Kërko

Katedralja kopto-ortodokse e Kajros, përuruar në janar Katedralja kopto-ortodokse e Kajros, përuruar në janar 

Egjipt: katolikët presin ligjërimin e kishave

Mbi 900 kisha të krishtera janë legalizuar nga qeveria egjiptiane gjatë 3 viteve të fundit, ndërtesa ngritur gjatë viteve, pa lejet e nevojshme. Lajm shumë i rëndësishëm ky, po të merren parasysh format serioze të dhunës së ekstremistëve islamikë kundër vendeve të krishtera të kultit.

R.SH. - Vatikan

Kishat e legalizuara deri tani janë ortodokse dhe protestante e jo katolike, por një “lajm i mirë” mund të arrijë për Pashkë. Së paku, kështu shpreson sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Kishave të Egjiptit, atë Boulos Garas. “Kemi 120 kisha katolike dhe 20 shtëpi rregulltarësh, që presin lejen e qeverisë” - thekson ai, duke shpjeguar se me këtë çështje po merret një avokat i rëndësishëm kopto-katolik. Dokumentet për ligjërimin e kishave katolike u paraqitën vonë, në krahasim me traditat e tjera të krishtera, pranon atë Garas, i cili shton se në një takim ndërmjet avokatit dhe kryeministrit egjiptian (Moustafa Madbouly) është vënë në dukje se, “pavarësisht nga mungesa e lejes, as ndërtesat e kultit, as institutet fetare nuk do të mbyllen”.

Për vite me radhë, dhunë kundër të krishterëve

Vitet e fundit, kishat dhe besimtarët e krishterë kanë vuajtur dhunën e grupeve ekstremiste islamike: “ndërtesa të shkatërruara, bërë shkrumb nga zjarri, të krishterë të vrarë, e qeveria s’mund të bënte asgjë”, vazhdon atë Garas, për të cilin, ndoshta, tani, do të ketë më pak rrezik. Megjithatë, thekson ai, njohja e qeverisë nuk do t’i ndalë fundamentalistët, që e konsiderojnë fyerje ndërtimin e një kishe. Sipas tij, edhe dokumenti i nënshkruar në Abu Dabi nga Papa Françesku dhe nga Imami i Madh i al-Azharit, Ahmed al-Tayyib, nuk do të sjellë rezultate tani për tani. Tekst tepër i rëndësishëm, pohon atë Garas, “por para se të tërheqë vëmendjen e njerëzve, do të kalojnë dekada”. Pavarësisht nga kjo, atë Garas është i bindur se “Zoti, që e themeloi Kishën, është i aftë edhe ta mbrojë”.

14 prill 2019, 13:51