E Diela e Larit E Diela e Larit 

Leksiku i së Dielës së Larit - sot, reflektim mbi fjalët “lari”, “proçesion”, “Jeruzalem”, “Krisht”.

Sot, në vend të fjalorit papnor, zgjodhëm fjalorin e “së Dielës së Larit”, përdorur prej shekujsh në të gjitha vendet katolike, ku kremtohet kjo e Dielë, që i paraprin Pashkëve.

R. SH. - Vatikan

Fjalori i kësaj së Diele, ndër më të pasurit, shërben për të na e paraqitur sa më konkretisht, hyrjen ngadhënjimtare të Krishtit në Jeruzalem, ku vetëm pak ditë më pas, do ta presë kryqi, mundimet, vdekja e ringjallja. Po këto janë fjalë të fjalorit të Pashkëve. Sot, në fjalor, kryesojnë  “ngadhënjimi” e “lari”. I takojmë menjëherë në sjelljet fetare, që nisin me bekimin e “larit” e shpërndarjen e gemave, për të vijuar me procesionin  e Meshën.

Fjalët e para janë të ngarkuara me gëzim e hare. Vjen, pastaj, fjala “Jeruzalem”. Krishti njihet e pritet në Jeruzalem si Mbret. Populli mbarë i del para me degë lari, palmash a ullinjsh, sipas vendeve ku kremtohet. Rruga, ku shkel, shtrohet me rrema lari a palmash. E në ajrin dehës pranveror jehon brohoria e hareshme: “Hosanna Birit të Davidit, bekuar qoftë ai, që vjen në emër të Zotit!”.

Po cili është kuptimi i këtyre elementeve.

Fjala “lari”, “palmë” a emri i ndonjë druri tjetër, sipas dokeve të vendit,  ka kuptimin e paqes, të ngadhënjimit të Krishtit e, në Krishtin, të shpirtit tonë mbi mëkatin e mbi vdekjen.

Me fjalën “proçesion”, nënkuptojmë mbretninë shpirtnore të Shëlbuesit dhe pushtetin e tij madhështor, përmes hirit, në qytetin e zemrave tona.   “Jeruzalemi” është simbol i së drejtës së fituar për të shkelur në tempullin e amshuar, në Parajsën e humbur deri më atë çast me mëkat. Prandaj Kisha i këndon Krishtit, birit të Zotit - fjala kryesore e fjalorit të kësaj dite të jashtëzakonshme festive: “Lumni, lavd e nder të qoftë Ty, o Krisht, Mbret e Shëlbues: ty, që korteu i fëmijëve të këndon përvujtërisht “Hossana”. Na shpjegohet kështu, me fjalën Krisht, zemra  e ditës, që rreh fort në zemrat tona, sot në festë, po duke nisur që nesër, në ankth e vaj, në udhën e Kalvarit. Në pritje të një ngadhënjimi të ri, më të fuqishëm, e të një fjalori tjetër, atij të Pashkëve të ngjalljes.

14 prill 2019, 10:48