Kërko

Hyrja e Jezusit në Jeruzalem, pritet me brohoritjet e turmës që përshëndetnin Birin e Davidit. Hyrja e Jezusit në Jeruzalem, pritet me brohoritjet e turmës që përshëndetnin Birin e Davidit.  

Java e Madhe e Pashkëve dhe kuptimi i saj

Në proçesionin e Palmave shpallim besojmën tonë mbi pushtetin mbretëror të Krishtit, e njohim Jezusin si “Mbret të paqes e të drejtësisë”. Ta njohësh si Mbret do të thotë: të pranosh se është Ai që tregon udhën, Ai në të cilin besojmë, Ai që e ndjekim. Do të thotë ta pranosh ditë për ditë fjalën e Tij si kriter me vlerë për gjithë jetën.

R.SH. - Vatikan

Me të Dielën e Larit, besimtarët katolikë fillojnë Javën e Madhe të Pashkëve.  Me procesionin dhe bekimin e palmave e të degëve të ullinjve, këtë të diele të Larit, Kisha katolike nis ritet e Javës së Shenjtë e të Madhe të Pashkëve, kulmi i mbarë vitit liturgjik.

Me kremtimin e riteve liturgjike të Dielës së Larit, që përkujtojnë hyrjen e Zotërisë Jezus në Jerusalem dhe rrëfimin e historisë së mundimeve e të kryqëzimit të Tij për shëlbimin e njerëzimit, besimtarët katolikë filluan Javën e Shenjtë e të Madhe të Pashkëve të Krishtit, Zot e Shpëtimtar. Ngjarjet e kësaj Jave të Shenjtë e posaçërisht të Treditëshes së Pashkëve, janë shprehja më e lartë e dashurisë së Zotit, që i japin zemrës njerëzore paqe, mirësi, hirin e shenjtë të jetës së Amshuar që buron nga Krishti i Gjallë

Në Meshën e Dielës së Larit dhe të Mundimeve të Zotit Jezu Krisht, Kisha na kujton rrugën e Jezusit drejt Kryqit, që nga hyrja e Tij në Jerusalem, rrethuar nga turma brohoritësh e deri në kryqëzimin e Tij mbi Kryq. Solemniteti i Dielës së Larit, prej vitesh, përkon edhe me Ditën Botërore të Rinisë, që sivjet kremtohet në nivelin dioqezan.

Mesazhi nga Liturgjia e shenjtë e kësaj dite kujton hyrjen e Jezusit në Jerusalem, nënvizoi misterin e Kryqit, shpjegon se dhuratat e Krishtit janë varfëria, paqja e universaliteti dhe bënë thirrje për të mos iu kundërvënë dhunës me dhunë. E në përkujtim të asaj ngjarje shpëtimprurëse të hyrjes së Jezusit në Jerusalem e të pritjes së hareshme nga turma e popullit, Kisha i ftoi besimtarët të heqin dorë nga mendjemadhësia, në se duan ta njohin vërtetë Hyjin.

Jezusi nuk vjen me shpatën e revolucionarit, por me dashurinë e atij që di të dojë aq shumë njerëzimin, sa të japë edhe jetën. Hyrja e Jezusit në Jeruzalem, pritet me brohoritjet e turmës që përshëndetnin Birin e Davidit.

Zoti arrin në tempull, po pikërisht atje, ku duhet të ishte hapësira e takimit të Hyjit me njeriun, Ai gjen tregtarët e bagëtive e kambistët, që në Tempull ata interesoheshin e shikonin hesapet e tyre në vend të lutjes e të nderimit të Zotit. Është tremja e Tempullit e caktuar për paganët. Hyji i Izraelit, Hyji i të gjithë njerëzve priste që edhe ata t’i luteshin, ta kërkonin, ta thërrisnin. Po ata e kanë mendjen te fitimi, i njohur ligjërisht nga autoritetet kompetente të kohës, që merrnin pjesën e tyre nga xhepi i tregtarëve. Tregtarët vepronin drejtë, sipas rendit të padrejtë e të korruptuar në fuqi.

Po nuk mund të mos pyesim se e gjithë kjo duhet të na bëjë edhe ne, të krishterëve, të mendojmë: a është feja jonë aq e pastër, sa duke u nisur prej saj, edhe ‘paganët’, njerëzit që sot janë në kërkim të Zotit e bëjnë një mori pyetjesh, të shikojnë në të dritën e të vetmit Hyj e të kthehen edhe ata në adhurues të Tij? A jemi të vetëdijshëm se etja për fitim e idhujtaria, prek edhe zemrën tonë e mënyrën tonë të jetesës? Thua nuk lejojmë, në mënyra të ndryshme, të na depërtojnë idhujt në botën e zemrës e të fesë sonë? A jemi të gatshëm ta lemë Zotin të na pastrojë vazhdimisht, duke na ndihmuar ta flakim tutje nga vetja e nga Kisha gjithçka është në kundërshtim me të?.

Duke pastruar Tempullin, Jezusi kumton se ka ardhur çasti, në të cilin adhuruesit e vërtetë, do ta adhurojnë Atin Qiellor në shpirt e vërtetësi. Ka marrë fund koha kur njerëzit flijonin kafshë para Hyjit. Vendin e flijimeve e të mblatave ushqimore, e zë korpi i Krishtit, e zë pra ai Vetë. Vetëm dashuria deri në fund të fundit, vetëm dashuria që i dhurohet plotësisht Hyjit për njerëzit, është kulti i vërtetë, është flijimi i vërtetë!

Të adhurosh në shpirt e në vërtetësi, do të thotë të adhurosh në bashkim me Atë, që është e vërteta; të adhurosh në bashkim me Korpin e tij, me të cilin na bën një Shpirti Shenjt. Njerëzit e shndërruan tempullin në shpellë hajdutësh. Por ashtu si gjithnjë, duke nisur nga rënia e Adamit, dështimi i njerëzve shndërrohet në rast impenjimi edhe më të madh nga ana e Hyjit për t’i shpëtuar. Kështu Jezusi, i akuzuar se dëshiron ta shembë tempullin, po në atë vend, shëron të verbër e të çalë. 

Ai nuk vjen si shkatërrimtar; nuk vjen me shpatën e revolucionarit. Vjen me dhuratën e shërimit. U kushtohet atyre që, për shkak të gjymtimeve, lodhen nga jeta e flaken jashtë radhëve të shoqërisë. Jezusi u tregon se Hyji i do, se pushteti i tij është pushtet i dashurisë. E na tregon edhe ne se cili është kulti i drejtë i Hyjit: është shërimi, shërbimi, mirësia që e rikthen njeriun në jetë.

Ndërmjet atyre që e brohorasin Jezusin si birin e Davidit, ka edhe fëmijë. E Jezusi u pati thënë dishepujve të vet se për të hyrë në mbretërinë e Hyjit, duhet të ribëheshin si fëmijët . Ai vetë, që rrok mbarë botën, u bë i vogël për të na shpëtuar, për të na dhënë dorën, për të na prirë në rrugën që çon drejt Hyjit. Për ta njohur Hyjin, duhet të heqim dorë nga mendjemadhësia që na verbon, që na shtyn ta shohim Hyjin si të ishte konkurrenti ynë.

Për të takuar Zotin, duhet të bëhemi të aftë të shikojmë jo me sytë e ballit, por me sytë e zemrës. Duhet të mësojmë për ta parë gjithçka me zemër rinore, që s’ njeh paragjykime e nuk verbohet nga interesat. Kështu, në të vegjlit, që e pranojnë Zotin me zemër të lirë e të hapur, Kisha shikon figurën e besimtarëve të të gjitha kohërave, shikon figurën e vet.

Prandaj Kisha i larton Hyjit lutjen së bashku me të rinjtë e botës mbarë, të shkojmë drejt takimit me Jezusin. Ta lemë të na prijë drejt Hyjit, për të mësuar nga Hyji vetë si të bëhemi njerëz të vërtetë. Me Të e falënderojmë Hyjin, sepse me Jezusin, birin e Davidit, na dhuroi një hapësirë paqeje e pajtimi, që rrok mbarë botën. Ta lusim të bëhemi edhe ne, me Të e duke u nisur nga Ai, kasnecë të paqes së tij, që në shpirtin tonë e kudo rreth nesh, të rritet Mbretëria e Tij.

Pra, si duhet të përgatitemi për kremtimin e Pashkëve?

Me shumë fe, me shumë vëmendje, me ndjekjen e kujdesshme të teksteve që përdor këto ditë Kisha, që nga e Diela e Larit e deri në të Dielën e Pashkëve, sepse në këtë Javë të Madhe përmblidhet kremtimi liturgjik i misterit të shëlbimit tonë: vuajtja, vdekja e ngjallja e Krishtit. Kush e ndjen në shpirt Javën e Madhe, kupton krishterimin. Kush nuk e kupton Javën e Madhe, nuk mund ta kuptojë deri në fund të fundit fenë e krishterё.

12 prill 2019, 12:27