Cerca

Vatican News
Darka e Mbrame e Krishtit me apostujt (basoreliev në katedralen e Këlnit - Gjermani) Darka e Mbrame e Krishtit me apostujt (basoreliev në katedralen e Këlnit - Gjermani) 

E Enjtja e Madhe: ora e dashurisë pa fund

Sot është dita e parë e Treditëshit të Pashkëve, që shënon fillimin e misterit të mundimeve, vdekjes e ngjalljes së Jezu Krishtit. Papa Françesku kremtoi meshën e Bagmit paradite, ndërsa pasdite, atë të Darkës së Mbrame me ritin e larjes së këmbëve në burgun e Veletrit, pranë Romës.

R.SH. - Vatikan

E Enjtja e Madhe karakterizohet pikërisht nga Darka e Mbrame, themelimi i Eukaristisë dhe i meshtarisë. Me thyrjen e bukës e me verën, Krishti paralajmëron flijimin e Tij për gjithë njerëzit, kalimin nga kjo botë tek Ati Qiellor. Ai është Qengji i Pashkëve, gati për t’u sakrifikuar. Në Egjipt, populli i lashtë i Izraelit kremtoi pashkët e tij të para: me gjakun e qengjit shpëtoi e u lirua nga zgjedha e faraonit. Në Jeruzalem, Izraeli i ri kremton Pashkët e reja: me gjakun e Krishtit lirohet nga një zgjedhë edhe më e rëndë, ajo e Djallit, e mëkatit dhe e vdekjes. Kur mbërrin ora e Tij, Jezusi ia dorëzon veten Atit Qiellor dhe të vetëve. Buka e Vera janë shenjat e një dashurie, që shtyhet deri në ekstrem.

Vetëm “fantazia” e Njeriut-Zot, i dashuruar marrëzisht me njerëzimin, mund të gjente një mënyrë kaq të thjeshtë e familjare për të qenë i pranishëm, pa shqetësuar e pa detyruar kënd. Është dashuri e pastër, që kërkon fe të gjallë e dëshirë për t’ia kthyer Krishtit atë dashuri. Larja e këmbëve është manifestimi i saj konkret. Gjesti i padëgjuar i Mësuesit, që bëhet skllav, shqetëson e shkandullon Pjetrin, jo Judën. Pjetri reagon, por pastaj, e lë veten të shndritet e të pastrohet; Juda, vetëm lahet, duke mbetur në prangat e natës së zemrës. Ndërmjet tyre, Dashuria e Zotit, që nuk detyron, vetëm propozon e, pastaj, bën një hap prapa, duke thënë: “po të duash”. Duhet ta pyesim veten: sa herë jemi mahnitur dhe jemi djegur nga ky zjarr i Dashurisë së amshuar?

18 prill 2019, 12:03