, të rinjve!

Jepu tokë të re

hënë  të re

e diell të ri!

Jepu jetimëve jetë,

bukë, të uriturve,

bashkim, familjeve

shkapërhapë në hapësirat

e pafundme të kësaj bote

në kërkim të lirisë,

që e borën nën strehët e tyre,

nën thundrën e përdhunës!

Mos i harro

në festën tënde të papunët

të pastrehët,

të pa shpresët,

të sëmurët në spitale,

e ata që Pashkët i jetojnë

ndër skuta të jetës.

Na mëso ta gjejmë

fillin e tretur,

në  ngadhënjimin tënd mbi vdekjen!

Mbushi me lule

edhe arat e braktisura.

Pse, si mund të ketë

Pashkë, pa lule

o Zot i ngjallur,

njëheresh me natyrën!

20 prill 2019, 16:13