Kërko

Kremtime në Irak Kremtime në Irak 

Irak: Pashkë shprese për të krishterët e Pllajës së Ninives

Në Pllajën e Ninives, por edhe ndër bashkësitë e refugjatëve të krishterë në Kurdistanin e Irakut do të ketë procesione, Udhë Kryqi dhe çaste lutjesh për kremtimet e Pashkëve. Rreth gjysma e familjeve të krishtera janë kthyer në fshatrat e goditura nga Isisi, por tani kanë frikë mos pakësohen fondet për rindërtimin.

R.SH. - Vatikan

Pashkë me kremtime publike dhe me shpresën e rindërtimit. Këtë do të përjetojnë bashkësitë e të krishterëve irakianë, të cilët janë kthyer në fshatrat e Pllajës së Ninives, po edhe ata, që ende banojnë në kampet e refugjatëve të Kurdistanit irakian, pasi ikën nga shtëpitë për të mos rënë në dorë të xhihadistëve të Isisit, më 2014.

Pllaja e Ninives: janë kthyer 45% e të krishterëve

         Tani për tani, në Pllajën e Ninives janë kthyer 45% e familjeve, gjithsej, 41.304 të krishterë. Shtëpitë e rindërtuara kanë arritur në 6.300, por ato të shkatërruara janë rreth 14 mijë, prandaj mbetet ende shumë për të bërë. Fondacioni “Ndihmë për Kishën, që vuan” ka dhënë, deri tani, 40 milion euro për rindërtimin. Të krishterët kanë frikë mos pakësohen fondet për rindërtimin e shtëpive, tani që kaloi vala e parë. Kjo do ta ngadalësonte tepër kthimin në normalitet. Ndërsa, për të krishterët, që do t’i kalojnë Pashkët në kampet e refugjatëve, sidomos në Erbil e në pjesën tjetër të Kurdistanit irakian, është me rëndësi themelore përkrahja, që u vjen nga fushata “Adopto një të krishterë të Mosulit”, organizuar nga agjencia katolike e lajmeve AsiaNews dhe nga Instituti Papnor i Misioneve të Jashtme – PIME.

14 prill 2019, 13:43