Libri i imzot Frendos.jpg

Libri i imzot George Frendos dhe mesha për 50-vjetorin e shugurimit

Dy ditë të rëndësishme për kryeipeshkvin metropolit të Tiranë-Durrësit, imzot George Frendo, njëkohësisht, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë: 50-vjetori i shugurimit dhe paraqitja e librit të tij, “Bisedoj me miqtë e mi”

R.SH. - Vatikan

Sot, së bashku me gjithë ipeshkvijtë shqiptarë, imzot Frendo bashkëkremtoi meshën për 50-vjetorin e shugurimit meshtarak, në orën 11, në katedralen e Shën Palit, në Tiranë. Të pranishëm edhe ipeshkvij nga rajoni ballkanik, familjarët e imzot Frendos, ardhur nga Malta, miqtë e dashamirët, të varfërit dhe mbarë populli i kryedioqezës. Mori pjesë presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, krerët e bashkësive fetare në vend, përfaqësues të partive politike e të Trupit Diplomatik.

U paraqit libri i imzot George Frendos, “Bisedoj me miqtë e mi”

         Ndërkaq, dje, në orën 19, po në katedralen e Shën Palit, u paraqit libri i imzot George Frendos, “Bisedoj me miqtë e mi”. Fillimisht, e mori fjalën famullitari i kishës së Shën Domenikut në Durrës, atë Bernard Caruana, domenikan, ashtu si edhe vetë imzot Frendo. Më pas, reflektuan së bashku me të pranishmit, shkrimtari i përndjekur gjatë regjimit komunist, Visar Zhiti, njëkohësisht përkthyes, deputet, diplomat dhe ish-ministër i shtetit shqiptar, si edhe profesoresha e Departamentit të Gjuhës Shqipe në Universitetin e Tiranës, Prof. Ass. Dr. Aljulja Jubani. Takimi u shoqërua me disa pjesë muzikore të artistëve të katedrales së Shën Palit, në Tiranë.

07 prill 2019, 09:03