Nënshkrimi i dokumentit mbi vëllazërimin njerëzor në Abu Dabi Nënshkrimi i dokumentit mbi vëllazërimin njerëzor në Abu Dabi 

Gregoriana: reflektim mbi dokumentin e Abu Dabit për vëllazërimin

Qendra e Studimeve Ndërfetare në Universitetin Gregorian të Romës dhe Instituti Papnor i Studimeve Arabe dhe Islamike (Pisai) promovojnë një forum për studimin e mëtejshëm të dokumentit të nënshkruar më 4 shkurt, në Abu Dabi, nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azharit, Ahmad Al –Tayyeb.

R.SH. - Vatikan

“Feja e nxit besimtarin të shohë tek tjetri vëllain, që duhet mbështetur e dashur”. Kështu fillon “Dokumenti mbi vëllazërimin njerëzor për paqen botërore dhe bashkëjetesën”, mbi të cilin ka filluar të punojë grupi “Qendra e Studimeve Ndërfetare – Pisai” në një forum, që u mbajt këto ditë, në Universitetin Papnor Gregorian, me pjesëmarrjen e teologut musliman Adnane Mokrani dhe të drejtorit të Qendrës, atë Laurent Basanese, moderuar nga don Valentino Cottini.

E drejta për të ëndërruar

“Dokumenti mbi Vëllazërimin Njerëzor” shënon një horizont të ri për dialogun Islamo-Kristian. Nuk është dokument idealist, por u rikthen njerëzve “të drejtën për të ëndërruar”, veçanërisht të rinjve, nënvizon Adnane Mokrani, në mikrofonin tonë:

Të rinjtë janë motorri i ndryshimit, shpresa e së ardhmes dhe kanë etje të madhe për liri, demokraci, për të drejtat e njeriut e për qytetarinë e plotë në botë. Po rritet një ndërgjegje e re.Ndërsa qeveritë, veçanërisht ato të botës arabe, janë të brishta dhe konservatore. Përpiqen të ndryshojnë disi, por kanë nevojë të bëjnë një udhë të gjatë reformash, e cila nuk shihet qartë aktualisht. Popujt kanë dëshirë t’i ndryshojnë gjërat.

Përsa i përket përmbajtjes së dokumentit mbi vëllazërimin njerëzor, ju keni nënvizuar tre pika të rëndësishme: Zoti, njerëzit, vlerat…

T’i shërbesh Zotit do të thotë t’i shërbesh popullit dhe, në veçanti, të ligshtëve; t’u shërbesh njerëzve do të thotë t’i aktualizosh vlerat themelore. Kush arrin t’i aktualizojë këto vlera, në të vërtetë i shërben Hyjit. Zoti nuk ka nevojë të shërbehet, por i shërbejmë në më të dobtit e, shërbimi për ta është edhe shprehja më e gjallë, më reale, e vlerave të jetuara.

Që dokumenti të zbatohet, ka nevojë për një dialog ndërfetar të besueshëm, thatë në forum…

Sigurisht… e sidomos, mos pyesni çfarë kanë bërë të tjerët. Pyetja e vërtetë është ç’mund të bëjmë ne dhe cila është përgjegjësia jonë kolektive? Mos prisni mrekulli nga njerëzit e tjerë. Duhet ta konsiderojmë dokumentin si program tonin, si vizion tonin, si aspiratë tonën. Ta shohim si program për të ardhmen. Tema e lirisë, kapërcimi i idesë së pakicës për të shkuar drejt qytetarisë së plotë: janë tema të së ardhmes si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim.

Dokument për të gjithë, pra…

Është dokument për të gjithë, për mbarë njerëzimin. Pavarësisht se pikënisja është islamo-kristiane, ai u drejtohet të gjithëve. Është ftesë për ta kapërcyer tezën e Huntington-it mbi “ndeshjen e qytetërimeve” – tezë konflikti të përjetshëm. Duket sikur është konflikt i natyrshëm, pjesë e ADN-së së kulturave, por Huntington-i e ka gabim. Njeriu që beson në mëshirën hyjnore, në urtinë hyjnore, që beson në planin e mirë të Zotit, nuk mund të besojë se fati i njerëzimit është vetëm lufta. Kjo është antifetare dhe antinjerëzore.

10 prill 2019, 13:21