Kërko

San Giuseppe d'Arimatea  San Giuseppe d'Arimatea  

E Shtuna e Madhe, dita e heshtjes

E Shtuna e Madhe është dita e “ndërmjetme”: ndërmjet dhimbjes së thellë për vdekjen e Jezusit - e gëzimit për Ngjalljen. Nuk kremtohen liturgji. Njeriu hesht! Hesht edhe bashkësia. Mbi gjithësinë ndehet heshtja e thellë, që të kujton përhumbjen e apostujve pas vdekjes së Krishtit. Protagonistë të kësaj dite, ndërmjet trishtimit - e gëzimit, janë gjunjëzimi me lot në sy para Kryqit, në meditim e në pritje…

R. SH. - Vatikan

Të Shtunën e Shenjtë, apo të Madhe, dikush e ka quajtur, me të drejtë “dita më e gjatë”, kohë reflektimi, që lind ndër të gjitha zemrat besimtare. Ditë pa kremtime. Ditë “aliturgjike”, kur mungon ngushëllimi i Eukaristisë e i krishteri jeton tronditjen e Apostujve pas vdekjes së Krishtit. Jeton hutimin e pret rizgjimin. Nësa afrohet muzgu i rilindjes së shpresave, që deri në këto çaste dukeshin të humbura… E Shtuna e Madhe është dita  e “krizës” së Fjalës: vetë Ungjijtë mbeten pa zë. Mundemi vetëm ta përfytyrojmë Korpin e Krishtit në varr, e apostujt, duke qenë ajo ditë pushimi për hebrenjtë, plotësisht të hutuar, ngaqë nuk e dinë ç’ka ngjarë pas zbritjes së Zotit nga kryqi - në honin e vdekjes.

Heshtja  e së Shtunës së Madhe nis vonë

Nis vonë, heshtja e thellë liturgjike e së Shtunës së Madhe: me reformën liturgjike të Piut XII. Nis, për të rikujtuar heshtjen e hidhur të ndjekësve të Krishtit, atë të shtunë, kur Zoti qe mbyllur në varr, si të ishte vetëm njeri. Rinis heshtja, që të krishterët të mund të meditojnë në këtë ditë vdekjen e Krishtit e edhe vdekjen e vet, duke u ushtruar, kështu, për ta pritur orën e fundit të jetës së tyre tokësore. Në këtë ditë edhe feja ndjehet ligsht, sepse Mesia vdiq e njeriu nuk e ka të lehtë ta kuptojë ç’do të ndodhë më pas. Mundet vetëm të rrojë në pritje. Njeriu pret në këtë ditë heshtjeje orën kur zbrazësia të rimbushet e heshtja e vdekjes të kthehet në himn për jetën!

Dita e zbritjes në mbretërinë e të vdekurve

Gjithçka hesht, por jo Krishti. Krishti vepron. Sipas traditës së lashtë, në këtë ditë Jezusi zbret në mbretërinë e të vdekurve, në thellësi të saj, për ta shpëtuar njeriun e për ta marrë me vete në qiell, ku na paraprin e na pret me krahë hapur! Atje ku zbret, Zoti takohet me Adamin, njeriun e parë, simbol i mbarë njerëzimit. E shkund, e zgjon nga gjumi dhe i jep lajmin e shëlbimit, nga i cili nuk përjashtohet askush, duke hedhur, kështu, një urë ndërmjet varrit e mbretërisë së Zotit. Jezusi ngjesh armën e pagabueshme të kryqit: “e mund vdekjen- me vdekje!”.

Ora e Nënës

Prej tridhjetë vjetësh e Shtuna e Madhe  është edhe dita në të cilën, sipas traditës bizantine, kremtohet “Ora e Nënës”. Gjithë vëmendja përqendrohet mbi Marinë, zemra e së cilës rreh me trishtim e gëzim njëherësh. Trishtim për vdekjen e Birit, gëzim, me parandjenjën e pagabueshme të Nënës, për ringjalljen. Maria sonte është “Zoja e Dhimbshme”, për traditën shqiptare, “Zoja me shtatë hanxharë”, që ia shporojnë zemrën, si heshta e centurionit të Birit. E lamë te këmbët e kryqit,  pranë të Jezusit, që vdiq duke ia besuar Gjonit, ngaqë e dinte se është e thirrur për Misionin e Nënës, e nuk mund të mbetej pa fëmijë. Prandaj, pas Gjonit, do të ketë miliona bij e bija, sa të rrojë gjithësia. Po sonte është Nëna e dhimbjeve dhe e fesë. E pikërisht nga dhimbja e feja e saj lind Kisha mbarë, që është aty, me Të, te këmbët e Kryqit, ku nis të rrezatojë shpresa. Nga Viti marian i 1987-të, ky kremtim në Romë zhvillohet në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe.

20 prill 2019, 12:56