Kërko

 Jezusi hyn në Jeruzalem Jezusi hyn në Jeruzalem 

Meditim: Hija e Kryqit

Sot, e Diela e Larit, dalim për ta pritur Zotin me blerimin e pranverës në duar e brohorinë e lashtë e të re “Hosana në lartësi të qiellve”. E Zoti, mes nesh, na fton të meditojmë për Javën që vjen mbas, për “hijen e Kryqit” e të Dielën e Ngjalljes.

Ditë feste për ty, o Zot…

Ti ecën ngadhënjyes mes turmës,

i ndjekur nga dishepujt

që Zotin e lavdojnë

për të gjitha mrekullitë…

    Ti ecën, e të rrethojnë

vravashkat e blerimit;

e sende e njerëz në lëvizje

mbi gjurmët e Mesisë,

premtuar tash kahmot.

    Ditë feste për ty, o Zot,

që mban mbi supe

tana fajet tona,

qysh prej zanafille,

nësa udhët jehojnë nga himnet

e Shpellës së Betlehemit

që i këndojnë lumnisë në qiell

 e paqes përmbi tokë.

    Ditë feste, Zot, për Ty,

i vetmi që e di

se pas blerimit t’pret

ngjyra e kuqe e gjakut!

Mbas larit, të pret  kryqi,

e fill mbas Hosanàve -

klithma: “Kryqëzoje!”.

    Ditë feste për ty, Jezus:

po ti shikon tashmë

hijen e kryqit.

e sytë e ndritshëm të ndalen

në Golgotë, ku jeta këputet.

    Ditë feste, por ti ecën

në shtegun e ngushtë që ndan

hijen e ftohtë të sosjes,

nga rrezet e pranverës.

    Ditë  feste!

Ti  ecën mbi gomar

e hap pas hapi të ndjek pas

kuptimi i Kryqit.

Të shndërohen timpan e zurnà,

në tinguj ankues

si grahmat e vdekjes në votër…

    Po ti vijon mes turmës,

të ecësh mbi dafina!

Mendimet e vjetra të vishen

me ngjyra të reja

mes territ e zgjimit.

    Nuk shkon të ulesh mbi fron!

Misioni yt s’është froni!

Misioni yt është t’i duash

edhe kusarët,

që do t’i kesh përkrah

n’altar të Kryqit!

    Misioni yt është të duash

të duash, për jetë e mot,

Ashtu si di të dojë,

vetëm “Njeriu-Zot!”.

 

14 prill 2019, 10:28