Kërko

 Kryeipeshkvi  Jean-Claude Hollerich S.J. Kryeipeshkvi Jean-Claude Hollerich S.J. 

Hollerich: “Evropës i duhet shpirti njerëzor, por edhe ai hyjnor"

Kryetari i Comece-s reflekton, në Revistën e jezuitëve “Civiltà Cattolica” (Qytetërimi Katolik) për procesin e ngadaltë të integrimit evropian.

R. SH. - Vatikan

Afrimi i zgjedhjeve për Parlamentin e ri evropian, kriza e besimit dhe thellimi i procesit të integrimit, kuadri i vështirë ndërkombëtar me luftërat e paprera, fantazma e terrorizmit dhe dinamikat e vështira gjeopolitike, janë në qendër të reflektimit të hollësishëm të imzot Jean-Claude Hollerich, botuar në revistën “La Civiltà Cattolica”.

Reflektimi i kryeipeshkvit të Luksemburgut, President i Comece-s (Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian), përqendrohet mbi një të dhënë të rëndësishme dhe niset nga një konsideratë themelore: “Kontinenti ynë ka nevojë të punojë mbi themelet e veta”. “Thirrja është për realizimin e një Evrope, që i llogarit mirë larmitë. Larmitë, janë pasurim - shkruan – duke kujtuar më pas se pajtimi i Evropës perëndimore me atë qendrore nuk është realizuar akoma e se dialogu ndërmjet evropianëve do të mund të sillte një frymë të re lirie”.

Kryeipeshkvi jezuit vijon, me shqetësim, analizën mbi Evropën dhe mbi njeriun e sotëm evropian. “Politika evropiane duhet ta vërë përsëri njeriun, me dëshirat, shpresat e ëndrrat e veta, në qendër të veprimit politik. Integrimi evropian duhet të dëshmojë përsëri se është në favor të njeriut e se po kërkon ta ruajë e ta mbrojë paqen, në një botë më të rrezikshme, e  më të rrezikuar se kurrë.”. E  sot, nëse dëshirojmë të jemi të ekulibruar e të sinqertë, bilanci ndërmjet dritë-hijes në procesin e integrimit evropian, është ende i drejtpeshuar. Ndërsa roli i bashkësive fetare “nënkuptohet si kontribut lidhur me nenin e 17-të të Traktatit të Bashkimit Evropian, domethënë, si hapje e dialogut ndërmjet feve dhe institucioneve të Bashkimit Evropian”.

Pasi analizon pratikat e BE-së, imzot Hollerich vëren se “Fillimi i Shekullit XXI,  është me rëndësi për historinë e mendësive. Druajtjet në Evropën e ditëve tona, të shumta e edhe të përzjera mirë, çojnë drejt populizmave, gjithnjë në rritje, drejt destabilizimit të demokracive tona, drejt dobësimit të demokracive të Bashkimit Evropian. Vetëdija e mirëqenies është gjysëm e zhdukur. Gjë që ka bërë të rilindë frika e njerëzve, të cilët kërkojnë identitetin e krishterë, por krahas dëshirave politike, në kontradiktë të plotë me perspektivën e bazuar mbi Ungjillin”.

Presidenti i Comece-s e vijon analizën e tij, duke i ftuar evropianët të përfitojnë nga zgjedhjet në Parlamentin Evropian,  për “të hedhë themelet e reja të Evropës”. Sepse Bashkimi Evropian është në favor të njeriut evropian e, njëkohësisht, faktor i rëndësishëm për paqen në botë”. Kisha – përfundon - nuk dëshiron tjetër, veçse t’i shoqërojë këto ëndrra e këto shpresa, me një vetëdije më të madhe: me vetëdijen se nuk ekziston për t’u shërbyer, por për të shërbyer.

Së fundi, ky angazhim është edhe mundësi për ungjillëzimin e ri. Nuk duhet të harrojmë kurrë: “Zotin mund ta takojmë vetëm në botën reale”.

 

 

26 prill 2019, 17:33