Kërko

 Altari i Madh Altari i Madh 

Epilog i ndeshjes së Kryqit me flakët

Rreth katedrales së Shën Marisë të Parisit, në flakë, në vend të britmave, nisën lutjet. Në Parisin, që nuk është mësuar të shikojë shpesh skena të tilla, u takuan qielli me tokën… Tronditëse, në kulmin e kësaj Jave të Madhe…

R. SH. - Vatikan

Bashkë me flakët, që shpërthyen në katedralen shumëshekullore të Shën Marisë së Parisit, pritej të shpërthente edhe brima, zemërimi, revolta… Krejt të freskëta, në kryeqytetin frëng të këtyre ditëve…E reagime tipike për njeriun, që shikon t’i bëhet hi e pluhur para syve, çka përfaqëson Kombin, historinë e fenë e tij, prej këndej, e  paprekëshme nga koha.

Por rreth  katedrales, në flakë, në vend të britmave, nisën lutjet. Në Parisin, që nuk është mësuar të shikojë shpesh skena të tilla, u takuan qielli me tokën. U lartuan himnet më prekëse të krishterimit. E himne e shtëllunga të zeza tymi u ndeshën në hapësirën e kaltërt. Ndeshje e çuditshme. Simbolike... Parisi jetonte një katastrofë. Shikonte katedralen e goditur për vdekje. Priteshin lotë. Po u dëgjua zëri i Zotit të kryqëzuar e të Ngjallur. Rrezikohej të shembej katedralja më e rëndësishme e Francës, njëra nga më të bukurat në botë. Priteshin ankime. Po në vend të tyre, parizianë e turistë nisën të luteshin. Nuk i kishin harruar uratët, si besonte ndokush. Situatë simbolike e papërsëritshme…

Kur zjarrfikësit shpërthyen njërën nga portat e hynë me frikë në zemër, brenda kishës ende në tym e flakë, duke besuar se gjithçka ishte e humbur, u ndodhën para një të papriture tjetër, krejt të pashpresuar. Reliket më të çmuara: druri i Kryqit të Krishtit, kurora e ferrave dhe një nga gozhdat me të cilat qe mbërthyer Zoti në kryq, ishin aty, të paprekura nga flaka. U morën me nderim e u mbartën në Luvër, ku do të banojnë deri në rikthim. I paprekur, edhe Altari i Madh. E në zemër të tij, Kryqi dukej sikur rrezatonte dritë.  E siguronte: “Shën Maria do të ngrihet përsëri nga hiri i vet! Do të bëhet rishtas monumenti më i vizituar i Evropës, për të ruajtur kujtesën e Kombit e të kohës…”.

E kjo mjafton për të shpjeguar pse mbarë populli ndjeu dëshirën e pashpjegueshme të lutej. E fotografuan shumë. Për ta parë e gjithë bota. Ishte efekt i flakëve, që vijonin sulmin mbi ndërtesën kishtare…? Apo epilog i ndeshjes së Kryqit me flakët? Tronditës, në kulmin e kësaj Jave të Madhe…

17 prill 2019, 12:54