Picryl Eremitaggio di san Baudelio de Berlanga Picryl Eremitaggio di san Baudelio de Berlanga 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së Larit “C”

Të Dielën e Larit dhe të Mundimeve të Krishtit, procesioni me degë ulliri e palma na kujton hyrjen triumfale të Jezusit në Jerusalem. Por që ky triumf të mos na gënjejë për misterin e Krishtit dhe misionin e Tij në mesin e njerëzve, menjëherë pas, lexohet tregimi i Mundimeve dhe Vdekjes së Shëlbuesit të botës, Jezu Krishtit.

R.SH. - Vatikan

Një javë për të ndriçuar të gjitha javët e tërë jetën.
Ja përsëri në takimin tonë javor të shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj herët do të ndalemi tek Liturgjia e Fjalës së Zotit të Dielës së Larit apo të Dielës së Luleve, me të cilën Kisha e fillon Javën e madhe dhe të Shenjtë të Pashkëve. 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së Larit “C”

Siç përmendem, liturgjia hyjnore e kësaj të diele përkujton hyrjen solemne të Birit të Zotit, Jezu Krishtit në Jerusalem dhe historikun e mundimeve e vdekjes së Tij mbi Kryq. Pra, Kisha na thërret të hyjmë në Javën e Madhe e të Shenjtë të Pashkëve, duke kundruar e kremtuar misteret themelore të fesë së krishterë: kremtimin e mundimeve, të vdekjes mbi kryq dhe të ngjalljes së Jezu Krishtit, Shpëtimtarit të njerëzimit.

Kështu, Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele të Larit na propozon dy ngjarje e momente ngushtë të lidhura mes tyre: përkujtimin e hyrjes solemne të Jezusit në Jerusalem dhe mundimet e Tij. Liturgjia e kësaj të diele të Larit ka dy pjesë: pritjen solemne dhe të hareshme rezervuar Jezusit nga më të vegjlit e nga populli i Jerusalemi, që simbolizohet me Ritin e bekimit të degëve të ullinjve apo të degëve të pemëve të lulëzuara, para Meshës. 

Më pas vijon kumtimi i Ungjillit që tregon pikërisht hyrjen e Jezusit në Jerusalem, pastaj procesioni i besimtarëve me degë ullinjsh e lulesh të bekuara deri në Kishë. Këtu, brenda Kishe vijon pjesën e dytë e Liturgjisë së Dielës së Larit me kremtimin e Meshës së Shenjtë, gjatë së cilës tregohet e përshkohet shpirtërisht historia e mundimeve të Jezu Krishtit Zot e Shëlbues të njerëzimit. 

Për besimtarët e krishterë të ndjekësh Jezu Krishtit domethënë të jesh bashkë më Të në momente të lavdishme e në momente të mundimshme. Drama e Mundimeve të Jezusit na sjell dhe thërret të vështrojmë Birin e Zotit, për ne të përvujtëruar, të shpotitur, të përbuzur, të kryqëzuar mbi kryq, ku Ai vdes për shpëtimin tonë, për jetën tonë të përjetshme. 

Po në Krishtin e Kryqëzuar jemi të thirrur të gjejmë domethënien e ekzistencës dhe udhën e jetës që buron nga përdëllimi i Zotit. E në historikun e mundimeve të Krishtit, sipas Lukës Ungjilltar, nënvizohet në mënyrë të posaçme pikërisht përdëllimi Hyjnor që dëftohet e shkëlqen në Jezu Krishtin. Pra do të kundrojmë Jezusin Zot, besnik deri në vdekje ndaj planit e vullnetit të Atit Qiellor dhe besnik ndaj dashurisë për shpëtimin e njerëzimit mbarë.

Jezusi hyn ngadhënjimtar në Jerusalem, për t’u dënuar pak ditë pas me vdekje çnderuese e të përbuzshme mbi kryq: është paradoksi i krishterimit. Jezusi që përvujtërohet deri në vdekje, për dashuri, do të jetë Ai që Zoti do ta ngjallë: Ai që duke ngadhënjyer mbi urrejtje dhe vdekje do të përurojë një të ardhme të re plotë shpresë për të gjithë. 

Nga liturgjia hyjnore e dielës së larit, ne do t’i bartim degët e palmave e të ullinjve me vete në shtëpitë tona, për të kujtuar hosanën, takimin tonë me Zotin që vjen tek ne për lumturinë e shëlbimin tonë, për të kujtuar e pranuar kurdoherë bekimin e paqen Hyjnore por edhe për të qenë të gatshëm të pranojmë kurorën e flijimit të jetës për dashuri, kurorën e martirizimit.
Për besimtarët e krishterë, kremtimi i riteve fetare nuk është spektakël por pjesëmarrje në misteret e fesë, në mundimet, në vdekjen e në ngjalljen e Jezu Krishtit, Zotërisë së jetës së amshuar.

E tani dëgjues të nderuar, me pjesën ungjillore tё pёrshkojmё e përkujton hyrjen e Jezusit në Jerusalem dhe nga historinё e mundimeve tё Tij.

Mundimet e Zotit tonë Jezu Krishtit sipas Lukës

L-Lexuesi: Kur erdhi koha, Jezusi u ul në tryezë e me të bashkë edhe apostujt. U tha:
+ Jezusi: “Me gjithë shpirt kam pasur dëshirë ta ha këtë Darkë të Pashkëve bashkë me
ju para se të pësoj, sepse juve po ju them: nuk do ta ha më para se të marrë fund në Mbretërinë e Hyjit.”
L-Lexuesi: Atëherë mori gotën, falënderoi e tha:
+ Jezusi: “Merreni e ndajeni mes jush! Vërtet, unë po ju them se prej këtij çasti s’do të
pi më fryt hardhie derisa të vijë Mbretëria e Hyjit.”
L-Lexuesi: Pastaj mori bukën, u falënderua, e theu, ua dha e tha:
+ Jezusi: “Ky është trupi im [që flijohet për ju. Bëni këtë në përkujtimin tim!”
L-Lexuesi: E mori gjithashtu edhe kelkun, pasi u krye darka, e tha:
+ Jezusi: “Ky kelk është Besëlidhja e Re në gjakun tim që derdhet për ju. ”] “Por, ja, dora
e atij që po më tradhton është me mua në tryezë! Biri i njeriut njëmend po shkon ashtu siç u caktua, porse, i mjeri ai njeri që po e tradhton!”
L-Lexuesi: Ata zunë ta pyesnin njëri tjetrin cili prej tyre do të ishte ai që do ta bënte këtë
gjë. Atëherë apostujt filluan të grinden mes tyre: cili prej tyre do të ishte më i madhi. Jezusi u tha:
+ Jezusi: “Mbretërit e paganëve sundojnë me ta si zotërues; madje ata që sundojnë mbi
ta kërkojnë të quhen ‘Bamirës’! Ju s’guxoni të bëni ashtu! Përkundrazi, më i madhi ndër ju të jetë si të ishte më i riu, kurse kryetari, sikur të ishte ai që shërben. Cili, në të vërtetë, është më i madh: ai që është në tryezë, apo ai që shërben? Vallë, a s’është ai që rri në tryezë? Tashti, unë jam ndër ju porsi ai që shërben.”
“Ju jeni ata që, në provat e mia, qëndruat vazhdimisht me mua. Prandaj, unë po jua lë trashëgim Mbretërinë ashtu si ma dha mua im Atë: që të hani e të pini në tryezën time në Mbretërinë time dhe të rrini në frone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit.” “Simon, Simon, ja, Djalli kërkoi t’ju shoshë porsi grurin! Por unë u luta për ty, që feja jote të mos mungojë. Por ti, kur të kthehesh, forcoji vëllezërit e tu.”
L-Lexuesi: “Zotëri i tha Pjetri – 
PT: Personi tjetër: Jam gati të shkoj me ty edhe në burg edhe në vdekje!”
L-Lexuesi: Jezusi iu përgjigj:
+ Jezusi: “Unë po të them, o Pjetër, se sot, nuk do të këndojë gjeli, para se ti të mohosh
tri herë se më njeh!”
L-Lexuesi: Dhe u tha:
+ Jezusi: “Kur ju dërgova pa qese, pa strajcë e pa sandale a ju mungoi gjë?”
PT: Personi tjetër: “Asgjë! u përgjigjën ata.
L-Lexuesi: Atëherë u tha:
+ Jezusi: “Tani, kush ka qese, le ta marrë! Po ashtu edhe strajcën! E kush nuk ka shpatë, le t’i shesë petkat e veta e le ta blejë! Sepse, unë po ju them: në mua duhet të vërtetohet fjala e Shkrimit të shenjtë: ‘U radhit ndër keqbërës!’ Vërtet, gjithçka u parafol për mua, po shkon në vend.”
L-Lexuesi: Ata i thanë:
PT: Personi tjetër: “Zotëri, ja, këtu dy shpata!”
L-Lexuesi: Ai iu përgjigj:
+ Jezusi: “Mjaftojnë!”
PT: Personi tjetër: Pastaj doli prej andej e u nis, si rëndom, drejt Malit të Ullinjve. Pas tij shkuan edhe nxënësit. Kur arriti në atë vend, u tha:
+ Jezusi: “Lutuni që të mos bini në tundim!”
PT: Personi tjetër: Dhe ai u largua prej tyre sa mund të hidhet guri, u ul në gjunjë dhe zuri
të lutet:
+ Jezusi: “O Atë, nëse do, largoje këtë gotë prej meje! Veçse, le të bëhet, jo vullneti im, por vullneti yt!” 
PT: Personi tjetër: Atëherë iu dëftua një engjëll nga qielli që i dha zemër. Kur e kapën mundimet e vdekjes, lutej më me zemër. Djersa e tij u bë si pika gjaku që binin në tokë. U çua prej lutjes, shkoi te nxënësit. I gjeti fjetur. I kishte këputur trishtimi. U tha:
+ Jezusi: “Pse po flini? Çohuni! Lutuni të mos bini në tundim!”
PT: Personi tjetër: Ndërsa ai ende po fliste, ja, ia behu një turmë. Në krye të saj ishte ai që quhet Judë njëri prej të Dymbëdhjetave. Ai iu afrua Jezusit për ta puthur.
Jezusi i tha:
+ Jezusi: “O Judë, a me të puthur po e tradhton Birin e njeriut?”
L-Lexuesi: Ata që ishin përreth tij, duke parë çka po ndodhte, thanë:
PT: Personi tjetër: “Zotëri, a t’u biem me shpatë?”
L-Lexuesi: Dhe njëri prej tyre i ra shërbëtorit të kryepriftit e ia preu veshin e djathtë,
Jezusi tha:
+ Jezusi: “Zini vend! Mjaft!” – 
L-Lexuesi: dhe ia preku veshin e ia shëroi. Atëherë Jezusi u tha atyre që kishin ardhur
kundër tij, kryepriftërinjve e krerëve të rojës së Tempullit dhe pleqve:
+ Jezusi: “Erdhët, si të isha unë cub, me shpata e shkopinj! Përditë isha në Tempull me
ju e nuk çuat dorë mbi mua. Porse kjo është ora juaj dhe pushteti i territ.”
L-Lexuesi: E kapën, pra, e çuan dhe e shtinë në shtëpinë e kryepriftit. Pjetri e ndiqte për
së largu. Ata ndezën zjarr në mes të oborrit dhe u ulën rreth tij. Ndër ta u ul edhe Pjetri. Kur një shërbëtore e pa ulur pranë zjarrit, e shikoi mirë dhe tha:
PT: Personi tjetër: “Edhe ky ishte me të!”
L-Lexuesi: Pjetri i ra mohit:
PT: Personi tjetër: “Nuk e njoh, moj fisnike!”
L-Lexuesi: Pak më vonë e vuri re një tjetër e tha:
PT: Personi tjetër: “Edhe ti je prej tyre!”
L-Lexuesi: “Nuk jam, o njeri!” – 
PT: Personi tjetër: iu përgjigj Pjetri.
L-Lexuesi: Dhe pas, diku pas një ore, një tjetër tha:
PT: Personi tjetër: “Me të vërtetë edhe ky ishte me të! Sepse është edhe galileas!”
L-Lexuesi: Pjetri u përgjigj:
PT: Personi tjetër: “S’di ç’po thua, o burrë!”
L-Lexuesi: Dhe tamam atëherë, ndërsa ende po fliste këndoi gjeli. Zotëria u kthye dhe ia lëshoi sytë Pjetrit. Pjetrit i ra ndër mend fjala e Zotërisë që ia pati thënë: ‘Para se sot të këndojë gjeli, tri herë do të më mohosh!’ Doli përjashta dhe qau thekshëm. Njerëzit që e ruanin Jezusin e përqeshnin dhe e rrihnin, ia mbulonin fytyrën dhe i thoshin: 
PT: Personi tjetër: “Dëftohu profet gjeje kush të ra!” 
L-Lexuesi: I thoshin edhe shumë të shara të tjera. Kur zbardhi drita u mblodhën krerët e popullit, kryepriftërinjtë e skribët, e çuan Jezusin në Këshillin e Lartë të vetin dhe i thanë:
PT: Personi tjetër: “Nëse ti je Mesia, na thuaj!”
L-Lexuesi: Ai u përgjigj:
+ Jezusi: “Nëse ju them, s’do të më besoni; nëse ju pyes, nuk do të më përgjigjeni.
Por pas këtij momenti, Biri i njeriut do të rrijë në të djathtën e Hyjit të gjithëpushtetshëm.”
L-Lexuesi: Atëherë i thanë të gjithë:
PT: Personi tjetër: “Ti, pra, qenke Biri i Hyjit?!”
L-Lexuesi: Ai u përgjigj:
+ Jezusi: “Ju thoni të vërtetën! Unë jam!”
L-Lexuesi: Atëherë ata thanë:
PT: Personi tjetër: “Ç’dëshmi tjetër na duhet? Ne vetë e dëgjuam prej gojës së tij!”
L-Lexuesi: Atëherë u ngritën të gjithë së bashku, e çuan te Pilati dhe zunë ta padisin:
PT: Personi tjetër: “Këtë njeri e zumë duke nxitur tonë në kryengritje, ndalon t’i jepet Cezarit tatimi e për vete thotë se është Mesia Mbret.”
L-Lexuesi: Pilati e pyeti:
PT: Personi tjetër: “A je ti mbreti i judenjve?”
L-Lexuesi: Ai iu përgjigj:
+ Jezusi: “Ti po thua!”
L-Lexuesi: Pilati u tha atëherë kryepriftërinjve dhe vegjëlisë:
PT: Personi tjetër: “Kurrfarë faji s’po gjej në këtë njeri.”
L-Lexuesi: Por ata ngulnin këmbë duke thënë: 
PT: Personi tjetër: “Ky po çon në kryengritje duke mësuar në mbarë Judenë, që prej Galilesë, ku ia filloi e deri këtu.”
L-Lexuesi: Në këto fjalë Pilati pyeti a mos është ky njeri galileas. Kur e mori vesh se është nën pushtetin e Herodit, e dërgoi te Herodi që, ndër ato ditë, gjendej edhe ai në Jerusalem.
Herodi u gëzua fort kur e pa Jezusin. Kaherë kishte pasur dëshirë ta shihte, sepse kishte dëgjuar shumë për të dhe shpresonte se do të shihte ndonjë mrekulli të tijën. I bëri shumë pyetje, porse Jezusi s’iu përgjigj fare. Aty ishin edhe krerët e priftërinjve dhe skribët, të cilët e paditnin me këmbëngulje. Herodi, bashkë me ushtarët e vet e përbuzi Jezusin dhe e vuri në lojë: e veshi me petk të bardhë dhe ia ktheu Pilatit. Po atë ditë Herodi e Pilati u bënë miq: më parë ishin armiq. Pilati grishi në mbledhje krerët e priftërinjve, anëtarët e Këshillit të lartë dhe u tha:
PT: Personi tjetër: “Këtë njeri e sollët para meje duke e paditur se po nxit në kryengritje, dhe, ja, unë e pyeta para jush e nuk i gjeta kurrfarë faji, për të cilin ju e paditni. Por, as Herodi, pasi e ktheu prapë tek ne. Ja, pra, ai s’ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen. Prandaj, do ta ndëshkoj e pastaj do ta lëshoj.” 
L-Lexuesi: Për festë duhet ai që ta liron një të paditur. Por ata zunë të bërtasin njëzëri:
PT: Personi tjetër: “Këtë vrite e na liro Barabën!”
L-Lexuesi: Baraba ishte i burgosur për shkak të një kryengritjeje e për vrasje. Pilati foli
prapë, sepse dëshironte ta lirojë Jezusin. Por ata bërtitnin:
PT: Personi tjetër: “Kryqëzoje! Kryqëzoje!”
L-Lexuesi: Ai u tha të tretën herë:
PT: Personi tjetër: “Po ç’të keqe ka bërë? Unë nuk gjeta në të faj që meriton vdekjen. Do 
ta ndëshkoj, pra, dhe do ta lëshoj.”
L-Lexuesi: Porse ata me britma të mëdha e me këmbëngulje kërkonin ta kryqëzojë: 
britmat e tyre bëheshin përherë e më të mëdha.
Atëherë Pilati vendosi të bëhej ashtu si kërkonin ata. Ua lëshoi atë që u burgos për kryengritje e vrasje atë që kërkuan kurse Jezusin ua dorëzoi vullnetit të tyre. Ndërsa po e çonin për ta kryqëzuar, kapën një farë Simoni prej Cirene, që po kthente nga fusha, ia vunë në krah kryqin që ta mbarte pas Jezusit.
Pas tij shkonte një shumicë e madhe njerëzish e disa gra që e qanin dhe e vajtonin. Jezusi u kthye kah ato dhe tha:
+ Jezusi: “Bijat e Jerusalemit! Mos më qani mua, por qani veten e fëmijët tuaj! Sepse, ja, po vjen koha, kur do të thuhet: ‘Lum beronjat! Lum ato që s’lindën kurrë e që nuk patën kujt t’i japin gji!’ Atëherë do të fillojnë ‘t’u thonë maleve: bini mbi ne!E kodrave: na mbuloni!’ Sepse, nëse veprohet kështu me drunë e njomë, çka do të ndodhë me të thatën?”
L-Lexuesi: I sollën edhe dy të tjerë keqbërës për t’i vrarë bashkë me të. Kur arritën në 
vendin që quhet ‘Kafkë’, aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë. E Jezusi lutej:
+ Jezusi: “Fali, o Atë, se nuk dinë ç’bëjnë!”]
L-Lexuesi: E ‘për t’i ndarë petkat e tij hodhën short’. Populli rrinte aty e ‘kundronte’. Anëtarët
e Këshillit të Lartë e ‘përqeshnin’ duke thënë:
PT: Personi tjetër: “Të tjerët i shpëtoi, le ta shpëtojë vetveten, nëse është Mesia i Hyjit –
‘I zgjedhuri’!”
L-Lexuesi: Edhe ushtarët e vinin në lojë. Iu afruan për t’i dhënë uthull dhe i thanë: 
PT: Personi tjetër: “Nëse je ti mbreti i judenjve, shpëto vetveten!”
L-Lexuesi: Mbi të ishte edhe mbishkrimi: “Ky është mbreti i judenjve.”
Njëri nga kriminelët e kryqëzuar e fyente:
PT: Personi tjetër: “Po a nuk je ti Mesia?! Shpëto veten edhe ne!”
L-Lexuesi: Por ai tjetri e qortoi shokun:
PT: Personi tjetër: “As ti nuk e druan Hyjin që po vuan të njëjtin dënim si ai? Sa për ne kjo është drejtësi: po marrim ndëshkimin e merituar për veprat tona! Por ky ky s’bëri asnjë të keqe!”
L-Lexuesi: Dhe tha:
PT: Personi tjetër: “Të të bjerë ndër mend për mua, o Jezus, kur të arrish në Mbretërinë
tënde!”
L-Lexuesi: E Jezusi i tha:
+ Jezusi: “Për të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë.”
(Këtu ngritën të gjithë në këmbë)
L-Lexuesi: Ishte rreth orës gjashtë e terri e mbështolli mbarë tokën deri në orën nëntë.
Dielli u zu e kultrina e Tempullit u nda përmes. Atëherë Jezusi bërtiti me zë të lartë e tha:
+ Jezusi: “O Atë: në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim!”
L-Lexuesi: Si tha këto, dha shpirt.
(Këtu gjunjëzohen të gjithë dhe qëndrojnë në heshtje)
Centurioni, kur pa ç’ndodhi, zuri të lëvdojë Hyjin dhe tha: 
PT: Personi tjetër: “Ky njeri ishte me të vërtetë i drejtë!”
L-Lexuesi: Po edhe të gjithë njerëzit, që u grumbulluan për të parë ngjarjen, kur panë se 
ç’ndodhi, u kthyen duke rrahur kraharorin. Të gjithë miqtë e tij rrinin larg, po ashtu edhe gratë, që e kishin përcjellë prej Galilesë, dhe po vërenin. Atëherë erdhi një njeri që quhet Jozef. 
Ky ishte anëtar i Këshillit [dhe] burrë i mirë dhe i drejtë. Ky nuk e miratoi vendimin as veprimin e tyre. Ishte prej Arimateje, qytet i Judesë, dhe priste Mbretërinë e Hyjit. Shkoi te Pilati dhe ia lypi trupin e Jezusit.
Pasi e uli prej kryqit, e mbështolli në pëlhurë, e vuri në varr të gdhendur në gur, ku ende askush s’ishte varrosur. Ishte dita e Përgatitjes, e po afrohej e shtuna. E përcollën edhe gratë që erdhën me Jezusin prej Galilesë; e panë varrin dhe si u vu trupi i Jezusit. Pastaj u kthyen dhe përgatitën erëra të mira dhe vajra të erëndshëm. Të shtunën mbajtën pushimin e caktuar [prej Ligjit].
Fjala e Zotit!

12 prill 2019, 12:01